Prokurorët Sokol Stojani, Ledina Riza dhe Zeqir Hoda, përfunduan mandatin 5-vjeçar në radhët e KLP (Këshilli i Lartë i Prokurorisë) një organ me 11 anëtarë ku 6 anëtarë zgjidhen nga radhët e prokurorëve të të gjitha niveleve dhe 5 anëtarë zgjidhen nga avokatët, pedagogët e drejtësisë dhe shoqëria civile.
Sot ata u zëvendësuan nga prokurorët Antoneta Sevdari (Bejko), Afërdita Ndoi (Vatnikaj) dhe Eloida Goxhi.
Me 165 vota, Antoneta Sevdari u zgjodh nga radhët e Prokurorisë së Përgjithshme.
Me 160 vota, Afërdita Ndoi u zgjodh nga kolegët e saj në prokuroritë e apelit.
Prokurorja Eloida Goxhi mori 148 vota nga prokurorët e të gjitha prokurorive të shkallës së parë.
Të treja prokuroret, dy prej të cilave kanë provuar më parë të jenë anëtare në KLP (Eloida Goxhi dhe Antoneta Sevdari) do jenë pjesë e qeverisë së prokurorëve me një peshë më tepër se anëtarët e tjerë, pasi përveç njohjes personale, dy prej tyre kanë një miqësi të ngushtë familjare.
Raportohet se Antoneta Sevdari dhe Afërdita Ndoi janë shoqe të ngushta dhe kjo shtrihet edhe në radhët e familjeve të tyre.
Gentian Ndoi, bashkëshorti i Afërdita Ndoit është oficeri i policisë, i cili rezultoi kandidati më i vlerësuar në konkursin për drejtimin e BKH-së, një vit më parë, duke u renditur i pari në garën që SPAK ia “dhuroi” Joni Ketës.
Ndoi e çoi padrejtësinë që pësoi nga KLP, në Gjykatën Administrative por atje ai humbi në shkallën e parë. Nuk ka raportim nëse është ende në ndjekje të apelimit të vendimit të gjykatës, por në kohën e zhvillimit të gjykimit, ai u transferua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ku mbante postin e drejtuesit të sektorit kundër krimit financiar, në Policinë e Dibrës.
Shoqet e ngushta Sevdari dhe Ndoi, e kanë treguar afërsinë miqësore të tyre edhe kur procesin e vetingut të Prokurores së Apelit Durrës, në KPK (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit) e ndoqi përballë treshes Olsi Komici (kryesues), Firdes Shuli (Relatore) dhe Brunilda Bekteshi anëtare, avokate Antoneta Sevdari.
Sevdari ishte shkarkuar me vendim të KPK në 18.7.2018 dhe në kohën e lirë të “shkarkimit” ushtronte profesionin e lirë të avokates, ku një ndër çështjet që ndoqi me përparësi ishte vetingu i shoqes së saj të ngushtë.
Afërdita Ndoi, u konfirmua në detyrë me një vendim 2 me 1, ku komisionerja Brunilda Bekteshi doli kundër. Vendimi i KPK nuk u ankimua nga Komisioneri Publik dhe Ndoi vazhdoi karrierën e qetë, deri në zgjedhjen e sotme nga kolegët e saj si anëtare e KLP, pasi ishte zgjedhur më parë edhe anëtare në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED).
Nga ana tjetër, mikeshа e saj Antoneta Sevdari kaloi një kalvar të vërtetë deri në zgjedhjen e sotme.
KPK e konfirmon në detyrë në 18.07.2018, me një trupë ku bënin pjesë Firdes Shuli, Valbona Sanxhaktari dhe Roland Ilia, por Komisioneri Publik, Darjel Sina i cili ka ndërruar jetë, e ankimoi vendimin e KPK duke kërkuar shkarkimin e saj.
Më 28.2.2019 KPA me Luan Dacin (kryesues), Sokol Çomon (relator), Ardian Hajdarin (anëtar), Ina Ramën (anëtare) dhe Rezarta Schuetz (anëtare) e shkarkoi prokuroren Sevdari. Vendimi pati vetëm një anëtare kundër shkarkimit. Ajo ishte Ina Rama.
Pasi kërkoi të drejtën e saj në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Antoneta Sevdari në 13.3.2023, arriti të bindë 6 gjyqtarë nga 7 që kishte kjo trupë, për padrejtësinë që i ishte bërë.
Më 10.5.2024 KPA e rishqyrtoi përsëri çështjen “Sevdari” dhe doli me vendim për rikthimin në detyrë të prokurores.
Riemërimi i saj në Prokurorinë e Tiranës, filloi me çështjen “bombë” të grupit të mikrokredive, ku Antoneta Sevdari mori në dorë hetimet që zvarriteshin prej vitit 2020 në këtë prokurori.
Ajo kreu me intensitet hetime të rëndësishme përgjatë verës 2024, duke drejtuar një grup prej 8 hetuesish të Prokurorisë së Tiranës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Mbështetjen kryesore për të korrur sukses në hetime ajo e gjeti te oficeri i policisë Gentian Ndoi, bashkëshorti i mikeshës së ngushtë.
Sevdari arriti të “zbërthejë” dhe të dërgojë në vjeshtën e vitit 2024 në SPAK, Grupin e Strukturuar Kriminal të “mikrokredive” me 15 të pandehur dhe rreth 10 milionë euro të sekuestruara.
Brenda dy viteve Antoneta Sevdari arriti të promovohet në detyrë, nga Prokuroria e Tiranës duke zënë vend në Prokurorinë e Përgjithshme nga e cila, sot u zgjodh si anëtare e KLP, duke sfiduar në votim Kostaq Belurin, një tjetër prokuror karriere, ish-anëtar i KLP.
Tashmë dy prokuroret dhe shoqet e ngushta, pritet të vendosin “hegjemoninë” në Këshillin e Lartë Gjyqësor, për shkak të njohjes me pjesën tjetër të gjashtë prokurorëve në këtë Këshill, fakt që u konfirmua edhe nga votat e shumta të lobuara në dy shkallë të rëndësishme të akuzës, apeli dhe Prokuroria e Përgjithshme.

© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





