Qyteti argjentinas Ushuaia, i njohur në të gjithë botën si “Fundi i Botës”, po përballet me një valë dyshimesh dhe frike pasi emri i tij u lidh me shpërthimin vdekjeprurës të hantavirusit në anijen turistike holandeze MV Hondius.
Anija, e cila ndodhet tashmë në Tenerife të Spanjës ku pasagjerët po evakuohen dhe po kthehen në vendet e tyre, kishte nisur udhëtimin më 1 prill pikërisht nga Ushuaia, qyteti më jugor i Argjentinës dhe porta kryesore turistike drejt Antarktidës dhe Patagonisë.
Dyshimet u shtuan pasi disa zyrtarë argjentinas, duke folur në mënyrë anonime për mediat, ngritën teorinë se një nga pasagjerët mund të jetë infektuar në një vendgrumbullim mbeturinash në periferi të Ushuaias, zonë që frekuentohet nga turistët për vëzhgimin e zogjve dhe ku mbeturinat tërheqin minj e brejtës.
Por autoritetet lokale e kanë mohuar me forcë këtë skenar.
“Në Tierra del Fuego nuk kemi pasur asnjë rast hantavirusi në historinë tonë”, deklaroi Juan Facundo Petrina, drejtori i Epidemiologjisë dhe Shëndetit Mjedisor të provincës.

Ai theksoi se zona nuk ka as llojin e miut me bisht të gjatë që transmeton virusin dhe as kushtet klimatike që favorizojnë përhapjen e tij.
“Ne jemi një ishull. Për të mbërritur këtu, brejtësit do të duhej të kalonin Ngushticën e Magelanit”, tha ai, duke argumentuar se kjo e bën teorinë edhe më pak të besueshme.
Megjithatë, qeveria argjentinase ka vendosur të dërgojë ekspertë në zonë për të verifikuar nëse ekziston ndonjë gjurmë e virusit apo e brejtësve që e transmetojnë atë.
Sipas BBC, ekipet do të kryejnë kapje dhe analiza të minjve në zonën e deponisë, por deri tani hetuesit ende nuk kanë mbërritur në terren.
Ndërkohë, epidemiologët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike dhe zhvendosja e ekosistemeve mund të kenë ndryshuar edhe hartën tradicionale të përhapjes së virusit.
Eksperti Eduardo López deklaroi se speciet e brejtësve që transmetojnë hantavirusin po shfaqen në zona ku më parë nuk ekzistonin.
Autoritetet shëndetësore dyshojnë se “pacienti zero” mund të ketë qenë një nga turistët holandezë në bord, pjesë e çiftit që u infektua dhe humbi jetën gjatë shpërthimit në MV Hondius.
Por deri tani, Ministria e Shëndetësisë e Argjentinës nuk ka dalë me një përfundim zyrtar mbi origjinën e infeksionit.
“Ne nuk mund ta përjashtojmë plotësisht Tierra del Fuego-n, por ekziston një fakt i rëndësishëm: që kur hantavirusi u bë sëmundje e detyrueshme për raportim, në këtë provincë nuk është regjistruar asnjë rast”, deklaroi ministria.
Ndërkohë, emri i Ushuaias — qyteti që prej vitesh shitet si një parajsë e egër turistike në fund të botës — po përmendet tashmë në lajmet globale jo për akullnajat dhe peizazhet e saj, por për një virus që ka alarmuar autoritetet shëndetësore në disa kontinente.

(Burimi: BBC)






