Aktivistë në më shumë se 20 vende protestojnë kundër kostos së lartë të jetesës, kushteve të përkeqësuara të arsimit dhe rritjes së shpenzimeve ushtarake.
Studentë dhe të rinj të punësuar kanë dalë në rrugët e më shumë se 20 vendeve evropiane, në kuadër të protestave të koordinuara kundër rritjes së ndjeshme të kostos së jetesës dhe strehimit, përkeqësimit të kushteve të arsimit dhe shtimit të shpenzimeve ushtarake.
Aktivistë nga më shumë se 50 organizata, në vende si Belgjika, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Portugalia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar, zhvilluan tubime të premten, duke ndezur flakadanë, djegur makete tankesh prej kartoni dhe valëvitur pankarta, shumë prej të cilave mbanin mbishkrimin «Luftojmë për të ardhmen tonë».
Duke i cilësuar këto demonstrata si protestën më të madhe të koordinuar të të rinjve në Evropë gjatë viteve të fundit, koalicioni Youth Strike («Greva e të Rinjve») deklaroi se ishin planifikuar protesta në rreth 400 qytete, nën sloganin «Luftojmë për të ardhmen tonë, jo për luftërat e tyre».
Koalicioni parashtroi pesë kërkesa të përgjithshme, ndër të cilat përfundimin e militarizimit dhe të shërbimit të detyrueshëm ushtarak; investime strukturore në arsim dhe mirëqenie sociale; solidaritet me Palestinën; drejtësi klimatike dhe sociale, si dhe një «transformim rrënjësor të sistemit në të cilin jetojmë».
Një nga organizatorët italianë, Alessandro di Miceli, deklaroi se protestat në mbarë Evropën synonin «të kërkonim të drejtën tonë për një të ardhme më të mirë dhe dinjitoze». Sipas tij, megjithëse kërkesat konkrete ndryshonin nga njëri vend në tjetrin, ato ishin të gjitha «thellësisht të ndërlidhura me njëra-tjetrën».
Një tjetër organizatore, portugezja Leonor Chicó, u shpreh: «Si të rinj, ne e dimë se duhet të organizohemi dhe të luftojmë për të ardhmen tonë, sepse askush tjetër nuk do ta bëjë këtë për ne». Sipas saj, qeveritë «na tregojnë çdo ditë se nevojat e brezit tonë nuk janë përparësia e tyre».
Shabbir Lakha, përfaqësues i koalicionit britanik Stop The War («Ndaloni Luftën»), deklaroi se ky mobilizim përbënte «një hap vendimtar drejt ndërtimit të një lëvizjeje ndërkombëtare të qëndrueshme, të aftë për të bashkuar të rinjtë, studentët dhe punonjësit rreth kërkesave të përbashkëta».
Pas disa javësh demonstratash në një sërë vendesh, të nxitura nga protestat e zgjatura të studentёve në Francë, qeveritë po hasin vështirësi për t’iu përgjigjur kërkesave gjithnjë e më të shumta për strehim me kosto të përballueshme, shërbime publike funksionale dhe barazi më të madhe sociale.
Ndër organizatorët e tubimeve të së premtes në Francë ishin edhe gilets jaunes («Jelekët e Verdhë»), protestat e të cilëve tronditën vendin gjatë viteve 2018 dhe 2019. Ndërkohë, në Gjermani, rreth 1.000 studentë protestuan në Berlin, të shqetësuar nga mundësia e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Në Romë, Milano dhe qytete të tjera italiane, dhjetëra mijëra qytetarë dolën në protesta, ndërkohë që sindikata më e madhe e vendit, CGIL, organizoi një grevë të përgjithshme kundër politikave ekonomike të kryeministres Giorgia Meloni, duke e cilësuar mobilizimin si një thirrje të vendit për ndryshim.

Burimi: The Guardian






