Deutsche Welle i është rikthyer sot situatës së tensionuar në Shqipëri, duke i kushtuar një tjetër kronikë protestave studentore dhe ndërhyrjes së policisë në Tiranë. Media publike gjermane ngre shqetësimin për përshkallëzimin e dhunës dhe shtron pyetjen nëse revolta studentore, së cilës po i bashkohen edhe grupe opozitare dhe qytetarë të pakënaqur me qeverinë, mund ta çojë Shqipërinë drejt një krize më të gjerë politike.
Në kronikën me titull “Policia godet studentët në Tiranë, ndërsa protestat në Shqipëri zgjerohen”, gazetari i Deutsche Welle, Gerhard Elfers, pasqyron zhvillimet e fundit në kryeqytetin shqiptar, ku mijëra studentë po protestojnë kundër korrupsionit, rritjes së kostove të arsimit dhe kushteve të dobëta në universitete.
DW thekson se policia ka ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit, duke përdorur gaz lotsjellës dhe autobote me ujë, ndërsa dhjetëra persona janë ndaluar dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Ky është një tjetër raportim i Deutsche Welle për ngjarjet në Shqipëri brenda dy ditësh. Një ditë më parë, media gjermane raportoi për zjarrin në Ministrinë e Arsimit dhe përplasjet mes protestuesve dhe policisë.
Protestat në Tiranë po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare, ndërsa pyetja që shtrohet tashmë nuk lidhet vetëm me kërkesat e studentëve, por edhe me pasojat që përshkallëzimi i tensioneve mund të ketë për situatën politike në vend.
Burimi: Deutsche Welle





