Në Shqipëri kanë rënë dy viruse. Virusi i “shapit” dhe i “sheqerit”. Nuk po arrin asnjë shkencë t’i shpjegojë dot. As mjekësia, as ekonomia, as sociologjia dhe as shkencat me përmbajtje politike, përfshirë ato juridike. Viruset kanë një agresivitet të lartë të kontaminimit kombëtar.
Shapi është kripa e bardhë që përdoret për të regjur lëkurë.
Sheqeri, ndërkohë, është një gjendje shëndetësore qeveritare. Moment i ëmbëlsimit artificial të udhëheqësit karizmatik që infekton edhe rrjetet më të rëndësishme sociale:
Kur çmimet rriten, sheqeri thotë se ekonomia po zhvillohet.
Kur të rinjtë largohen, sheqeri flet për globalizim.
Kur bien avionë, virusi thotë “ishin mushkonja”.
Kur pyjet digjen, sheqeri thotë se po pastrohet terreni.
Kur protestat mbushin rrugët, virusi bën me gisht nga Irani.
Sheqeri nuk e ndryshon realitetin; ai thjesht e mbulon me krem pastiçerie, sikur të jetë një tortë e bukur. Ama merita ёshtё e pastiҫierit.
Presidenti i Republikës, zoti Bajram Begaj, i pyetur dikur nëse e pinte kafen me sheqer, u përgjigj me një batutë që tashmë ka hyrë në folklorin politik shqiptar: “Sheqer jam vetë.”
Një deklaratë e pafajshme. Një batutë televizive. Por në Shqipëri asgjë nuk mbetet vetëm batutë. Në vendin e bejteve, batutat bëhen filozofi shtetërore.
Dhe kështu, ndërsa qytetarët protestojnë prej javësh në rrugët e Tiranës dhe në kryeqytetet e botës, për keqqeverisjen, korrupsionin dhe për klasën politike që po shkatërron vendin, në sfond shfaqet një burrë i lyer me sheqer pluhur, “shefi” i një republike e njëkohësisht edhe i një pastiҫerie.
Edhe pse neni 1, pika 1 e Kushtetutës përcakton se – Shqipëria është Republikë parlamentare – Kryeministri Edi Rama, me talentin e tij të njohur për ta kthyer politikën në performancë artistike, vazhdon t’i trajtojë protestat si një lloj ekspozite publike. Herë si keqkuptim, herë si meme, herë si luftë me “armiqtë imagjinarë”, por asnjëherë si alarm serioz qytetar.
Presidenti Begaj sigurisht që u degdis në Azinë e largët, në Kirgistan dhe Uzbekistan, për të gjetur sheqer të mirë në Rrugën e Mëndafshit.
Në këtë skenografi të madhe kombëtare, protestuesit bërtasin, qeveria buzëqesh, Presidenca është me shërbim, ndërsa “shapi” i Parlamentit Evropian shpjegohet shqip.
Ai e ndan shapin nga sheqeri edhe kur pagat nuk e ndjekin inflacionin.
E ndan shapin nga sheqeri edhe kur të rinjtë largohen duke emigruar.
E ndan shapin nga sheqeri edhe kur pyjet digjen.
E ndan shapin nga sheqeri edhe kur betonieret mbijnë më shpejt se sallata jeshile në vazot, baçet, oborret dhe fushat e Shqipërisë.
Parlamenti Evropian e ndan shapin nga sheqeri edhe pse i kanë thënë se kjo është rruga e progresit.
Edhe pse sherbeti qeveritar ka rrethuar Brukselin sikur protestuesit kryeministrinë.
Qeveria jonё Parlamentit Evropian nuk i raporton. Ajo e sheqeros:
Një lugë sheqer për statistikat.
Një lugë sheqer për propagandën.
Një lugë sheqer për televizionet.
Një lugë sheqer për raportet.
Një lugë sheqer për fjalimet.
Shqipëria e vitit 2026 ngjan gjithnjë e më shumë me një pastiçeri gjigante. Në vitrinë gjithçka shkëlqen. Torta të bukura. Krem. Çokollatë. Dekorime evropiane.
Por qytetarët e kësaj republike që hyjnë brenda kërkojnë vetëm “bukë”.
Kërkojnë drejtësi.
Kërkojnë përgjegjësi.
Kërkojnë shtet, njё shtet prej vërteti ama. Jo prej sheqeri, si ai që shërbehet në pastiçerinë që drejtohet nga i ëmbli Begaj.
© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






