Europa po hedh një tjetër hap drejt krijimit të një rrjeti hekurudhor që mund të funksionojë si një “metro e madhe europiane”. Kanë nisur testimet e trenave me shpejtësi të lartë që do të lidhin Italinë, Austrinë dhe Gjermaninë, ndërsa shërbimet e para tregtare pritet të nisin përpara verës së vitit 2027.
Kompania shtetërore italiane Ferrovie dello Stato ka nisur provat në linjat mes Berlinit dhe Mynihut, si dhe Salzburgut dhe Vjenës, në bashkëpunim me operatorët hekurudhorë gjermanë dhe austriakë, Deutsche Bahn dhe ÖBB.
Në linjat e reja do të përdoren trenat Frecciarossa 1000 të Trenitalia-s, të projektuar për të funksionuar në rrjete të ndryshme hekurudhore europiane.
Në fazën e parë parashikohen katër lidhje në itineraret ekzistuese Milano–Mynih dhe Romë–Mynih. Udhëtimi nga Milano në Mynih pritet të zgjasë rreth 6 orë e 30 minuta, me ndalesa në Brescia, Verona, Rovereto, Trento, Bolzano dhe Innsbruck.
Nga Roma në Mynih, udhëtimi parashikohet të zgjasë rreth 8 orë e 30 minuta, duke kaluar përmes Firences, Bolonjës, Veronës, Roveretos, Trentos, Bolzanos dhe Innsbruckut.
Por projekti synon të zgjerohet më tej. Nga dhjetori 2028 janë planifikuar edhe 10 lidhje të tjera, që do të shtrijnë rrjetin përmes Milanos, Romës dhe Mynihut deri në Napoli dhe Berlin, ndërsa në të ardhmen synohen edhe destinacione të tjera si Frankfurti dhe Krakovi.
Drejtuesi i FS Group, Gianpiero Strisciuglio, e ka përshkruar projektin si një hap drejt krijimit të “metrosë europiane të shpejtësisë së lartë”, ku trenat do të lidhin më ngushtë rajonet, njerëzit dhe ekonomitë e kontinentit.
Ambiciet italiane shkojnë edhe më tej: FS ka porositur 19 trena të rinj përmes Trenitalia France dhe synon që nga viti 2029 të hyjë edhe në linjën me shpejtësi të lartë Paris–Londër, duke sfiduar monopolin aktual të Eurostar në Tunelin e La Manshit.
Burimi: The Independent





