Një dozë e vetme e psilocybin– përbërësi aktiv i të ashtuquajturave “kёrpudha magjike” – mund të shkaktojë ndryshime të matshme në strukturën e trurit, sipas një studimi të ri që po tërheq vëmendjen e komunitetit shkencor.
Studiuesit zbuluan se këto ndryshime anatomike ishin ende të pranishme një muaj pasi vullnetarët e shëndetshëm morën substancën për herë të parë. Rezultatet sugjerojnë se psilocybin mund të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën se si lidhen dhe funksionojnë rrjetet nervore – një zbulim që mund të shpjegojë efektet e tij të mundshme në trajtimin e ankthit, depresionit dhe varësive.
Studimi, i udhëhequr nga studiues në Imperial College London dhe University of California, San Francisco, përdori teknika të avancuara skanimi për të analizuar ndryshimet në trurin e 28 pjesëmarrësve që nuk kishin përdorur më parë substanca psikedelike.
Pas një faze fillestare me dozë minimale, vullnetarët morën 25 mg psilocybin – një dozë e mjaftueshme për të shkaktuar një përvojë të fortë psikedelike. Brenda një ore, aktiviteti cerebral tregoi një rritje të ndjeshme të “entropisë” – një tregues që lidhet me përpunimin më të larmishëm dhe fleksibël të informacionit.
Një muaj më vonë, skanimet treguan ndryshime në strukturën e disa rrugëve nervore në tru, duke sugjeruar se ato ishin bërë më të dendura ose më të forta. Këto lloj ndryshimesh zakonisht shihen në drejtim të kundërt gjatë plakjes apo në sëmundje si demenca.
Paralelisht, pjesëmarrësit raportuan përmirësim të ndjeshëm në mirëqenie, thellim të reflektimit psikologjik dhe rritje të fleksibilitetit në të menduar. Ata që përjetuan rritjen më të madhe të aktivitetit cerebral gjatë dozës, raportuan edhe përfitimet më të mëdha një muaj më pas.
Studiuesit e lidhin këtë efekt me atë që quhet “plasticiteti i trurit” – aftësia e tij për të riorganizuar lidhjet nervore. Studime të mëparshme te kafshët kanë sugjeruar se substancat psikedelike mund të “rindërtojnë” këto lidhje, por kjo është një nga provat e para që një fenomen i tillë mund të ndodhë edhe tek njerëzit.
Megjithatë, shkencëtarët paralajmërojnë se rezultatet janë ende paraprake. Studimi përfshin një numër të vogël pjesëmarrësish dhe teknikat e përdorura japin vetëm një pamje të pjesshme të ndryshimeve në tru.
Pavarësisht kësaj, gjetjet po ushqejnë një interes në rritje për përdorimin e kontrolluar të psikedelikëve në mjekësi, duke e zhvendosur debatin nga stigma drejt potencialit terapeutik.
Në një kohë kur trajtimet tradicionale për çrregullimet mendore shpesh hasin kufij, ideja që një përvojë e vetme mund të lërë gjurmë të qëndrueshme në tru po shihet si një nga zhvillimet më intriguese të viteve të fundit.
(Burimi: The Guardian)






