Një nga përplasjet më të zhurmshme ligjore në Hollywood është mbyllur pa gjyq. Blake Lively dhe Justin Baldoni kanë arritur marrëveshje për padinë që shpërtheu pas xhirimeve të filmit It Ends With Us, vetëm dy javë përpara se të përballeshin në sallën e gjyqit.
Çështja nisi në vitin 2024, kur Lively akuzoi Baldonin për ngacmim seksual, sjellje të papërshtatshme dhe një fushatë për të dëmtuar reputacionin e saj gjatë dhe pas xhirimeve. Baldoni i hodhi poshtë akuzat dhe reagoi me kundërpadi, duke e kthyer konfliktin në një betejë të ashpër ligjore që nxori në pah komunikime private, email-e dhe mesazhe mes figurave të njohura të industrisë.
Në qendër të akuzave ishte edhe pretendimi se Baldoni dhe studioja e tij, Wayfarer Studios, kishin orkestruar një strategji për të manipuluar opinionin publik përmes mediave dhe rrjeteve sociale. Nga ana tjetër, Baldoni akuzoi Lively-n, bashkëshortin e saj Ryan Reynolds dhe bashkëpunëtorët e tyre se kishin synuar të shkatërronin karrierën e tij.
Rrjedha e çështjes mori kthesë kur gjykata rrëzoi shumicën e akuzave kryesore nga të dyja palët, duke lënë në fuqi vetëm disa pretendime të kufizuara që pritej të shqyrtoheshin në një gjyq civil në Nju Jork më 18 maj. Pikërisht në këtë fazë, palët zgjodhën të tërhiqen dhe të mbyllin konfliktin përmes marrëveshjes.
Në një deklaratë të përbashkët, aktorët theksuan se filmi mbetet një “burim krenarie” dhe nënvizuan rëndësinë e krijimit të një ndikimi pozitiv, veçanërisht në ndërgjegjësimin për dhunën në familje — tema që trajton vetë filmi, bazuar në romanin bestseller të Colleen Hoover.
Marrëveshja synon t’i japë fund një përballjeje që kishte ekspozuar jo vetëm konfliktet personale, por edhe mënyrën se si funksionon prapaskena e industrisë së filmit — nga menaxhimi i imazhit publik te përdorimi i ndikimit mediatik.
Pa një vendim gjykate dhe pa dëshmi publike në sallë, një nga rastet më të komentuara të Hollywood-it mbyllet pa përgjigje të qarta — por duke lёnё pas njё shije tё hidhur mbi tensionet që fshihen pas kamerave.
(Burimi: BBC)






