Nga Florjan Kalaja
Titulli i parë i shkrimit ishte “Paradoksi dhe pasojat e nenit 153”. Por në fund vendosa për titullin si më lart. Në këtë shkrim më duhet të ndaj një anomali dhe paradoks ligjor të konstatuar në mënyrën se si në projektin e Kodit të ri Penal është rregulluar instituti i bashkimit të disa dënimeve penale në një të vetëm. Pika 1 e nenit 72 e projektit parashikon se dënimi me burgim për krimet jepet për një kohë nga 10 ditë deri në tridhjetë vjet, përveç rasteve kur bëhet bashkimi i dënimeve sipas këtij Kodi. Përjashtimet, sipas këtij Kodi, rezulton se janë rregullat e nenit 150, 151, 152 dhe 153, sikurse do të parashtrohen në vijim.
Kështu neni 150 i projektit, nën titullin “Caktimi i dënimeve për një veprim”, parashikon ndër të tjera se dënimin e bashkuar penal në rastin kur personi shpallet fajtor për kryerjen e disa veprave penale të perfeksinuara në ekzistencën e tyre nga një veprim fizik të vetëm. Pika 2 e kësaj dispozite ka parashikuar se mund të kalohet afati maksimal i dënimit me burgim prej 30 vitesh por vetëm në rastin kur me një veprim janë kryer tre apo më shumë vepra penale. Sigurisht që duhet të ketë një maksimum ligjor të dënimit me burgim edhe në këto raste dhe se kjo pjesë e projektit parashikon se dënimi i bashkuar nuk mund të jetë më i ulët sesa bashkimi aritmetik i dy masave më të larta të dënimeve të dhëna, pavarësisht kufirit më të lartë të burgimit të parashikuar në nenin 72 të këtij Kodi, por asnjëherë më shumë sesa 40 vjet burgim. Pra, maksimumi i dënimit me burgim në këtë rast është masa 40 vjet.
Më tej neni 151 i projektit, nën titullin “Caktimi i dënimit për disa veprime”, ka rregulluar eventualitetin kur disa veprime fizike shkaktojnë respektivisht disa vepra penale për të cilat nuk është dhënë ende vendim, duke parashikuar se në këto raste, pasi janë caktuar dënimet për secilën vepër penale, gjykata cakton edhe dënimin e bashkuar, që përbëhet nga dënimi më i rëndë i shtuar. Pika 2 e kësaj norme parashikon se dënimi më i rëndë i shtuar, në rastin kur personi ka kryer një krim kundër jetës me dashje, apo humbja e jetës së viktimës vjen nga veprimet me dashje të personit, përbëhet nga shuma e përgjithshme e dënimeve të dhëna për secilën vepër penale, në rastet kur të paktën dy prej tyre përmbajnë mundësinë e dënimit edhe 20 vjet burgim, por gjithmonë jo më shumë se sa 45 vjet burgim. Pra, maksimumi i dënimit me burgim në këtë rast është masa 45 vjet. Nga ana tjetër, pika 4 e kësaj norme ka parashikuar se, në rastin kur janë kryer tre apo më shumë vepra penale dënimi i dhënë nuk mund të jetë më i ulët sesa bashkimi aritmetik i dy masave më të larta të dënimeve të dhëna, por gjithmonë jo më shumë sesa 40 vjet burgim. Edhe ky eventualitet i rregullit maksimumin e dënimit me burgim e parashikon 40 vjet.
Më tej neni 152 i projektit, nën titullin “Krimi vazhdues”, parashikon situatën kur një subjekt, me veprime ose mosveprime, në përmbushje të të njëjtit mendim kriminal, kryen të njëjtin krim që tipikisht arrihet të kryet vetëm në këtë mënyrë, me të njëjtat veprime kriminale apo të ngjashme, ndaj të njëjtit objekt të dëmtuar, duke u konsideruar se po kryen një krim vazhdues dhe, do të dënohet vetëm një herë për veprimet e konsideruara si një të vetme, në bazë të pasojës më të rëndë të ardhur. Në këtë rast parashikohet se gjykata, në varësi të veprimeve të dënueshme të kryera nga autori, shton dënimin deri në trefishin e dënimit të caktuar, por jo më shumë se sa dyfishi i maksimales së dënimit që parashikohet për krimin në dispozitën penale përkatëse. Për ta demonstruar këtë formulë matematikore juridike do të marr si shembull pikën 3 të nenit 697 të projektit, konkretisht veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale në rastet kur ka sjellë pasoja të rënda, vepër kjo që dënohet jo më pak se 12 vjet burgim dhe maksimumi, sipas nenit 72 të projektit, deri në 30 vjet burgim. Kjo do të thotë se neni 152 i projektit, nëse kjo vepër penale procedohet penalisht si krim vazhdues, do të dënohet me dyfishin e maksimales së dënimit që vepra penale parashikon. Kjo do të thotë se maksimumi i dënimit me burgim për krimin vazhdues në projektin e Kodit të ri Penal shkon deri në 60 vjet burgim.
Më tej neni 153 i projektit, nën titullin “Bashkimi i dënimeve”, ka rregulluar situatën e bashkimit të dënimeve gjatë ekzekutimit të një dënimi me burgim të marrë dhe të vënë në ekzekutim. Këto raste përfaqësojnë eventualitetet kur një i burgosur apo një i dënuar, gjatë ekzekutimit të dënimit penal, gjykohet dhe dënohet për një vepër penale tjetër. Në këtë mënyrë, për efektet e ekzekutimit, dënimi i ri duhet të njëtrupëzohet me dënimin e mbetur për t’u vuajtur dhe se ligji kërkon që ato të bashkohen. Pikërisht këtë bashkim dënimesh rregullon neni 153 i projektit. Norma parashikon se zbatohen me analogji rregullat e cituar më lart, konkretisht në nenin 150 dhe 151.
Me të drejtë në rregullimin e nenit 153 të projektit nuk përfshihet referimi tek neni 152, konkretisht caktimi i dënimit për krimin vazhdues. Pavarësisht se në strukturën faktike të këtij krimi unitar ka një shumësi veprash penale, për efektet e kualifikimit juridik dhe dënimit penal, ligji e konvencionon atë si një entitet të vetëm juridik dhe se për rrjedhojë e sanksionon atë me një dënim të caktuar të cilin gjykata e individualizon. Sigurisht që shpjegimi për këtë nuk pritet të përftohet nga relacionifjalëpak i projektit-fjalëshumë. Sikurse është bërë e udhës nga hartuesit, në relacion nuk ka asnjë shpjegim për këtë mospërfshirje.
Megjithatë, po përpiqem në vijim të parashtroj arsyet e kësaj mospërfshirje. Duke qenë se të gjitha veprat penale faktike dhe përbërëse të strukturës unitare juridike të krimit vazhdues konvencionohen ligjërisht si një kategori e vetme, prezumohet nga normativa e projektit se personi e ka të individualizuar përgjegjësinë penale në mënyrë përfundimtare në dënimin e individualizuar nga gjykata për krimin e kryer. Kjo do të thotë se nga mot përgjegjësia penale e autorit është individualizuar në dënimin e caktuar për krimin vazhdues dhe se ai nuk do të përndiqet më penalisht, nuk do të gjykohet më dhe nuk do të dënohet më për gjithë rrugëtimin kriminal të kësaj vepre, pavarësisht se më vonë mund të rezultojnë edhe episode të tjera penale të së njëjtit krim vazhdues. Parimi ne bis in idem apo i mosdënimit dy herë për të njëjtin fakt penal prekluzon kushtetutshmërisht, konvencionalisht dhe ligjërisht mundësinë e shtetit për të proceduar dhe dënuar një person në këto kushte. Ndaj, edhe pse në relacion nuk thuhet asgjë, neni 34 i Kushtetutës, neni 4 i Protokollit nr. 7 të KEDNJ dhe neni 7 i Kodit të Procedurës Penale, konkretisht normat e mbipushtetshme që sanksionojnë parimin ne bis in idem, ka detyruar grupin e punës që të mos e komplementojë zbatimin me analogji të nenit 153 edhe me nenin 152.
Por natyrshëm shtrohet pyetja se pse i njëjti grup pune, që nuk përfshin zbatimin e nenit 152 në nenin 153 të projektit, përfshin në të zbatimin me analogji të nenit 150. Thënë më qartë, grupi i punës ka parashikuar se rregulli i bashkimit të dënimeve për disa vepra penale të konsumuara dhe të perfeksionuara me një veprim do të zbatohet në mënyrë komplementare te bashkimi i dënimeve penale gjatë ekzekutimit të një dënimi. Për ta bërë akoma më të kuptueshme këtë rregull abstrakt po e demonstroj me një shembull praktik. Projekti i Kodit të ri Penal ka parashikuar ndër të tjera për shembull se, nëse një zyrtar publik korruptohet me qëllim të favorizojë padrejtësisht një subjekt garues ekonomik në një procedurë prokurimi publik, atëherë, ai do të mbajë përgjegjësi penale edhe për veprën penale të korrupsionit pasiv dhe për shkeljen e barazisë në prokurim publik dhe se gjykata do të duhet të caktojë dy dënime dhe t’i bashkojë ato në një të vetëm, sipas nenit 150 të projektit. Nëse zyrtari procedohet penalisht njëherazi për të dy veprat penale, atëherë nuk ka asnjë diskutim juridik për drejtësinë e zbatimit të nenit 150 të projektit. Ajo që neni 153 i projektit lejon shkon edhe më tej, duke u konfliktuar sakaq me nenin 34 të Kushtetutës, nenin 4 të Protokollit nr. 7 të KEDNJ dhe me nenin 7 të Kodit të Procedurës Penale. Kjo do të thotë se neni 153 i projektit ka lejuar prokurorinë dhe gjykatën që, zyrtarin e kazusit të më lartëm, edhe pse e ka proceduar fillimisht vetëm për korrupsion pasiv dhe se ai është dënuar dhe tashmë po vuan dënimin me burgim, të rinisë procedim penal, ta rigjykojë dhe ta ridënojë sërish për të njëjtin fakt penal por për një vepër penale tjetër. Konkretisht, tashmë riprocedimi, rigjykimi dhe ridënimi penal me burgim do të caktohet për kryerjen e veprës penale të shkeljes së barazisë në prokurimin publik, vepër penale kjo, e cila ishte pjesa integrale dhe përbërëse e faktit penal për të cilin ai është deklaruar fajtor për korrupsion pasiv dhe tashmë po vuan dënimin. Kjo do të thotë se neni 153 i projektit, jo vetëm që lejon riprocedimin penal, rigjykimin penal dhe ridënimin penal për të njëjtit fakt penal historik, por edhe lejon bashkimin e dënimit penal të mbetur dhe ridënimit penal të ri në një të vetëm.
M’u desh të zgjatesha më lart me paraqitjen faktike dhe shembullore të një kazusi hipotetik për të parashtruar kumtim e paradoksit të hartimit të nenit 153 të projektit të Kodit të ri Penal. Pra, i njëjti grup pune që mban parasysh nenin 34 të Kushtetutës, nenin 4 të Protokollit nr. 7 të KEDNJ dhe nenin 7 të Kodit të Procedurës Penale, konkretisht parimin e përbotshëm të mos dënimit dy herë për të njëjtin fakt penal, nuk mban parasysh në hartimin e së njëjtës normë të projektit po këto dispozita të gjithëpushtetshme dhe po këtë parim. Ky qëndrim normativ është paradoksal dhe defiçent përpara këtyre detyrimeve kushtetuese dhe ndërkombëtare të mbipushtetshme. Në këtë mënyrë rezulton se edhe neni 153 i projektit të Kodit të ri Penal i shtohet fondit të pasur të kontradiksionit dhe rregullimeve normative paradoksale që shoqërojnë në vijimësi projektin e prezantuar shkëlqyeshëm në mbledhjen e korrikut 2025.
Sjell në vëmendje se parimi universal ne bis in idem, qoftë në planin kombëtar dhe ndërkombëtar penal, thelbin e logjikës ligjore e ka tek garantimi i parimit të sigurisë juridike të individit përballë ushtrimit të pushtetit publik përndjekës në hetimin paraprak, në gjykim dhe në ndëshkimin penal. Individi nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë nën efektin e ankthit dhe frikës juridike nga riprocedimi, rigjykimi dhe ridënimi penal për çfarë ka kryer, për çfarë është proceduar, gjykuar dhe dënuar tashmë. Nga ana tjetër, efekti kolateral juridik i këtij parimi universal është ndërgjegjësimi i organeve të pushtetit publik për ushtrimin si duhet dhe me diligjencë të pushtetit të hetimit, gjykimit dhe ndëshkimit penal. Pikërisht për të mos lejuar fenomenin e firos së ushtrimit të ndjekjes penale, gjykimit dhe dënimit, ligji procedural penal ka krijuar kontrollin gjyqësor të prokurorisë nga gjykata e hetimit, e seancës paraprake dhe e themelit. Nëse shteti nuk e ushtron pushtetin publik të hetimit, gjykimit dhe ndëshkimit penal si duhet, neni 34 i Kushtetutës, neni 4 i Protokollit nr. 7 të KEDNJ dhe neni 7 i Kodit të Procedurës Penale kanë garantuar individin se ai nuk ka asnjë arsye që të ketë ankth dhe frikë nga përndjekja penale e shtetit për sa ka ndodhur. Ushtrimi i pushtetit publik të ndjekjes, gjykimit dhe ndëshkimit penal në këtë mënyrë është i njëhershëm dhe se s’mund të lejohen modalitete ligjore apo interpretimi ligjor që ky pushtet publik të shndërrohet në përndjekje penale për individin.
Sjell në vëmendje se ka qenë pikërisht kjo filozofi ligjore që ka shërbyer si promotor i dy ndryshimeve ligjore në Kodin e Procedurës Penale në vitin 2017, kohë kjo e reformës në sistemin e drejtësisë. Konkretisht i referohem nenit 7 dhe 449 të këtij Kodi. Fillimisht neni 7 u ndryshua, duke u prekluzuar mundësia ligjore e shtetit për të përndjekur penalisht individin, pasi mosrigjykimi dhe mosridënimi penal për së dyti u ndryshua nga të lidhura me “veprën penale” në të lidhura me “faktin penal”. Më tej u suprimua mundësia e ushtrimit të ankimit të jashtëzakonshëm (kërkesës për rishikim) nga shteti (prokuroria) ndaj vendimit të dënimit apo vendimit të pafajësisë, duke u lejuar ekskluzivisht si mjet juridik në disponibilitetin e të dënuarit apo trashëgimtarëve të tij. Këto ndryshime nuk ishin origjinale të atij grupi pune që ka punuar me hartimin e tyre por ishin zbatim i standardit kushtetues dhe konventor të detyrueshëm për Shqipërinë. Një tjetër grup pune, pas 8 vitesh, vendos krejt ndryshe, duke paralajmëruar sakaq shndërrimin e ndjekjes penale në përndjekje penale ndaj individit.
GJYQTAR PRANË GJYKATËS SË POSAÇME TË APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR
Burimi: Marrë nga Panorama





