Historia e Noelia Castillo, 25-vjeçares nga Barcelona, është një nga ato rrëfime që përplasin dhimbjen personale me debatet më të mëdha ligjore dhe morale. Ajo ndërroi jetë të enjten në një qendër kujdesi në Sant Pere de Ribes, duke i dhënë fund një beteje të gjatë ligjore që kishte zgjatur më shumë se një vit e gjysmë, pasi vendosi t’i nënshtrohej eutanazisë në Spanjë.
Vendimi i saj u bë realitet pasi gjykatat spanjolle rrëzuan në mënyrë të përsëritur përpjekjet e babait të saj për të ndaluar procedurën. Para momentit final, që nisi rreth orës 18:30 sipas kohës lokale, Noelia kishte kërkuar të kalonte më shumë kohë me familjen, por kishte zgjedhur të ishte vetëm në dhomë gjatë procedurës, përveç mjekut që i administroi injeksionet. Ajo ndërroi jetë rreth 20 minuta pas dozës së parë.
Rasti i saj u kthye në një precedent, pasi ishte hera e parë që një çështje e tillë shqyrtohej nga një gjyqtar, edhe pse ligji spanjoll për eutanazinë ka hyrё në fuqi që nga viti 2021. Kërkesa e saj ishte miratuar fillimisht nga qeveria katalanase në korrik 2024, por u bllokua përkohësisht nga një seri apelimesh ligjore të nisura nga babai i saj, të mbështetura nga organizata Abogados Cristianos. Të gjitha këto tentativa dështuan, përfshirë edhe një përpjekje të fundit në Gjykatёn Evropiane tё të Drejtave të Njeriut.
Pas këtij vendimi që tronditi opinionin publik, qëndron një histori e rëndë personale. Që nga viti 2022, Noelia ishte e paralizuar dhe e detyruar të jetonte në një karrige me rrota, pas një ngjarjeje dramatike kur u hodh nga kati i pestë i një ndërtese. Ky akt erdhi pas një përdhunimi në grup në një klub nate dhe abuzimeve të mëparshme, të cilat ajo nuk i kishte raportuar menjëherë. Rënia i shkaktoi një dëmtim të rëndë të palcës kurrizore, duke e lënë tё paralizuar, me dhimbje të vazhdueshme neuropatike dhe probleme të rënda shëndetësore.

Në intervistat e saj, Noelia kishte folur hapur për vuajtjen që e kishte çuar në këtë vendim: ajo përshkruante një jetë pa dëshirë për të dalë, për të ngrënë apo për të fjetur, e shoqëruar nga dhimbje të forta fizike dhe emocionale. Pavarësisht kundërshtimit të familjes, ajo këmbëngulte se dhimbja e saj nuk mund të vihej në peshore me dëshirën e tyre për ta mbajtur gjallë.
“Dua të ndaloj së vuajturi”, ishte mesazhi i saj i drejtpërdrejtë, ndërsa kishte shprehur edhe dëshirën që momenti i fundit të ishte i qetë dhe dinjitoz, duke zgjedhur vetë mënyrën se si do të përgatitej për atë ditë.
Marrëdhënia me babanë ishte një tjetër plagë e hapur. Ai kishte luftuar në gjykata për të ndalur eutanazinë, ndërsa Noelia e akuzonte se nuk kishte respektuar kurrë vullnetin e saj dhe se lidhja mes tyre ishte ftohur deri në pikën e shkëputjes.
Para ngjarjes tragjike të vitit 2022, ajo kishte kaluar një fëmijëri të vështirë, me probleme familjare dhe periudha në kujdes institucional. Gjendja e saj shëndetësore përfshinte gjithashtu çrregullime të rënda psikologjike, si çrregullimi i personalitetit kufitar dhe çrregullimi obsesiv-kompulsiv me elemente paranoje, të cilat e kishin shtyrë më herët drejt tentativave për vetëdëmtim dhe mbidoza.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në vitin 2024 në Spanjë janë miratuar 426 kërkesa për vdekje të asistuar, por rasti i Noelias mbetet unik për shkak të përplasjes së fortë ligjore dhe familjare që e shoqëroi deri në fund. Një histori që, përtej statistikave, nxjerr në pah dilemat më të thella mbi jetën, dhimbjen dhe të drejtën për të zgjedhur fundin.
(Burimi: Daily Mail)






