Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka ngritur zyrtarisht akuza penale ndaj ish-presidentit kuban Raul Castro, në një çështje që sipas CNN është përgatitur prej më shumë se tre dekadash.
Sipas dosjes, Castro akuzohet për komplot për vrasjen e qytetarëve amerikanë, shkatërrim avioni dhe katër akuza për vrasje, lidhur me rrëzimin e dy avionëve civilë të organizatës kubano-amerikane “Brothers to the Rescue” në vitin 1996. Nga sulmi humbën jetën katër persona, tre prej tyre shtetas amerikanë.
Aktakuza u bë publike gjatë një ceremonie në Miami kushtuar viktimave të incidentit, në një datë simbolike për komunitetin kuban në SHBA që shënon ditën e pavarësisë së Kubës. Njoftimi u dha nga Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Todd Blanche.
Sipas raportimit, përpjekjet për ngritjen e akuzave ndaj Raul Castros kishin nisur që në vitet ’90, pas suksesit të prokurorisë amerikane në çështjen kundër ish-liderit panamez Manuel Noriega. Ish-prokurori federal Guy Lewis deklaroi se hetimet ndaj Castros u intensifikuan pas atij precedenti.
Hetuesit amerikanë pretendojnë se Raul Castro, atëherë ministër i Mbrojtjes në Kubë, kishte rol në urdhërimin e sulmit ndaj avionëve civilë në hapësirë ajrore ndërkombëtare.
Çështja lidhet edhe me rrjetin famëkeq të spiunazhit kuban “La Red Avispa” (Rrjeti Grerëza), i cili sipas FBI-së ishte infiltruar nё komunitetin anti-Castro në Miami, përfshirë edhe organizatën “Brothers to the Rescue”.
Në vitin 2000, pesë anëtarë të këtij rrjeti u dënuan për spiunazh dhe vepra të tjera federale. Njëri prej tyre, Gerardo Hernandez, u kthye në Kubë në vitin 2014 si pjesë e një shkëmbimi të burgosurish mes Uashingtonit dhe Havanës, gjë që shkaktoi zemërim të madh në komunitetin kubano-amerikan.
Sipas ish-prokurorëve amerikanë, rrëzimi i avionëve nuk ishte incident spontan, por një operacion i planifikuar me qëllim frikësimin e kundërshtarëve të regjimit kuban.
“Kjo ishte një vrasje e organizuar. Synimi ishte të trembeshin disidentët kubanë”, deklaroi ish-prokurori David Buckner.
Raul Castro, sot ёshtё 94 vjeç.
(Burimi: CNN)






