Pentagoni publikoi të premten atë që e cilësoi si dosjen e parë me materiale “kurrë të publikuara më parë” mbi UFO-t, ose siç i quan tashmë zyrtarisht Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, “fenomene anormale të paidentifikuara” (UAP).
Publikimi përfshin video të paqarta, fotografi termike dhe imazhe të turbullta radarësh, të cilat sipas vetë Pentagonit nuk japin ende asnjë provë definitive për ekzistencën e jetës jashtëtokësore, por që synojnë të hapin gradualisht arkivat më të debatuara të ushtrisë amerikane.
Materialet e para të publikuara tregojnë pika të ndritshme në qiell, objekte me forma të çuditshme dhe lëvizje që nuk shpjegohen qartë. Në disa pamje duken vetëm grupe pikash të bardha në ekran, ndërsa në të tjera objekte të errëta që lëvizin në mënyrë të pazakontë.
Pentagoni deklaroi se dokumentet do të publikohen “në mënyrë të vazhdueshme” në një platformë të dedikuar online, duke e paraqitur këtë si një hap historik drejt transparencës.
“Nuk ka pasur kurrë më parë një administratë që të ketë çuar përpara këtë nivel transparence për UAP-t”, thuhej në deklaratën zyrtare të Departamentit të Mbrojtjes.
Presidenti Donald Trump e shfrytëzoi menjëherë publikimin për të forcuar narrativën e tij politike, duke deklaruar në rrjetet sociale se amerikanët tashmë “mund të vendosin vetë se çfarë dreqin po ndodh”.
“Administratat e mëparshme e fshehën të vërtetën. Tani populli amerikan do të shohë vetë dokumentet dhe videot”, shkroi Trump.
Publikimi rikthen në qendër një nga temat më të errëta dhe më të komentuara të dekadave të fundit në SHBA. Në vitin 2017, The New York Times zbuloi ekzistencën e një programi sekret të Pentagonit që prej vitit 2007 hetonte raportime për objekte fluturuese të paidentifikuara.
Që prej asaj kohe, presioni ndaj qeverisë amerikane për të deklasifikuar dosjet është rritur vazhdimisht, sidomos nga kongresmenë, ish-ushtarakë dhe figura të komunitetit të inteligjencës.
Megjithatë, publikimi i fundit ka prodhuar edhe skepticizëm të fortë. Ish-kongresmenia republikane Marjorie Taylor Greene e quajti publikimin “propagandë me objekte vezulluese”, duke akuzuar administratën se po përdor UFO-t për të larguar vëmendjen nga luftërat dhe krizat ndërkombëtare.
“Nëse nuk nxjerrin alienë të gjallë ose nuk pranojnë realisht çfarë po ndodh, kam gjëra më të rëndësishme për të bërë këtë të premte”, shkroi ajo.
Për momentin, dosjet nuk japin përgjigje të qarta. Por vetëm fakti që Pentagoni po pranon publikisht ekzistencën e materialeve të tilla dhe po i hap gradualisht për publikun, po konsiderohet si një ndryshim i madh krahasuar me dekadat e heshtjes, mohimeve dhe teorive konspirative që kanë rrethuar UFO-t në Amerikë.
(Burimi: NYT)





