Aktori dhe komediani i njohur kanadez Martin Short ka folur për herë të parë publikisht për humbjen e vajzës së tij Katherine, duke e përshkruar si një “makth” që ka tronditur të gjithë familjen.
Ylli 76-vjeçar i serialit “Only Murders in the Building” dha një intervistë prekëse për CBS, ku tregoi se Katherine, e cila vdiq në shkurt në moshën 42-vjeçare, kishte luftuar për vite të tëra me probleme të rënda të shëndetit mendor.
“Ka qenë një makth për familjen”, tha Short, duke shtuar se tragjedia e ndihmoi të kuptonte se “shëndeti mendor është një sëmundje, njësoj si kanceri”.
Katherine ishte një nga tre fëmijët që Martin Short adoptoi me bashkëshorten e tij Nancy Dolman, e cila ndërroi jetë nga kanceri në vezore në vitin 2010.
Aktori tregoi se vajza e tij vuante prej kohësh nga çrregullime serioze psikologjike, përfshirë çrregullimin kufitar të personalitetit.
“Vajza ime luftoi për një kohë shumë të gjatë me probleme ekstreme të shëndetit mendor. Ajo bëri më të mirën që mundi, derisa nuk mundi më”, tha ai.
Më pas Short ndau një detaj rrëqethës, duke kujtuar fjalët e fundit të bashkëshortes së tij dhe vajzës së tij.
“Fjalët e fundit të Nancy-t për mua ishin: ‘Mart, më lër të iki’. Dhe Katherine më thoshte: ‘Babi, më lër të iki’.”
Pas humbjes së vajzës, Short është përfshirë në organizatën “Bring Change to Mind”, e themeluar nga aktorja Glenn Close, e cila synon të luftojë stigmën ndaj sëmundjeve mendore dhe vetëvrasjes.
Ai tha se është e rëndësishme që njerëzit të mos kenë turp të flasin për vetëvrasjen dhe ta kuptojnë atë si fazën e fundit të një sëmundjeje të rëndë.
Intervista vjen përpara publikimit të dokumentarit të ri të Netflix “Marty, Life is Short”, që rrëfen jetën dhe karrierën e aktorit përmes materialeve të papublikuara më parë.
Filmi i dedikohet kujtimit të Katherine dhe mikeshës së tij të ngushtë Catherine O’Hara.
Martin Short foli edhe për humbjet e tjera të mëdha që ka përjetuar në jetë. Në moshën 20-vjeçare ai kishte humbur të dy prindërit dhe vëllain e madh, Davidin, i cili vdiq në një aksident automobilistik.
“Tek unë u krijua një muskul mbijetese”, tha ai. “Të kuptosh që fundi i jetës është diçka që na pret të gjithëve.”
Aktori pranoi se nuk ka ndjekur kurrë terapi, por përdor mënyrat e tij për të përballuar dhimbjen, duke shkruar mendimet në telefon dhe duke i rishikuar më pas.
“Jeta është një udhëtim i vogël dhe i ndërlikuar”, tha ai. “Dhe sa më shumë ta pranosh këtë, ndoshta aq më i qetë dhe më i lumtur bëhesh.”






