Në Fletoren Zyrtare nr. 87, të datës 24 prill 2026, u publikua Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 278 për shpronësimin e disa pronave private në zonën e tunelit të Llogarasë “për interes publik”.
Ky vendim i qeverisё ёshtё njё tregues mё shumё se si trajtohet prona me ligj. Mjafton një tabelë për ta kuptuar.
Toka “arë” vlerësohet me 204 lekë për metër katror, ndërsa toka “kullotë” me 241 lekë. Pra, bari rezulton më i vlefshëm se prodhimi bujqësor. Një përmbysje që nuk shpjegohet, nuk argumentohet, por thjesht shpallet si fakt.
Metodologjia për vlerësimin e pronës ekziston dhe është e qartë: çmimi duhet të reflektojë tregun, kontratat, llojin dhe përdorimin e pasurisë. Megjithatë, në këtë vendim ajo mbetet diku në sfond, e padukshme. Nuk ka asnjë gjurmë se si është arritur në këto vlera, asnjë lidhje me realitetin e tregut. Në vend të arsyetimit, është thjesht tabela.
Edhe parimet që duhet të garantojnë drejtësinë e procesit – ligjshmëria, proporcionaliteti, transparenca – mbeten të shkruara diku tjetër, ndërsa këtu treten pa zhurmë. Kur një tokë bujqësore vlen më pak se një kullotë dhe askush nuk ndalet të shpjegojë pse, ajo që mbetet është një boshllëk që nuk mbushet me fjalë.
Si për ta thelluar më tej këtë boshllëk, përdoret si referencë një hartë vlerësimi e vitit 2016. Një dokument i një kohe tjetër, në një realitet ekonomik që ka ndryshuar ndjeshëm. Inflacioni, zhvillimi dhe tregu kanë ecur përpara, ndërsa çmimi i tokës mbetet i ngrirë në letër.
Por ajo që e bën gjithçka edhe më të rëndë është rendi i ngjarjeve. Tuneli është ndërtuar, është hapur, është bërë pjesë e përdorimit publik. Vetëm pas kësaj vjen shpronësimi. Shteti ndërton fillimisht dhe më pas kujtohet për pronën, duke e trajtuar kompensimin si një hap formal që duhet përmbushur në fund.
Nё gjithё kёto absurditete rresht, nuk ёshtё aspak habi qё mё pas edhe çmimi tё mos lidhet dot kurrё me tregun.
Kёshtu kuptohet edhe “interesi publik” tek ne. Qytetari pёrballё procedurave burokratike tё shtetit vjen i fundit, mundёsisht shkelet edhe me kёmbё.
Fletorja Zyrtare e Republikёs sё Shqipёrisё ёshtё bёrё si pasqyrё e pёrditshme e shkёputjes sё ligjit nga realiteti dhe VKM 278/2026, ёshtё vetёm shembulli i rradhёs sё kёsaj praktike qё na tregon se si nё Dukat, edhe njё herё mё shumё realiteti ёshtё shumё larg procedurёs dhe ligjit.
Në Shqipërinë e vitit 2026, “kullota” mund “arën”, ndërsa ligjshmëria mbetet aty ku shkruhet – në letër.


© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





