Një nga universitetet më të njohura publike në Shtetet e Bashkuara po eksperimenton me një mënyrë të re për të ulur presionin mbi studentët: për një semestër, notat tradicionale nuk do të shfaqen në dëftesën akademike.
Duke nisur nga vjeshta e vitit 2027, studentët e vitit të parë në Fakultetin e Letёrsisё, Shkencave dhe Arteve (LSA) të Universitetit të Michiganit nuk do të kenë në transkriptin e tyre notat tradicionale gjatë semestrit të parë.
Në vend të tyre do të shënohet vetëm “P” (Pass – kalues) ose “NC” (No Credit – pa kredite).
Vendimi është pjesë e një përpjekjeje të universitetit për të lehtësuar kalimin e të rinjve nga shkolla e mesme në universitet dhe për t’iu përgjigjur asaj që institucioni e konsideron një krizë të shëndetit mendor mes studentëve.
Notat nuk zhduken plotësisht
Ndryshimi nuk do të thotë se pedagogët nuk do t’i vlerësojnë më studentët.
Gjatë semestrit, studentët do të vazhdojnë të marrin notat e tyre dhe të dinë nivelin e performancës akademike. Universiteti gjithashtu do t’i ruajë rezultatet reale në sistemet e tij të brendshme.
Ato mund të përdoren për këshillimin akademik, bursat dhe çmimet, aplikimet për praktika apo mundësi profesionale, përcaktimin e përparimit drejt diplomimit, ndihmën financiare dhe kritere të tjera administrative.
Ndryshimi kryesor është se nota përfundimtare nuk do të shfaqet në transkript dhe nuk do të ndikojë në mesataren e studentit për atë semestër.
Politika do të zbatohet për studentët që hyjnë në vitin e parë në LSA, njësia më e madhe akademike e Universitetit të Michiganit, dhe nuk do të ketë mundësi që studentët të zgjedhin të përjashtohen prej saj.
Pse po e bën universiteti?
Argumenti është se semestri i parë mund të jetë një nga periudhat më stresuese të jetës së një studenti.
Të rinjtë ndryshojnë qytet, largohen shpesh për herë të parë nga familja, hyjnë në një mjedis shumë më konkurrues dhe përballen me pritshmëri të reja akademike dhe sociale.
Universiteti beson se heqja përkohësisht e presionit të notës nga transkripti mund t’i ndihmojë studentët të eksperimentojnë më shumë me studimet.
Një student, për shembull, mund të zgjedhë një lëndë të vështirë ose një fushë krejtësisht të re pa frikën se një rezultat i dobët do t’i ulë mesataren dhe do ta ndjekë më pas në historikun akademik.
Synimi, sipas universitetit, është krijimi i një kulture që favorizon bashkëpunimin dhe kureshtjen akademike në vend të konkurrencës së vazhdueshme për nota.
Michigan nuk është i pari që eksperimenton me këtë model. Institucione prestigjioze amerikane si Massachusetts Institute of Technology (MIT), California Institute of Technology (Caltech) dhe Swarthmore College kanë përdorur forma të ngjashme të vlerësimit për studentët e rinj.
Por lind një pyetje tjetër: A duhet t’i mbrojmë të rinjtë nga nota e keqe?
Vendimi ka hapur edhe një debat shumë më të gjerë.
Psikoterapisti amerikan Jonathan Alpert argumenton se një politikë e tillë rrezikon t’u transmetojë të rinjve mesazhin se shqetësimi, stresi apo zhgënjimi janë në vetvete të rrezikshme.
Sipas tij, një notë e keqe mund të jetë stresuese, madje edhe e turpshme për një student që ka qenë gjithmonë i shkëlqyer në shkollë, por kjo nuk e shndërron automatikisht atë në një problem të shëndetit mendor.
Në këtë këndvështrim, universiteti nuk duhet vetëm t’i mbrojë studentët nga presioni, por edhe t’i mësojë ata si ta përballojnë atë.
Sepse jashtë universitetit nuk ekziston gjithmonë mundësia e një semestri “pa pasoja”. Në punë ka vlerësime, konkurrencë, refuzime, gabime dhe dështime. Dhe një pjesë e pjekurisë është pikërisht aftësia për t’u përballur me to.
A duhet universiteti të zvogëlojë burimin e stresit, apo t’u japë studentëve mjetet psikologjike për ta përballuar atë?
Një notë e keqe mund të jetë një goditje për vetëbesimin. Por mund të jetë gjithashtu informacion: se studenti duhet të punojë më shumë, se metoda e tij nuk funksionon, se ka zgjedhur fushën e gabuar ose thjesht se, për herë të parë, është përballur me njerëz po aq të aftë sa ai.






