Nga Marina Hyde
Më vjen keq, por ky nuk është thjesht një skandal politik. Është koha të rifokusohemi te keqtrajtimi i tmerrshëm i grave dhe vajzave, dhe te roli i këtyre njerëzve të neveritshëm.
Si shumë gra të tjera, edhe mua më intereson disi shpërthimi i fundit politik që përfshin Peter Mandelsonin – por mendoj se të gjithë jemi shumë më të fiksuar nga fakti se vërtet ekzistonte një rrjet burrash jashtëzakonisht të famshëm dhe të fuqishëm që përpiqeshin të ndihmonin një ish-të dënuar të njohur të minimizonte dhe të shpërfillte krimet e tij seksuale ndaj të miturave. Apo jo, zonja? Sigurisht, po qaj me dënesë për një memo të një këshilltari të Gordon Brownit që u përcoll në vitin 2009… por njëkohësisht jam shumë më e shqetësuar për atë që mund të quhet “Sex Bilderberg”. Edhe tani, duket sikur vëmendja jonë po tërhiqet me lehtësi larg kësaj çështjeje. A mund të rifokusohemi?
Natyrisht, po flasim për dosjet e Jeffrey Epsteinit. Që kur u publikua paketa e fundit, kam mbledhur email-et e burrave jashtëzakonisht të famshëm që kërkuan aktivisht ta ndihmonin trafikantin tashmë të ndjerë të të miturve të banalizonte krimet e tij në vitet pas lirimit nga burgu në 2009. Richard Branson, Noam Chomsky, Steve Bannon, Mandelson, Andrew (sigurisht) – të gjithë këta burra ofrojnë këshilla strategjike, trajnim për mediat ose solidaritet miqësor. Ose, si në rastin e Chomskyt, të gjitha bashkë plus një përçmim të shpejtë ndaj nocionit të viktimizimit të grave. Sipas një mesazhi të nënshkruar me emrin e tij që Epstein ia dërgoi një avokati dhe një publicisti në shkurt 2019, disa muaj pasi Miami Herald kishte publikuar një seri artikujsh shpërthyes që shpalosnin përmasat e abuzimit serial të të miturve nga Epstein dhe shtrembërimin e drejtësisë që e mbuloi atë, Chomsky përqeshte “histerinë që është zhvilluar rreth abuzimit të grave”.
Le të kalojmë te Richard Branson. Ja ku është “biznesmeni më i dashur i Britanisë”, që në vitin 2013 i shkruan Epsteinit: “Do të doja shumë të të shihja. Mjafton të sillje haremin tënd!” (Virgin Group sqaroi se “harem” i referohej tre anëtarëve të rritur të ekipit të Epsteinit dhe deklaroi se Branson nuk do ta kishte përdorur termin apo nuk do të kishte pasur kontakt po të dinte faktet e plota. Për këto “fakte të plota” që duhej t’i dinte, do të flasim më poshtë.) Pastaj vazhdon me përpjekjen për të ndihmuar Jeffreyn të zvogëlojë rëndësinë e krimeve të tij seksuale, tre vjet pasi kishte dalë nga burgu. “Mendoj se nëse Bill Gates do të ishte i gatshëm të thoshte se ti ke qenë një këshilltar brilant për të, se kishe gabuar shumë vite më parë duke fjetur me një grua 17 vjeç e gjysmë…” – dënimi ishte për kërkim prostitucioni nga vajza deri në 14 vjeç, Richard, por vazhdo – “…dhe nuk ke bërë asgjë kundër ligjit që atëherë, dhe po, si një burrë beqar duket se ke një dobësi për gratë. Por s’ka asgjë të keqe në këtë.” Faleminderit, zotëria “djalë i mirë”!
Pothuajse çdo herë që kam shkruar për Richard Branson ndër vite, ai ose ndonjë prej bashkëpunëtorëve të tij i ka shkruar Guardian-it për t’u ankuar, dhe shpesh letra është botuar. Këtë herë po e lus aktivisht të na shkruajë. Hajde, Richard – shkruaj dhe na thuaj pse nuk u mundove as ta kërkoje në Google pse miku yt me avokatët më të mirë përfundoi gjithsesi me një dënim 18-mujor dhe kishte zgjidhur në atë kohë shumë padi civile të raportuara gjerësisht nga viktimat. Po të ruaj një vend te faqja e letrave.
Ka kaq shumë figura të mëdha në rrethin e Epsteinit sa mund të kalonim orë të tëra para se Jeff Bezos – i cili mungon dukshëm – të niste një hashtag: #notallbillionaires. Këto ditë, gjëja për miqtë e shumtë dhe të fuqishëm të Epsteinit është se, kur ndonjëherë dalin publikisht për praninë e tyre në dosje – dhe sa frikshëm të heshtur janë të gjithë – zakonisht thonë se nuk kishin asnjë ide për krimet e tij. Por nëse një mik i yni do të shkonte në burg për një vit, edhe sikur të thoshte se ishte një keqkuptim i madh, ne do të kërkonim se për çfarë bëhej fjalë – apo jo? Tani imagjinoni të jesh aq i sprovuar sa Richard Branson, Elon Musk, Peter Mandelson, Steve Bannon apo Bill Gates dhe të mendosh se një miliarder me avokatë miliarderësh përfundon në burg në Florida për shkak të një kurthi. Ju lutem. Të gjithë këta burra e dinë si funksionon bota – dhe nuk funksionoi ndryshe as në këtë rast, kur Epstein mori një marrëveshje pranimi faji tepër të diskutueshme dhe sekrete.
I vetmi person që mund ta besoj se ishte shumë i paditur për të përdorur një motor kërkimi ishte Andrew Mountbatten-Windsor. Por mendoj se ai e dinte çfarë kishte ndodhur në “mënyra të tjera”. Nuk ka hapësirë sot për zbulimet e mëtejshme në paketën e fundit të dokumenteve mbi gënjeshtrat e tij të hapura rreth ndërprerjes së lidhjeve me Epsteinin. Fakti është – të gjithë e dinin pse ai shkoi në burg. Ata e anashkaluan. Siç dëshmohet nga lidhja e tyre e vazhdueshme me të, për ta nuk ishte aspak një çështje e madhe.
Pjesa tjetër rrëqethëse është të imagjinosh si flisnin këta njerëz nëse kjo ishte ajo që ishin të gatshëm të shkruanin në email. “Më dërgo një numër që të telefonoj,” i thotë Epstein një moment producentit të filmave dhe bashkëpronarit të New York Giants, Steve Tisch, në një shkëmbim për “vajza që punojnë”: “Nuk më pëlqejnë gjurmët e këtyre bisedave.” E dimë që Bill Gates ishte shumë i afërt me Epsteinin, por nuk duket (të paktën deri tani në dokumentet e publikuara) se e ka hedhur atë shoqëri në email. Ndoshta edhe ai mendoi se ishte më e mençur të flitej në telefon. Ndërkohë, Ghislaine Maxwell do të paraqitet para Kongresit javën e ardhshme, ku ndoshta do të zgjerojë pretendimin e saj të fundit se katër bashkëpunëtorë dhe 25 burra bënë “marrëveshje sekrete” lidhur me çështjen Epstein, por nuk u paditën.
Megjithatë, shumë heshtje mbeten shurdhuese. Është siç tha JD Vance në vitin 2021: “Ju kujtohet kur mësuam se njerëzit tanë më të pasur dhe më të fuqishëm ishin të lidhur me një njeri që drejtonte një rrjet të mirëfilltë trafikimi seksual të fëmijëve? Dhe pastaj ai njeri vdiq në mënyrë misterioze në burg? Dhe tani thjesht nuk flasim më për këtë.” Atëherë ai ishte në sulm: “Nëse je gazetar dhe nuk bën pyetje për këtë rast, duhet të të vijë turp. Çfarë qëllimi ke?” Si gazetare që ka bërë pyetje për këtë rast për të paktën 11 vjet: kush nuk po flet tani, JD? Edhe pse nuk është i përfshirë vetë, Vance është në një pozicion për të hedhur dritё shumë më tepër sesa është bёrё. Nxirrni vetë përfundimin për qëllimin që po shërben.
Në fund, ata gjithmonë i tradhtojnë gratë. Kështu që, edhe një herë, barra po u mbetet viktimave. Njëzet të mbijetuara të Epsteinit publikuan së fundmi një deklaratë duke thënë se informacioni rreth tyre ishte përfshirë në publikimin e fundit të dokumenteve, “ndërsa burrat që na abuzuan mbeten të fshehur dhe të mbrojtur”. Kjo është zemra e errët e kësaj historie – megjithatë edhe tani po shohim në drejtimin e gabuar. Dëgjoj komente të ethshme për çfarë do të thotë kjo për Keir Starmerin, për Fergien, për titullin e Mandelsonit e kështu me radhë. Po për pyetjen më të madhe dhe më të zymtë nga të gjitha: çfarë do të thotë kjo për gratë dhe vajzat kur e shohin qartë se jetojmë në një botë ku kaq shumë nga burrat më të pasur dhe më të fuqishëm thjesht nuk shqetësohen mjaftueshëm për shfrytëzimin e tyre. Ose edhe më keq.
(Burimi: Pёrshtatur nё shqip nga The Guardian)






