Vizita e Mbretit Charles III në Shtetet e Bashkuara duket se ka ndryshuar perceptimin e amerikanëve ndaj tij — të paktën përkohësisht.
Historikisht, Mbretit Charles III nuk ka qenë ndër figurat më të dashura të familjes mbretërore britanike në SHBA. Por këtë javë, ai arriti diçka të rrallë: të tërhiqte vëmendjen dhe simpatinë e një vendi thellësisht të ndarë politikisht.
Që nga momenti kur ai dhe Mbretëresha Camilla mbërritën në Shtëpinё e Bardhë, mediat amerikane lanë mënjanë lajmet e zakonshme politike për t’u fokusuar te ceremonia, simbolika dhe shkëlqimi që shoqëron monarkinë britanike.
Një pritje e rrallë në një Amerikë të ndarë
Në një klimë ku konsensusi është gjithnjë e më i rrallë, familja mbretërore arriti të krijojë një moment të përbashkët interesi. Vizita u zhvillua në një kohë tensionesh mes SHBA-së dhe Britanisë, për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me konfliktin në Iran, por kjo nuk pengoi një pritje të ngrohtë.
Fjalimi i mbretit në Kongres u prit me duartrokitje në këmbë, duke e bërë atë monarkun e dytë britanik që i drejtohet një seance të përbashkët të Kongresit.
Diplomaci me humor dhe mesazhe të nënkuptuara
Komentet e tij — që ndërthurnin historinë, humorin dhe thirrjet për unitet — u interpretuan nga disa si një kritikë e butë ndaj klimës politike amerikane dhe figurave si Donald Trump.
Vetë Trump, i njohur për admirimin ndaj monarkisë britanike, e priti me entuziazëm vizitën dhe mbajti një ton të pazakontë diplomatik, duke shmangur përplasjet politike dhe duke theksuar lidhjet historike mes dy vendeve.
Madje, me humor, ai pranoi:
“Ai i bëri demokratët të ngrihen në këmbë — unë nuk kam arritur kurrë ta bëj këtë.”
Magjepsja amerikane ndaj monarkisë
Sipas ekspertes së familjes mbretërore Elizabeth Holmes, interesi amerikan për monarkinë britanike buron nga një kombinim i “risisë dhe distancës” — diçka që nuk ekziston në sistemin politik amerikan.
Vizita ndikoi edhe në jetën e përditshme: në New York, biznese me temë britanike raportuan rritje të klientëve dhe interes të shtuar nga publiku.
Por jo të gjithë janë të bindur
Megjithatë, simpatia ndaj mbretit mbetet e përzier. Një sondazh i vitit 2024 tregonte se vetëm 42% e amerikanëve kishin një opinion pozitiv për të — dukshëm më pak se për Mbretëresha Elizabeth II apo Princeshën Diana.
Sipas analistëve, kjo lidhet me historinë e tij personale dhe marrëdhëniet komplekse familjare, përfshirë raportin me Princin Harry.
Megjithatë, tё dhënat nga Google Trends tregojnë një rritje të jashtëzakonshme të interesit — deri në 50 herë më shumë kërkime gjatë fjalimit në Kongres.
Në fund, kjo vizitë duket se ka bërë diçka të rrallë: ka zbutur ndarjet politike, të paktën për një moment, dhe ka rikthyer një ndjenjë kureshtjeje dhe admirimi për monarkinë britanike në SHBA.
(Burimi: BBC)





