Një koalicion prej 25 prokurorësh të përgjithshëm të shteteve amerikane i ka kërkuar administratës Trump dhe Kongresit të pezullojnë grantet federale për Akademitë Kombëtare të Shkencave, Inxhinierisë dhe Mjekësisë (NASEM), duke e akuzuar organizatën se ka përdorur autoritetin e saj shkencor për të mbështetur aktivizmin dhe çështje gjyqësore të lidhura me politikat klimatike.
Në një letër drejtuar disa sekretarëve të kabinetit të Presidentit Donald Trump dhe komisioneve të Kongresit, 25 prokurorët e përgjithshëm republikanë argumentojnë se një organizatë që përfiton para nga taksapaguesit nuk duhet t’i përdorë ato për të mbështetur kauza politike apo interesa të financuesve të saj.
Në qendër të përplasjes është “Reference Manual on Scientific Evidence”, një manual i hartuar nga NASEM së bashku me Federal Judicial Center– Qendrёn Federale Gjyqёsore, institucion i financuar nga taksapaguesit. Manuali është konceptuar për t’u dhënë gjyqtarëve federalë orientim objektiv mbi çështjet shkencore me të cilat mund të përballen gjatë proceseve gjyqësore.
Por polemikat shpërthyen rreth kapitullit “Reference Guide on Climate Science” – “Guidё Referuese pёr Shkencёn Klimatike”, për të cilin kritikët pretendojnë se përmbante një numër të madh referencash dhe citimesh nga aktivistë dhe mbështetës të politikave klimatike të së majtës.
Pas reagimeve të forta, Qendra Federale Gjyqёsore e tërhoqi kapitullin në shkurt. NASEM vazhdoi ta mbante atë të publikuar në faqen e vet deri në fillim të gushtit, kur njoftoi se pjesa mbi klimën do të hiqej përkohësisht, ndërsa zhvillohej një “rishikim i pavarur” i procesit përmes të cilit ishte përgatitur.
Por 25 prokurorët e përgjithshëm vënë në dyshim edhe vetë procesin e rishikimit. Sipas tyre, ai “duket se është një farsë”, për shkak të mungesës së transparencës mbi mënyrën se si po zhvillohet.
Ata argumentojnë se një hetim realisht i pavarur duhet të kryhet nga një panel i jashtëm, me ekspertë që nuk janë aktivistë, palë në procese gjyqësore apo punonjës të NASEM, ndërsa metodologjia, objekti dhe rezultatet e kontrollit duhet të bëhen publike.
Akuza shkon edhe më tej. Në letrën e tyre, prokurorët pretendojnë se kapitulli për klimën ka cituar në mënyrë të pasaktë Panelin Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (IPCC), bie në kundërshtim me pjesë të tjera statistikore të vetë manualit dhe dyshohet se është shkruar në një masë të konsiderueshme nga Michael Burger, një avokat i përfshirë në procese gjyqësore klimatike.
Raporti për klimën dhe një çështje në Gjykatën Supreme
Një tjetër pikë e përplasjes është një raport i NASEM i publikuar në korrik që trajton lidhjen mes ndryshimeve klimatike dhe ngjarjeve ekstreme të motit.
Prokurorët e përgjithshëm pretendojnë se raporti ishte financuar dhe hartuar me përfshirjen e personave dhe organizatave që mbështesin proceset gjyqësore kundër kompanive të karburanteve fosile.
Ata e lidhin veçanërisht me çështjen Suncor Energy kundër County Commissioners of Boulder County, e cila pritet të shqyrtohet nga Gjykata Supreme më 5 tetor.
Sipas tyre, edhe koha e publikimit të raportit ngre pikëpyetje. Ata pretendojnë se dokumenti doli në një moment që u mundësonte palëve kundërshtare të Suncor ta përdornin në argumentet e tyre para Gjykatës Supreme, ndërsa afati për paraqitjen e dokumenteve nga mbështetësit e kompanisë kishte përfunduar.
Në letër përmendet gjithashtu fakti se një organizatë që mbështet paditësit në çështjen Suncor e kishte cituar raportin në mënyrë të përsëritur dhe kishte marrë 100 milionë dollarë nga Bezos Earth Fund për të “përshpejtuar veprimin klimatik”. I njëjti fond, sipas letrës, kishte financuar edhe raportin e NASEM. Prokurorët kërkojnë që autoritetet federale të shqyrtojnë më tej këtë lidhje.
Për këtë arsye, 25 prokurorët e përgjithshëm kërkojnë që agjencitë federale të shqyrtojnë pezullimin ose përjashtimin e NASEM nga financimet federale, me argumentin se paratë e taksapaguesve nuk duhet të financojnë veprimtari që ata i konsiderojnë të njëanshme politikisht.
Ata i kërkojnë gjithashtu Kongresit të shqyrtojë mundësinë e gjetjes së një institucioni tjetër për analiza shkencore objektive dhe madje të rishikojë statusin ekzistues që u njeh Akademive rolin e këshilltarit të qeverisë federale.
Burimi: The Federalist





