Një tjetër vendim nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vë në pikëpyetje mënyrën e zbatimit të vettingut në Shqipëri, duke i dhënë të drejtë ish-gjyqtarit Ervin Metalla dhe duke e cilësuar shkarkimin e tij si masë joproporcionale, në shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Metalla ishte shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe më pas nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit për shkak të problemeve në deklarimin e pasurisë dhe dyshimeve për transaksione financiare, përfshirë një kredi për blerje apartamenti dhe kalimin e pronës në emër të vëllait, si dhe përfaqësimin e një kompanie në Strasburg gjatë kohës që ushtronte funksionin e gjyqtarit.
Megjithatë, Strasburgu vlerëson se këto rrethana, edhe pse mund të ngrejnë pikëpyetje etike, nuk arrijnë nivelin për të justifikuar masën më ekstreme — përjashtimin përfundimtar nga sistemi. Sipas gjykatës, autoritetet shqiptare nuk kanë kryer një analizë të plotë dhe të balancuar, duke mos respektuar parimin e proporcionalitetit dhe duke i vendosur Metallës një barrë disproporcionale, sidomos për të provuar burimin e të ardhurave të familjarëve.
Si pasojë, shteti shqiptar është detyruar të kompensojë Metallën me 20,400 euro për dëme materiale, 6,000 euro për dëme jomateriale dhe 6,000 euro për shpenzime gjyqësore. Vendimi hap gjithashtu rrugën për rishqyrtimin e çështjes dhe rikthimin e tij në sistemin e drejtësisë.
Ky nuk është një rast i izoluar. Më herët, Antoneta Sevdari fitoi në Strasburg pasi u shkarkua nga vettingu, duke u rikthyer më pas në detyrë dhe duke vijuar karrierën në Prokuroria e Përgjithshme. Vendimi “Metalla” ndjek të njëjtën linjë: masa ekstreme rrëzohet për mungesë proporcionaliteti dhe analizë të plotë.
Sipas rregullave të Strasburgut, vendimi merr formë të prerë pas tre muajsh. Kjo do të thotë se Metalla pritet të rikthehet në togën e tij në Gjykatën e Apelit në vjeshtën e këtij viti, duke lënë pas profesionin e avokatit dhe duke u rikthyer në sistemin gjyqësor.
Vendimi i Strasburgut edhe kёtё herё i pёrcjell Shqipёrisё tё njёjtin mesazh: vettingu nuk vihet në diskutim si proces, por mënyra e zbatimit të tij mbetet nën kontrollin e standardeve europiane, ku proporcionaliteti dhe të drejtat themelore nuk mund të anashkalohen.










