Mbi 1,000 gra britanike investuan drejtpërdrejt në kompanitë që organizonin tregtinë e skllevërve afrikanë, duke blerë e shitur aksione dhe duke përdorur fitimet për të siguruar të ardhmen ekonomike të tyre dhe të familjeve. Zbulimi sfidon idenë e përhapur se gratë e bardha britanike ishin kryesisht përfituese pasive të sistemit dhe se roli i tyre historik lidhej më shumë me lëvizjen për heqjen e skllavërisë.
Të dhënat vijnë nga Regjistri i Tregtarëve Britanikë të Skllevërve, një projekt kërkimor që ka identifikuar rreth 1,100 investitore gra në Royal African Company, South Sea Company dhe sipërmarrje të tjera të përfshira në tregtinë transatlantike të njerëzve të skllavëruar. Studiuesit besojnë se numri real mund të ketë qenë edhe më i lartë.
Vetëm Royal African Company, një nga kompanitë kryesore të këtij sistemi, trafikoi rreth 150 mijë njerëz të skllavëruar. Në kohën kur kompania u shpërbë në vitin 1752, gratë përbënin rreth 10% të aksionerëve të saj.
Investitoret nuk ishin vetëm mbretëresha, princesha apo gra të aristokracisë. Dokumentet tregojnë një përfshirje shumë më të gjerë, nga fisniket dhe tregtaret deri te gratë që drejtonin dyqane apo vinin nga shtresa të tjera shoqërore. Disa prej tyre nuk dinin as të shkruanin emrin dhe firmosnin dokumentet financiare me një “X”.
Gratë nuk kufizoheshin vetëm te blerja e aksioneve. Studiuesit zbuluan se ato vepronin si ndërmjetëse, furnizonin kompanitë me mallra, jepnin hua, administronin prona dhe përdornin lidhjet familjare e shoqërore për të forcuar financat dhe ndikimin e kompanive të përfshira në tregtinë e skllevërve.
Një nga dokumentet tregon se investitorja Helen Gladman i kërkonte Royal African Company të transportonte një vajzë të re afrikane nga Sherbro Island, pranë Sierra Leones, drejt Anglisë për të shërbyer në shtëpinë e saj. Në dokumente të tjera, gra britanike diskutonin hapur fitimet që siguronin nga aksionet e lidhura me tregtinë afrikane.
Për shumë prej tyre, investimi ishte edhe një mënyrë për të siguruar pavarësi ekonomike, veçanërisht në një kohë kur të drejtat pronësore të grave ishin shumë të kufizuara. Nga 457 investitore për të cilat studiuesit arritën të përcaktonin gjendjen civile, pothuajse gjysma ishin të veja, mbi 42% të pamartuara dhe vetëm 7% të martuara.
Ligji anglez i kohës u lejonte grave të pamartuara dhe të veja të kontrollonin pronën e tyre dhe të vepronin juridikisht në emrin e tyre, ndërsa gratë e martuara kishin kufizime shumë më të mëdha. Pikërisht kapitali i këtyre grave u bë i rëndësishëm për Royal African Company gjatë periudhave të krizave financiare.
Dokumentet tregojnë gjithashtu se shumë prej investitoreve e kuptonin natyrën e sistemit nga i cili vinin fitimet. Disa të veja kërkonin në gjykatë pagesat që u takonin bashkëshortëve të vdekur sipas numrit të njerëzve të skllavëruar që ata kishin trafikuar.
Fitimet nga këto investime kalonin më pas nga një brez në tjetrin. Gratë ua linin aksionet vajzave dhe djemve, financonin të afërmit në vështirësi dhe, në disa raste, përdornin pasurinë për shkolla, kisha, organizata bamirësie dhe institucione që ekzistojnë ende sot.
Për studiuesen Lila O’Leary Chambers të Universitetit të Cambridge-it, dokumentet nxjerrin në pah një kontradiktë të fortë: gra britanike përdornin fitimet e skllavërisë për të mbrojtur ekonomikisht familjet e tyre, ndërkohë që burimi i këtyre fitimeve ishte shkatërrimi dhe ndarja e familjeve afrikane.
Hulumtimi ndryshon kështu një pjesë të tablosë tradicionale të skllavërisë britanike, duke treguar se gratë nuk shfaqen në historinë e saj vetëm në momentin e lëvizjes abolicioniste, por kishin qenë të përfshira financiarisht në këtë sistem shumë më herët.


Burimi: The Guardian






