Një turist gjerman ka humbur jetën në mënyrë tragjike gjatë pushimeve familjare në Egjipt, pasi u kafshua nga një gjarpër gjatë një shfaqjeje argëtuese në një hotel në Hurghada, një nga destinacionet më të njohura në Detin e Kuq.
Sipas policisë gjermane, burri 57-vjeçar po ndiqte një shfaqje me gjarpërinj në fillim të muajit prill, ku zvarranikët – që dyshohet se ishin kobra – po vendoseshin mbi qafat e pjesëmarrësve si pjesë e performancës.
Në një moment, “magjistari i gjarpërinjve” lejoi që një prej tyre të futej brenda pantallonave të turistit, duke e kafshuar më pas në këmbë. Autoritetet thanë se viktima shfaqi menjëherë “shenja të qarta helmimi”.
Ai u dërgua me urgjencë në spital pasi fillimisht iu dha ndihma e parë dhe iu bë reanimacion në vendngjarje, por fatkeqësisht ndërroi jetë më vonë.
Viktima, me origjinë nga distrikti Unterallgäu në Bavari, ndodhej në Egjipt së bashku me dy të afërm. Emri i tij nuk është bërë publik.
Autoritetet gjermane, në bashkëpunim me prokurorinë, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa priten edhe rezultatet e analizave toksikologjike për të konfirmuar natyrën e helmimit.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e shfaqjeve të tilla turistike, ku kontakti i drejtpërdrejtë me kafshë të rrezikshme shpesh përdoret si formë argëtimi.






