Një skandal i pazakontë po trondit komunitetin amerikan të inteligjencës, pasi një oficer i CIA-s u arrestua me qindra shufra ari në shtëpinë e tij, me një vlerë që kalon 40 milionë dollarë.
Sipas autoriteteve amerikane, 49-vjeçari David Rush, oficer i CIA-s prej 17 vitesh dhe pjesë e Drejtorisë së Shkencës dhe Teknologjisë, u arrestua më 18 maj. Hetimet kanë zbuluar se ai kishte në banesën e tij 303 shufra ari, secila me peshë rreth një kilogram, të cilat u gjetën gjatë një kontrolli të FBI-së.
Rasti është bërë edhe më intrigues pasi mediat amerikane raportojnë se Rush kishte pasur më parë kontakte profesionale me Stephen Feinberg, aktualisht zëvendëssekretari amerikan i Mbrojtjes dhe numri dy i Pentagonit.
Sipas burimeve aktuale dhe ish-zyrtarëve amerikanë, Rush duket se ka pasur kontaktet e para me Feinberg gjatë mandatit të parë të Donald Trump, kur Feinberg drejtonte Bordin Këshillimor të Inteligjencës së Presidentit. Ky organ ka për detyrë të këshillojë Shtëpinë e Bardhë dhe agjencitë e inteligjencës mbi çështje të sigurisë kombëtare dhe mbledhjes së informacionit sekret.
Megjithatë, disa zyrtarë theksojnë se të dy nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të afërt dhe se Feinberg nuk ka pasur asnjë rol në aktivitetet që çuan Rush drejt posedimit të sasive marramendëse të arit.
Misteri më i madh mbetet origjina e pasurisë.
Sipas dokumenteve gjyqësore, nga nëntori i vitit të kaluar deri në mars të këtij viti, Rush kërkoi dhe mori dhjetëra milionë dollarë në shufra ari dhe valuta të huaja, duke pretenduar se bëhej fjalë për “shpenzime të lidhura me punën”.
Kur CIA nisi një kontroll të brendshëm për të verifikuar vendndodhjen e arit dhe valutave, nuk arriti t’i gjente ato.
Pas alarmit të ngritur nga agjencia, FBI kontrolloi shtëpinë e Rush dhe zbuloi të fshehura 303 shufra ari.
Ish-zyrtarë amerikanë të sigurisë thonë se një sasi kaq e madhe pasurie nuk mund të vihej në dispozicion të një oficeri pa qenë pjesë e një operacioni të fshehtë.
“Kjo do të thotë se ai duhet të ketë qenë i përfshirë në një program sekret që kërkonte akses në shuma shumë të mëdha parash,” deklaruan disa ish-funksionarë të inteligjencës amerikane.
Për momentin, autoritetet nuk kanë bërë publike natyrën e operacionit dhe as arsyen pse CIA kishte lëshuar sasi të tilla ari.
Rush ndodhet aktualisht në burg dhe është akuzuar fillimisht për përvetësim të fondeve publike përmes plotësimit të deklarimeve të rreme të orëve të punës.
Prokurorët pretendojnë gjithashtu se ai ka fryrë kualifikimet e tij akademike dhe ka gënjyer për përvojën profesionale.
Megjithatë, këto akuza konsiderohen vetëm maja e ajsbergut në një çështje që po ngre pyetje shumë më të mëdha.
Pse një oficer i CIA-s kishte akses në dhjetëra milionë dollarë në ar? Për çfarë operacioni ishin destinuar ato? Dhe si përfunduan qindra shufra ari të fshehura në shtëpinë e tij?
Deri tani, as CIA dhe as Pentagoni nuk kanë dhënë shpjegime publike për këto pyetje.
Burimi: NYT






