Ozempic dhe ilaçet e tjera të gjeneratës së re për humbjen e peshës po ndryshojnë jo vetëm mënyrën se si njerëzit dobësohen, por edhe mënyrën se si flasin për peshën, disiplinën dhe turpin që prej dekadash e ka shoqëruar këtë temë.
Dhe Weight Watchers, një prej markave më të vjetra dhe më të njohura të industrisë së dobësimit, po përpiqet të gjejë vendin e vet në këtë realitet të ri.
Kompania ka nisur një podcast të quajtur “The Weigh-In”, drejtuar nga gazetarja feministe Samhita Mukhopadhyay, ish-redaktore ekzekutive e Teen Vogue. Ndryshe nga programet tradicionale të Weight Watchers, podcast-i nuk synon t’u mësojë njerëzve si të humbasin peshë, por të flasë për mënyrën se si po ndryshon vetë biseda rreth saj.
Në qendër janë barnat GLP-1 dhe ndikimi që ato po ushtrojnë mbi konceptet e disiplinës, vullnetit personal dhe turpit që lidhet me peshën.
Kur Jean Nidetch themeloi programin Weight Watchers në vitin 1963, ai kombinonte një dietë strikte me takime mbështetëse, ku njerëzit peshoheshin, ndanin vështirësitë e tyre dhe shkëmbenin receta. Më vonë erdhën librat e gatimit, revista dhe aplikacioni me grupet virtuale.
Nidetch e përmblidhte filozofinë e saj me shprehjen: “Është zgjedhja, jo rastësia, ajo që përcakton fatin tënd.”
Sot, një prej këtyre zgjedhjeve mund të jetë një ilaç.
Çfarë ndodh kur zhduket “zhurma e ushqimit”?
Barnat GLP-1, ku bëjnë pjesë medikamente të përdorura për diabetin dhe menaxhimin e peshës, janë lidhur edhe me reduktimin e fenomenit të njohur si “food noise”, mendimet e vazhdueshme rreth ushqimit dhe dëshirës për të ngrënë.
Kjo ngre një pyetje të drejtpërdrejtë për një kompani si Weight Watchers: nëse njerëzit nuk mendojnë më vazhdimisht për ushqimin, sa nevojë kanë të flasin për të? Dhe sa nevojë kanë për Weight Watchers?
Samhita Mukhopadhyay, 48 vjeç, iu bashkua kompanisë vitin e kaluar për të ndihmuar në formësimin e përmbajtjes së saj.
Zgjedhja e saj si drejtuese e podcast-it është e pazakontë për historinë e Weight Watchers.
Mukhopadhyay ka shkruar prej vitesh për feminizmin dhe çështjet që lidhen me trupin. Në vitin 2023, ajo publikoi një ese për eksperiencën e saj me Mounjaro dhe për mënyrën se si përdorimi i këtij ilaçi kishte vënë në pikëpyetje edhe mënyrën se si ajo e shihte veten si një feministe që mbështeste “body positivity”.
Kur nisi punën te Weight Watchers, ajo nuk e bëri menjëherë publike.
“Tani ja ku jam, duke hyrë në një nga bisedat më të ndërlikuara të momentit dhe duke e bërë këtë me një markë”, tha ajo. “E dinim se ishte e ndërlikuar dhe donim të hynim pikërisht aty.”
Një fytyrë ndryshe për Weight Watchers
Mukhopadhyay nuk i ngjan figurës tradicionale që Weight Watchers ka përdorur për të promovuar programet e veta: dikujt që humbet shumë kilogramë dhe më pas shfaqet si dëshmi e suksesit të metodës.
Ajo vetë përdor një GLP-1 dhe flet hapur për këtë në podcast, por thotë se ka humbur relativisht pak peshë. Aq pak, sa ndonjëherë njerëzit e pyesin nëse vazhdon ende ta marrë ilaçin.
Për të, pikërisht kjo ka rëndësi.
“Mendoja se ishte shumë e rëndësishme që këtë bisedë ta zhvillonte dikush që nuk është masa 4”, tha ajo.
Sipas Mukhopadhyay, përhapja e GLP-1 dhe ndryshimi i njohurive shkencore rreth humbjes së peshës kanë ndikuar edhe në mënyrën se si trajtohen njerëzit me trup më të madh.
“Në epokat e mëparshme të kulturës së dietave, njerëzit me trup më të madh bëheshin të ndiheshin sikur kishin dështuar”, tha ajo. “U thuhej se nuk ishin të motivuar, se ishin dembelë. Tani kuptojmë se ka faktorë të tjerë që ndikojnë në madhësinë e trupit dhe shkenca mbi mënyrën se si i mbështesim njerëzit në rrugëtimin e tyre me peshën ka ndryshuar.”
Edhe vetë Weight Watchers e ka pranuar këtë ndryshim.
Në vitin 2024, Sima Sistani, në atë kohë drejtuese ekzekutive e kompanisë, deklaroi se Weight Watchers duhej të pranonte rolin që kishte luajtur në krijimin e idesë se humbja e peshës ishte thjesht çështje vullneti.
“Na takon neve të pranojmë se ku gabuam dhe ku kemi qenë pjesë e narrativës se kjo është çështje vullneti”, tha ajo.
Nga “body positivity” te Ozempic
Weight Watchers është përballur edhe më parë me ndryshimin e mënyrës se si shoqëria flet për trupin.
Rreth një dekadë më parë, sfida e madhe ishte lëvizja “body positivity”, e cila kundërshtonte kulturën tradicionale të dietave dhe promovonte pranimin e trupit pavarësisht madhësisë.
Weight Watchers afroi atëherë Oprah Winfrey dhe ndryshoi emrin në WW.
Sot kompania i është rikthyer emrit Weight Watchers, ndërsa klima kulturore ka ndryshuar sërish. Ideali i një trupi shumë të hollë është rikthyer në disa pjesë të modës dhe kulturës pop, ndërkohë që Ozempic dhe ilaçet e ngjashme janë bërë gjithnjë e më të pranishme në jetën amerikane.
Gratë gjenden kështu përballë një pritshmërie të dyfishtë: nga njëra anë duhet të thonë se e pranojnë veten në çdo madhësi, ndërsa nga ana tjetër vazhdon presioni për ta bërë trupin më të vogël.
Mukhopadhyay thotë se është ndier e kapur mes kulturës së dietave dhe pritshmërive të lëvizjes “body positivity”, e cila, sipas saj, ndonjëherë i linte pak hapësirë për të folur për dëshirën për të ndryshuar trupin, edhe kur motivimi lidhej me shëndetin.
“Pyesja veten se si do të dukej të krijoje diçka në mes të këtyre dyjave, sepse aty jetojnë shumica e grave”, tha ajo.
Weight Watchers kërkon një rol të ri
Podcast-i synon pikërisht këtë hapësirë.
Mukhopadhyay do të bisedojë me të ftuar për eksperiencat e tyre me GLP-1, ndryshimet e trupit, paragjykimet dhe efektet anësore të medikamenteve.
Julie Rice, bashkëthemeluese e SoulCycle dhe aktualisht drejtuese e eksperiencës së klientit në Weight Watchers, thotë se qëllimi është që diskutimi mbi peshën të bëhet më pak shqetësues për gratë.
Podcast-i nuk përmban reklama, por ka edhe një lidhje të drejtpërdrejtë me transformimin e biznesit të Weight Watchers: kompania ofron përmes programit të saj Med+ shërbime që mund të përfshijnë edhe përshkrimin e barnave GLP-1.
Kështu, kompania që për dekada u mësoi njerëzve të kontrollonin ushqimin përmes dietës dhe mbështetjes në grup po përpiqet tani të gjejë një rol në epokën e barnave për humbjen e peshës.
Për Mukhopadhyay, hyrja në Weight Watchers shoqërohej fillimisht edhe me një shqetësim personal. Ajo pyeste veten nëse kolegët e rinj do të mendonin se duhej të humbiste më shumë peshë.
“Por nuk ka qenë aspak kështu”, tha ajo.
Kur u publikua episodi i parë i “The Weigh-In” javën e kaluar, kolegët e pritën me një tortë ku fytyra e saj ishte printuar mbi krem.

Burimi: NYT






