“Pasqyrë Albania” po shitet këto ditë si risia e radhës e qeverisjes. Çdo hall, kërkesë apo ankesë e qytetarit do të mund të ndiqet në kohë reale, premton Edi Rama. Bukur tingëllon. Vetëm se këtë film shqiptarët e kanë parë një herë. Madje e kanë paguar për vite. Quhej Bashkëqeverisje.
Në 2017, me shumë më tepër bujë se sot, Edi Rama ngriti Zyrën e Bashkëqeverisjes dhe platformën “Shqipëria që duam”. Qytetari nuk do të endej më dyerve të shtetit. Do të ankohej në platformë, ankesa do të ndiqej, institucioni do të detyrohej të përgjigjej dhe zyrtari që flinte mbi dosje do të mbante përgjegjësi.
U ngrit një mekanizëm i tërë. U çuan koordinatorë nëpër ministri dhe institucione, administrata u vu nën presion që ankesat të mos mbeteshin pa përgjigje dhe Bashkëqeverisja u promovua nga vetë Rama me qytetarë që dilnin publikisht për të treguar se si “shteti ua kishte zgjidhur hallin”.
Pastaj projekti u ngrit edhe në nivel ligji. Me ligjin nr. 107/2021, Bashkëqeverisja mori një status institucional shumë më serioz se një platformë interneti.
Vetëm se ndërmjet përgjigjes dhe zgjidhjes kishte një ndryshim të madh.
Administrata mësoi shpejt si ta plotësonte afatin. Koordinatori trokiste te institucioni sepse po mbaronte koha, institucioni prodhonte një përgjigje burokratike dhe sistemi regjistronte se qytetarit i ishte kthyer përgjigje. Afati shpëtonte bashkë me statistikë. Shpesh halli mbetej aty ku kishte qenë.
Ndërkohë shteti vazhdonte të paguante strukturën, koordinatorët dhe gjithë mekanizmin që ishte krijuar për ta detyruar vetë administratën e shtetit të bënte punën për të cilën paguhej administrata e shtetit.
Me kalimin e viteve, Bashkëqeverisja u zhduk nga propaganda. Nuk pati ndonjë funeral politik për të. Thjesht u la mënjanë. Ligji dhe struktura mbetën, ndërsa projekti që dikur prezantohej si revolucioni i marrëdhënies së qytetarit me shtetin u tret në heshtje.
Tani kemi “Pasqyrën”
Në gusht 2026 Rama nxjerr krijimin e ri: “Pasqyrë Albania”. Kryeministri e përshkroi si një sistem ku çdo kërkesë dhe hall i qytetarit do të trajtohet si një “pako postale”, statusi i së cilës mund të ndiqet në kohë reale, ndërsa shkeljet e afateve nga institucionet do të shihen “me lupë”. Pra, pas gati një dekade, kemi mbërritur sërish te qytetari, ankesa, institucioni, afati dhe dikush sipër që do të kontrollojë nëse administrata është përgjigjur.
Qytetari nuk ka nevojë për një aplikacion që t’i tregojë në ekran se halli i tij ndodhet prej 17 ditësh te institucioni X. Ka nevojë që institucioni X të ketë një nëpunës të aftë, që njeh ligjin, merr përgjegjësi dhe ia zgjidh çështjen kur ka të drejtë.
As inteligjenca artificiale nuk e shëron dot mediokritetin administrativ.
Rama po u premton qytetarëve mbrojtje nga shteti që drejton, po vetë
Pas katër mandatesh, kryeministri del përsëri në rolin e njeriut që do të mbrojë qytetarin nga sporteli, drejtori, zyra dhe institucioni.
Po kush e ka drejtuar këtë administratë gjatë gjithë këtyre viteve?
Nëse qytetarit i duhet përsëri një platformë e Kryeministrisë që një drejtor t’i kthejë përgjigje, problemi nuk është mungesa e platformës. Është administrata e ndërtuar ndër vite pa meritokracinë, profesionalizmin dhe përgjegjësinë që duhet të kishte.
Rama sot bëri një pohim që, pa dashur, e çon pikërisht aty. Duke folur për administratën, përmendi si problem “mosndëshkimin e performancës negative”. Në të njëjtën fjalë goditi edhe KLGJ-në dhe KLP-në, duke i quajtur “fytyra e dështimit të reformës në drejtësi”, ndërsa SPAK-un dhe GJKKO-në i veçoi si fytyra të suksesit.
Është i njëjti Edi Ram’ që për vite e promovoi Reformën në Drejtësi si një prej arritjeve më të mëdha të qeverisjes së tij. Dhjetë vjet më vonë, një pjesë të institucioneve që dolën prej saj i quan vetë dështim.
Me Bashkëqeverisjen pamë të njëjtin cikël: fillimisht revolucion, pastaj strukturë, pastaj njerëz dhe para, më pas heshtje dhe tani një emër i ri që premton të zgjidhë nga fillimi të njëjtin hall.
“Pasqyrë Albania” mund të jetë teknologjikisht shumë më e mirë. Mund të gjurmojë çdo shkresë, të numërojë çdo ditë vonesë dhe të ndezë një dritë të kuqe për çdo nëpunës që nuk përgjigjet.
Por nuk ka program që zëvendëson një shtet jo – funksional. As krijim letrar!
Pas 13 vjetësh qeverisje, qytetarit nuk duhej t’i servirej një aplikacion më shumë për të kapërcyer administratën dhe për të trokitur te Kryeministri. Duhej t’i mjaftonte administrata. Nëse ajo nuk funksionon pa ndërhyrjen e Edi Ramës, “Pasqyra” nuk tregon sa pranë qytetarit është Kryeministri, por diçka krejt tjetër: Tregon sa larg qytetarit ka mbetur shteti…
© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.




