Administrata amerikane ka shpenzuar rreth 750 mijë dollarë për të organizuar evakuimin e një qytetareje amerikane nga një ishull i largët në Oqeanin Paqësor, pasi ajo dyshohej se mund të ishte ekspozuar ndaj hantavirusit gjatë udhëtimit me anijen turistike ku shpërtheu epidemia vdekjeprurëse.
Sipas dokumenteve të brendshme të siguruara nga Associated Press dhe burimeve zyrtare amerikane, gruaja kishte udhëtuar në prill me anijen turistike holandeze MV Hondius, e cila më vonë u bë qendra e një shpërthimi të hantavirusit. Pas largimit nga anija, ajo kishte fluturuar fillimisht drejt San Franciskos dhe më pas kishte udhëtuar përmes Tahitit drejt Ishullit Pitcairn, një territor britanik tepër i izoluar në Paqësorin Jugor.
Operacioni i kushtueshëm ka shtuar presionin mbi fondin e emergjencave të Departamentit amerikan të Shtetit, i njohur si “K Fund”, i cili përdoret për situata të paparashikuara. Ky fond është pakёsur ndjeshёm për shkak të evakuimeve të diplomatëve dhe qytetarëve amerikanë nga Lindja e Mesme pas konfliktit me Iranin, si dhe përgatitjeve për emergjenca të mundshme në vendet e prekura nga Ebola.
Autoritetet amerikane nuk kanë komentuar detajet specifike të rastit, por kanë theksuar se kur një qytetar amerikan ndodhet në rrezik jashtë vendit dhe nuk ka akses në transport komercial, Departamenti i Shtetit përpiqet të sigurojë ndihmën e nevojshme për ta kthyer në SHBA ose në një vend të sigurt.
Pas largimit të saj nga anija, MV Hondius vazhdoi itinerarin në Atlantikun Jugor, ku disa pasagjerë u sëmurën dhe të paktën tre persona humbën jetën. Ndërkohë, gruaja amerikane mbeti e bllokuar në Ishullin Pitcairn, një nga vendet më të izoluara në botë, me vetëm rreth 50 banorë, pa aeroport dhe me lidhje shumë të kufizuara detare.
Ishulli Pitcairn është i njohur historikisht si vendi ku u strehuan rebelët e famshëm të anijes britanike HMS Bounty pas kryengritjes së vitit 1789 kundër kapitenit William Bligh. Shumica e banorëve të sotëm janë pasardhës të atyre rebelëve.
Situata u komplikua më tej pasi autoritetet britanike kërkuan ndihmën urgjente të SHBA-së për evakuimin e saj. Përpjekjet fillestare për ta dërguar në Tahiti, rreth 2,160 kilometra larg, dështuan pasi autoritetet e Polinezisë Franceze refuzuan hyrjen e saj, duke argumentuar se ajo nuk kishte deklaruar ekspozimin e mundshëm ndaj virusit gjatë tranzitit të mëparshëm.
Përfundimisht, autoritetet amerikane organizuan transportimin e saj drejt Ishullit të Pashkëve (Easter Island), territor kilian rreth 2,250 kilometra larg Pitcairnit, nga ku ekzistojnë fluturime direkte drejt Santiagos së Kilit dhe më pas drejt Shteteve të Bashkuara.
Për shkak të izolimit ekstrem të ishullit dhe mungesës së infrastrukturës, organizimi i evakuimit zgjati disa javë. Sipas dokumenteve, transporti u sigurua përmes jahtit trimaran “Titaina Explorer”, në pronësi të një biznesmeni francez që e përdor atë për ekspedita private në Paqësorin Jugor.
Zyrtarët amerikanë kanë theksuar se gruaja nuk kishte lidhje politike apo status publik të veçantë dhe se në momentin e evakuimit nuk shfaqte simptoma të sëmundjes. Të dhënat e gjurmimit detar tregojnë se jahti u nis nga Pitcairn më 5 qershor dhe udhëtimi drejt Ishullit të Pashkëve mund të zgjasë deri në 10 ditë, në varësi të kushteve të motit.
Burimi: AP, CNN





