Ndërsa shteti italian e dekoron me një nga titujt më prestigjiozë për kontribut në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe sigurinë, në Shqipëri emri i Gentian Ndoit kujtohet ndryshe: si oficeri që doli i pari në garën për drejtimin e BKH-së, por që nuk u emërua kurrë dhe më pas u transferua nga strukturat qendrore të policisë.
Zv.drejtori i Policisë së Dibrës është vlerësuar nga Italia me titullin “Cavaliere dell’Ordine della Stella d’Italia”, një dekoratë shtetërore që u jepet figurave me kontribute të veçanta në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Vlerësimi vjen në një kohë kur karriera e tij në Shqipëri mori një tjetër drejtim pas procesit për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Gentian Ndoi rezultoi kandidati më i vlerësuar në konkursin për drejtimin e BKH-së, duke u renditur i pari në garë. Por, megjithëse kryesonte listën, ai nuk u emërua në krye të strukturës elitë të hetimit pranë SPAK-ut.
Pasi nuk u zgjodh në krye të BKH-së dhe e dërgoi cështjen në gjykatë, Ndoi u transferua në Dibër.
Sot, ndërsa Italia e promovon dhe e nderon publikisht për profesionalizmin dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, kontrasti me mënyrën sesi u trajtua në Shqipëri bëhet edhe më i fortë.
Dekorata italiane nuk është thjesht një vlerësim personal për Gentian Ndoin, por edhe një sinjal se figura të caktuara të policisë shqiptare marrin më shumë besim dhe vlerësim jashtë vendit sesa brenda institucioneve të tyre.
Deri tani, Policia e Shtetit nuk ka bërë asnjë reagim publik për këtë dekorim.

(Burimi: EPOST)






