Në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë, Guvernatori Gent Sejko ka hedhur me krenari fotografi nga “shëtitja” njëjavore në Tajlandë. Reklamon një aktivitet që organizohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe një Grup i Bankës Botërore, në kohën kur studentët dogjën IUTECREDIT në rrugën e Durrësit dhe goditën me gurë zyrën e tij.
Sejko do qëndrojë në Bankok me zëvendësen Holta Zaҫaj dhe një pjesë të kabinetit, për të marrë pjesë në diskutimet mondane për “Ndërtimin e qëndrueshmërisë fiskale në një botë të prirur ndaj goditjeve”.
Gent Sejko raportohet se gjendet prej korrikut 2024 në një proces të gjykimit paraprak në GJKKO, para gjyqtares Flora Hajredinaj dhe prokurores së SPAK Dorina Bejko, ku ai dyshohet se ka shpërdoruar detyrën me licencimin e paligjshëm të dhjetëra institucioneve financiare të mikrokredive. Mes tyre edhe IUTECREDIT ALBANIA, kompania që u përzu me ceremoni nga Banka Qendrore e Kosovës.
Hetimi dhe gjykimi i Sejkos mbahet sekret, pa asnjë prononcim publik, si nga GJKKO ashtu dhe SPAK. Mënyra se si fshihet emri i Gent Sejkos në tabelën e gjykimeve në GJKKO të bën të dyshosh.
Vetëm emri i tij nuk shfaqet në ekranin e gjykatës ashtu sikur bëhet me të gjithë të tjerët, por shënohet thjesht me iniciale, edhe ato të pakuptueshme “G.AS”.

Ç’do të thonë inicialet “G.AS” kur emri dhe atësia e Guvernatorit dihet publikisht që është Gent Ferhat Sejko?

Përse SPAK dhe GJKKO e mbajnë “Top Sekret” prej dy vjetësh hetim-gjykimin e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Shqipërisë, kur vepra e tij po digjet rrugëve të Tiranës?
Udhëtimi njëjavor i Guvernatorit në Tajlandë ka edhe anën komike që shfaqet në faqen zyrtare të Bankёs sё Shqipёrisё. Në një prej fotografive Sejko prezanton një takim me dy bankierë të JP Morgan, bankës më të fuqishme amerikane dhe kompanisë financiare lider në botë.

Se përse u duhet një takim me Guvernatorin e një banke të shtetit më të varfër të Evropës, këtë mund ta shpjegojë Gent Sejko kur të mbërrijë në Shqipëri pas datës 18 Tetor.
Deri atëherë, përveç abronzimit në klimën verore të Tajlandës dhe turizmit “kulturor” në qendrat e njohura të saj, me siguri që edhe protesta studentore kundër rrënimit financiar të vendit do jetë ndezur dhe kthyer në një uragan popullor.
Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





