Një shpellë e krijuar nga dallgët e Atlantikut në shkëmbinj vullkanikë rreth 60 milionëvjeçarë u bë burimi i frymëzimit për një prej veprave më të njohura të kompozitorit gjerman Felix Mendelssohn. Historia nis në gusht të vitit 1829, kur Mendelssohn, vetëm 20 vjeç dhe i munduar rëndë nga udhëtimi mes detit, mbërriti në ishullin e pabanuar Staffa, pranë brigjeve të Skocisë.
Atje ndodhet Shpella e Fingalit, një formacion spektakolar që futet rreth 70 metra në brendësi të ishullit dhe arrin rreth 18 metra lartësi. Muret e saj përbëhen nga kolona të mëdha bazalti, kryesisht gjashtëkëndore, të krijuara kur llava e nxehtë u ftoh, u tkurr dhe u ça në forma të rregullta gjeometrike.
Më pas ishte Atlantiku që i dha shpellës formën e sotme. Për mijëra e mijëra vjet, dallgët goditën të çarat mes kolonave, shkëputën pjesë të bazaltit dhe, duke përdorur vetë copat e thyera të shkëmbit si një lloj “çekiçi”, gërryen gradualisht brendësinë e ishullit. Staffa ka sot të paktën 19 shpella detare.
Por Shpella e Fingalit është e veçantë edhe për tingullin. Emri i saj në gjuhën gaelike, An Uamh Bhinn, do të thotë “shpella melodioze”. Sipërfaqet e forta dhe këndore të bazaltit bëjnë që zëri dhe përplasja e dallgëve të reflektohen në shumë drejtime njëkohësisht, duke krijuar një jehonë të përhapur dhe të zgjatur, të ngjashme me tingullin që mbetet pezull brenda një salle të madhe.
Këtë akustikë të pazakontë dëgjoi Mendelssohn. Menjëherë pas vizitës, ai i shkroi familjes se Hebridet e kishin prekur jashtëzakonisht dhe në të njëjtën letër hodhi në pentagram 21 masat e para të melodisë që i kishte ardhur në mendje. Ritmi dhe dinamika ishin përcaktuar tashmë, ndërsa kishte nisur edhe skicimi i orkestrimit.
Pas disa vitesh rishikimesh, ajo ide e lindur mes dallgëve dhe kolonave të bazaltit u shndërrua në “The Hebrides”, Op. 26, vepra që njihet gjerësisht edhe si “Fingal’s Cave”.
Kështu, një proces gjeologjik i nisur dhjetëra miliona vjet më parë dhe puna e pandërprerë e Atlantikut krijuan jo vetëm një prej formacioneve më të pazakonta natyrore të Skocisë, por edhe një “sallë koncertesh” natyrore, tingulli i së cilës përfundoi në një partiturë që vazhdon të luhet edhe sot.
Burimi: SpaceDaily,





