Administrata Trump mbron refuzimin e vizave për disa zyrtarë iranianë dhe një gjyqtar somalez, ndërsa premton masa sigurie të paprecedenta për Kupën e Botës 2026.
Shtëpia e Bardhë ka mbrojtur vendimin për të ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara për disa pjesëmarrës të Kupës së Botës 2026, duke argumentuar se masat janë të nevojshme për garantimin e sigurisë së turneut. Deklaratat janë bërë nga Andrew Giuliani, drejtori ekzekutiv i Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë për Botërorin, i cili tha se refuzimet e vizave janë bazuar në “arsye shumë të forta”.
Andrew Giuliani konfirmoi se gjyqtarit somalez Omar Abdulkadir Artan i është refuzuar hyrja në SHBA, duke deklaruar se vendimi ishte marrë për “arsye shumë të forta”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Komentet vijnë në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka përdorur retorikë të ashpër ndaj Somalisë. Vetëm dy javë më parë, gjatë një mbledhjeje të kabinetit, Trump deklaroi për somalezët: “Janë të gjithë mashtrues”.
Duke folur për delegacionin iranian, Giuliani tha se 31 futbollistë dhe stafi kryesor teknik kanë marrë miratimin për hyrje në SHBA, por disa zyrtarë të tjerë janë refuzuar.
“Sikurse mund ta imagjinoni, ka persona që pretendojnë se janë trajnerë, por mund të mos jenë trajnerë”, tha ai.
Sipas Giulianit, administrata amerikane synon të sigurojë që personat të lidhur drejtpërdrejt me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) të mos kenë mundësi të hyjnë në territorin amerikan.
Ai shtoi se presidenti Trump dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio janë të vendosur të garantojnë kushte të barabarta për garën sportive, por pa bërë kompromis me kufizimet e sigurisë.
Skuadra iraniane do të akomodohet në Tijuana të Meksikës dhe do të udhëtojë drejt Los Anxhelosit për ndeshjet e saj, një fluturim që sipas Giulianit zgjat rreth 25 minuta.
Zyrtari amerikan komentoi gjithashtu raportimet për kontrolle shtesë ndaj delegacioneve nga Senegali dhe Uzbekistani, duke theksuar se procedurat e verifikimit të dytë janë pjesë normale e sistemit të sigurisë.
Ndërkohë, administrata Trump është përballur me kritika se po përdor kritere politike dhe diskriminuese në çështjet e vizave dhe emigracionit, përfshirë raste të mëparshme ku zyrtarëve palestinezë iu ishte refuzuar hyrja në SHBA për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Masa sigurie si në Super Bowl
Giuliani deklaroi se siguria në të gjitha ndeshjet e zhvilluara në SHBA do të organizohet sipas standardeve të Super Bowl-it, finales së kampionatit amerikan të futbollit.
Sipas tij, tifozët do t’i nënshtrohen disa niveleve kontrolli që nga momenti kur hipin në transportin publik për t’u drejtuar drejt stadiumeve.
Të 78 ndeshjet e turneut në SHBA do të mbrohen nga sisteme kundër dronëve, ndërsa qeveria federale ka vënë në dispozicion 500 milionë dollarë për mbështetjen e forcave lokale të rendit.
FBI ka ngritur gjithashtu një qendër të posaçme trajnimi për përgatitjen e efektivëve që do të përdorin teknologjitë kundër dronëve gjatë turneut.
Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në 16 qytete të SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës, ndërsa finalja është planifikuar të luhet në stadiumin New Jersey-New York.
Burimi: AA






