Trump kritikoi ExxonMobil dhe Chevron për fitimet e tyre të jashtëzakonshme, duke u bërë thirrje të ulin çmimet për konsumatorët.
Presidenti Donald Trump sulmoi kёtё herё industrinë amerikane të naftës, duke argumentuar se kompanitë më të mëdha të sektorit duhet t’ia kthejnë qytetarëve amerikanë një pjesë të fitimeve të tyre të jashtëzakonshme.
“Nuk më pëlqen kjo,” u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale, kur u pyet për fitimet marramendëse që ExxonMobil dhe Chevron raportuan javën e kaluar gjatë luftës me Iranin.
“Ata po fitojnë tepër para, në rregull? Kjo po ndodh për shkak të mungesës së ofertës,” vijoi ai.
“Nuk më pëlqen aspak, dhe unë duhet të jem njeriu i fundit që do ta thoshte këtë, sepse jam një mbështetës i madh i ekonomisë së tregut të lirë,” tha Trump, duke shtuar: “Madje, askush nuk është më i madh se unë në këtë drejtim.”
ExxonMobil raportoi një fitim prej 14,5 miliardë dollarësh gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, dyfish më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, Chevron realizoi 12 miliardë dollarë fitim, duke regjistruar rezultatin më të lartë tremujor në të paktën gjashtë vitet e fundit, sipas Reuters.

“Edhe Chevron, tepër para. ExxonMobil, tepër para. Janë tepër para,” vazhdoi Trump.
“Kur sheh një kompani që ka fituar dymbëdhjetë herë më shumë se një vit më parë, ajo duhet t’ia kthejë një pjesë të atyre fitimeve publikut. Dhe duhet të ulë çmimin me pakicë, çmimin që paguan konsumatori,” shtoi ai.
“Po e them qartë dhe me zë të lartë: nuk jam aspak i kënaqur,” deklaroi Trump, përpara se të parashikonte se çmimet e karburanteve do të “bien në nivele të papara” sapo të përfundojë lufta me Iranin.
Raportimet për këto fitime rekord erdhën në një kohë kur lufta me Iranin kishte shtyrë çmimin e naftës, në disa momente, mbi 100 dollarë për fuçi.
Megjithatë, të hënën çmimet e naftës ranë sërish, pasi u shfaqën sinjale për një zbutje të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, raportoi Reuters.
Më herët gjatë së hënës, Trump kritikoi edhe drejtorin ekzekutiv të Chevron, Mike Wirth, duke e akuzuar se nuk i kishte njohur meritat administratës amerikane për mbështetjen që i ka dhënë industrisë së naftës.
Komentet erdhën pas paraqitjes së Wirth në emisionin “Sunday Morning Futures with Maria Bartiromo”.
“E vetmja gjë që ai harroi me shumë lehtësi të përmendte është se, pa gjenialitetin, vizionin, forcën dhe stabilitetin e Administratës TRUMP, industria e naftës dhe vetë vendi ynë do të ishin TË SHKATËRRUAR!” shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth Social.
“Po ju jap një shembull: ata e dëbuan Mike-un dhe Chevron-in nga Venezuela, por tani janë rikthyer, më të mëdhenj dhe më të fuqishëm se kurrë, duke pritur të fitojnë një pasuri të tërë!” shtoi ai.
Burimi: Fox News





