U nda nga jeta në moshën 87-vjeçare Ted Turner, njeriu që ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si bota konsumon lajmin dhe që e ktheu televizionin nga një dritare tё mbrëmjes, në një ekran të përhershëm të historisë që ndodh në kohë reale.
Themeluesi i CNN, pionieri i lajmeve 24 orë dhe një nga figurat më të fuqishme e kontraverse të medias moderne, vdiq i rrethuar nga familja e tij, sipas një njoftimi të Turner Enterprises.
I lindur në Cincinnati dhe i rritur në Atlanta, Turner nuk ishte thjesht një biznesmen. Ai ishte një karakter i rrallë amerikan: rebel, vizionar, provokues, filantrop dhe njeri që sfidonte vazhdimisht kufijtë e asaj që konsiderohej e mundur.
Në një kohë kur televizionet transmetonin lajme vetëm në edicionet e mbrëmjes, ai pati një ide që shumë e konsideruan çmenduri: një kanal që do të transmetonte lajme pa ndërprerje, 24 orë në ditë.
Më 1 qershor 1980, ai lançoi CNN-in, rrjetin e parë kabllor të dedikuar tërësisht lajmit. Në fillim u tall, u nënvlerësua dhe u quajt një aventurier që po hidhte para në erë. Por vetëm pak vite më vonë, gjatë luftës së Gjirit dhe ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare, bota kuptoi se lajmi nuk do të ishte më kurrë si më parë.
Falë Turner-it, miliona njerëz nisën të jetonin historinë në kohë reale.
Ai ndërtoi një perandori mediatike që nuk përfshinte vetëm CNN-in, por edhe kanale filmash, platforma argëtimi dhe rrjete vizatimore, ndërsa zotëronte edhe ekipe sportive të njohura si Atlanta Braves.
Por Turner nuk mbeti vetëm në biznes.
Ai u bë një nga filantropët më të mëdhenj amerikanë, themeloi Fondacionin e Kombeve të Bashkuara, financoi kauza për çarmatimin bërthamor dhe mbrojtjen e mjedisit, ndërsa investoi miliona dollarë për rikthimin e bizonëve në perëndimin amerikan.
Madje krijoi edhe personazhin vizatimor Captain Planet and the Planeteers, me idenë për t’u mësuar fëmijëve mbrojtjen e planetit dhe ndërgjegjësimin mjedisor.
Për shumë gazetarë në botë, Turner mbetet njeriu që ndryshoi vetë ADN-në e medias.
“Nëse sot ekziston ideja e lajmit të drejtpërdrejtë global, ajo ekziston sepse Ted Turner e pa botën përpara të tjerëve”, shkruante revista Time kur e shpalli “Njeriun e Vitit” në vitin 1991.
Edhe pasi ia shiti rrjetet e tij kompanisë Time Warner dhe u tërhoq gradualisht nga biznesi, Turner vazhdoi ta quante CNN-in “arritjen më të madhe” të jetës së tij.
Në vitin 2018, ai zbuloi publikisht se vuante nga demenca, një sëmundje progresive neurologjike. Në fillim të vitit 2025 ai u shtrua në spital për pneumoni, por më pas u rikuperua në një qendër rehabilitimi.
Pas tij mbeten 5 fëmijë, 14 nipër e mbesa dhe 2 stërnipër.
Por trashëgimia më e madhe e Ted Turner nuk është vetëm një televizion.
Është ideja se bota mund të lidhet në të njëjtin moment përmes informacionit — dhe se historia, nga ai moment e tutje, nuk do të priste më edicionin e orës 20:00.






