“Strehimi nuk është luks. Është një nevojë themelore.” Me këto fjalë, kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka përshëndetur vendimin e gjykatës që la në fuqi ngrirjen e qirave për rreth një milion apartamente që i nënshtrohen regjimit të kontrollit të qirave në metropolin amerikan. Vendimi përbën një fitore të rëndësishme politike për kryebashkiakun socialist demokrat, i cili e kishte vendosur përballueshmërinë e kostos së jetesës në qendër të fushatës së tij elektorale.
Gjykatësi Brendan Lantry, i Gjykatës Supreme të shtetit të Nju Jorkut në Manhattan, rrëzoi të mërkurën padinë e ngritur nga një grup pronarësh apartamentesh, të cilët kërkonin bllokimin e masës.
Vendimi për ngrirjen e qirave zbatohet për kontratat njëvjeçare dhe dyvjeçare të qirasë, që fillojnë më 1 tetor 2026 ose pas kësaj date, për apartamentet që përfshihen në sistemin e stabilizimit të qirave.
Masa nuk përfshin të gjithë tregun e banesave me qira në Nju Jork, por prek rreth një milion apartamente, për të cilat rritja e qirasë i nënshtrohet rregullimit nga autoritetet e qytetit.
Në një deklaratë për “The New York Times”, Mamdani e cilësoi vendimin gjyqësor si një fitore për qiramarrësit dhe për qytetarët që përballen me kostot e larta të jetesës.
“Është një fitore për qiramarrësit, për përballueshmërinë ekonomike dhe për parimin se njujorkezët që punojnë meritojnë një qytet ku mund të përballojnë financiarisht të jetojnë. Sepse strehimi nuk është luks. Është një nevojë themelore”, deklaroi Mamdani.
Padia e pronarëve u ngrit pasi Bordi i Udhëzimeve për Qiratë miratoi masën në qershor të këtij viti.
Pronarët pretendonin se vendimi ishte rezultat i një procesi farsë, duke akuzuar bordin se kishte shpërfillur provat mbi rritjen e ndjeshme të kostove të pronarëve dhe kishte manipuluar të dhënat për të minimizuar ndikimin e këtyre kostove.
Përfaqësues të sektorit të pasurive të paluajtshme kanë argumentuar se ngrirja e qirave, në një kohë kur rriten taksat, kostot e sigurimit, mirëmbajtjes dhe administrimit të ndërtesave, do të shtojë presionin financiar mbi pronarët.
Megjithatë, gjykata vlerësoi se detyra e saj nuk ishte të përcaktonte nëse vendimi i bordit ishte ekonomikisht i mençur apo nëse mund të shkaktonte pasoja negative për tregun e pasurive të paluajtshme.
Objekti i shqyrtimit gjyqësor ishte nëse vendimi kishte një bazë racionale dhe nëse ishte marrë në mënyrë të arsyeshme, jo arbitrare.
Gjykatësi arriti në përfundimin se pronarët nuk kishin arritur të provonin se vendimi i bordit ishte i paarsyeshëm apo arbitrar dhe se, për rrjedhojë, ngrirja e qirave kishte një bazë racionale dhe duhej të mbetej në fuqi.
Interesant është fakti se, pavarësisht vendimit në favor të masës, gjykatësi nuk i kurseu kritikat ndaj vetë Mamdanit.
Ai e cilësoi premtimin elektoral të kryebashkiakut për ngrirjen e qirave si “të pamatur dhe të papërgjegjshëm”, duke theksuar se kryebashkiaku i Nju Jorkut nuk ka kompetencë të njëanshme për të rritur, ngrirë apo ndryshuar qiratë e apartamenteve që i nënshtrohen këtij regjimi. Kjo kompetencë i përket bordit përkatës.
Megjithatë, kritikat ndaj premtimit elektoral nuk ndryshuan përfundimin juridik të gjykatës, e cila konfirmoi vlefshmërinë e vendimit të bordit.
Ngrirja e qirave ishte një nga premtimet kryesore me të cilat Mamdani zhvilloi fushatën e tij për drejtimin e Nju Jorkut, duke e vendosur në qendër të programit politik problemin e kostos së jetesës, nga strehimi te ushqimet dhe shpenzimet e përditshme.
Në një prej qyteteve më të shtrenjta në botë, ku përballueshmëria e strehimit është kthyer në një nga çështjet kryesore sociale dhe politike, vendimi gjyqësor përbën një fitore të rëndësishme për një nga politikat më të debatueshme të administratës së re.
Ende nuk dihet nëse pronarët do ta apelojnë vendimin. Randy Mastro, një nga avokatët që përfaqësojnë paditësit dhe ish-zëvendëskryebashkiak i parë gjatë administratës së Eric Adams, deklaroi se ishte i zhgënjyer nga vendimi dhe se po shqyrtonte hapat e mëtejshëm ligjorë.





