Tirana është përzgjedhur mes pesë qyteteve europiane që ofrojnë mundësi për një udhëtim me kosto të përballueshme gjatë fillimit të vjeshtës, në një listë të publikuar nga The Star, bazuar në rekomandimet e ekspertes së udhëtimeve Laura Carden-Lovell.
Kryeqyteti shqiptar renditet përkrah Sarajevës, Sofjes, Tallinnit dhe Rigës, ndërsa Shqipëria përshkruhet si një nga tregjet turistike me rritjen më të shpejtë në Europë.
“Tirana është e ndritshme, plot ngjyra dhe histori”, thotë Carden-Lovell, duke vënë në dukje se popullariteti i kryeqytetit shqiptar është rritur paralelisht me zhvillimin e turizmit në vend.
Ndër pikat e para që u rekomandohen vizitorëve është Sheshi Skënderbej, i cili mund të eksplorohet pa pagesë, ndërsa më pas sugjerohet zona e Bllokut, e njohur për kafenetë, restorantet dhe jetën e gjallë urbane. Tirana veçohet edhe për ndërthurjen e historisë osmane dhe asaj të periudhës komuniste me zhvillimin modern të qytetit.
Për turistët që kërkojnë një pamje panoramike të kryeqytetit, rekomandohet Dajti Ekspres, teleferiku që lidh periferinë e Tiranës me zonën e Parkut Kombëtar të Dajtit. Sipas artikullit, një biletë vajtje-ardhje kushton rreth 15 paund, ndërsa eksplorimi i parkut është falas.
Lista përfshin gjithashtu Sarajevën, ku veçohen Pazari i Vjetër, sheshi Baščaršija dhe shëtitjet turistike në këmbë; Sofjen, për katedralet, rrënojat romake dhe transportin publik ekonomik; Tallinnin, për qendrën historike të mbrojtur nga UNESCO dhe zonën kreative Telliskivi; si dhe Rigën, ku turistët mund të eksplorojnë në këmbë qytetin e vjetër mesjetar.
Vjeshta konsiderohet një periudhë e favorshme për këto destinacione, pasi pas sezonit të verës numri i turistëve bie dhe çmimet e fluturimeve dhe hoteleve mund të ulen ndjeshëm. Qytetet që mund të eksplorohen kryesisht në këmbë ofrojnë një avantazh shtesë për udhëtarët që kërkojnë të kufizojnë shpenzimet.
Sipas Carden-Lovell, destinacionet më ekonomike europiane, veçanërisht ato në Ballkan, po fitojnë gjithnjë e më shumë vëmendje edhe falë TikTok-ut dhe Instagram-it, ku videot e udhëtimeve po ndikojnë në zgjedhjen e destinacioneve të reja.




Burimi: The Star






