Kur Edi Rama prezantoi në shtator 2025 “Diellën” si ministren e parë në botë të Inteligjencës Artificiale, Shqipëria u shfaq në titujt e mediave ndërkombëtare si një vend që po hynte në epokën e “AI governance”. Një avatar me veshje tradicionale shqiptare, i ndërtuar mbi Microsoft Azure dhe OpenAI, u prezantua si arma e re kundër korrupsionit në tenderat publikë.
Por sipas një investigimi të publikuar nga eksperti amerikan i sigurisë kibernetike Patrick Quirk, pas gjithë propagandës teknologjike fshihet një realitet shumë më banal: “Diella” rezulton thjesht një fasadë grafike pa tru artificial pas saj.
Në analizën e tij të publikuar më 13 maj 2026, Quirk pretendon se sistemi i “Diellës” nuk ka as backend funksional, as lidhje reale me modele të inteligjencës artificiale dhe as ndonjë infrastrukturë operative që justifikon prezantimin e saj si “ministre AI”.
“Diella është një frontend Vue.js pa backend. Një avatar pa tru”, shkruan ai.
Sipas investigimit, eksperti fillimisht nisi të analizonte infrastrukturën teknologjike të “Diellës” për të kuptuar nëse pas projektit ekzistonte një sistem real inteligjence artificiale apo vetëm marketing politik.
Ai pretendon se pasi analizoi paketat JavaScript të platformës, nuk gjeti asnjë endpoint aktiv API, asnjë lidhje me OpenAI, Azure Cognitive Services apo ndonjë shërbim AI/ML.
Madje, domeni që sipas tij dukej më logjik për backend-in e “Diellës”, rezultonte vetëm një faqe standarde bosh e Azure App Service.
Por investigimi nuk ndaloi te “Diella”.
Gjatë analizimit të infrastrukturës së institucioneve shqiptare, Quirk pretendon se zbuloi një API të hapur të Parlamentit shqiptar, e aksesueshme pa autentikim dhe pa masa sigurie.
Sipas tij, nga sistemi i Parlamentit mund të shkarkoheshin lirshëm:
- të dhënat e deputetëve;
- dokumente parlamentare;
- procesverbale;
- regjistra lobimi;
- lista pagash;
- kërkesa për informacion;
- dokumente financiare dhe materiale të tjera zyrtare.
Eksperti pretendon se arriti të shkarkojë mbi 57 mijë dokumente dhe rreth 32 GB të dhëna nga serverat e Parlamentit shqiptar, duke përfshirë edhe paga mujore të deputetëve nga viti 2018 deri në 2026.
Në investigim përmendet edhe një tjetër platformë e lidhur me Parlamentin shqiptar, ku sipas Quirk ekzistonte një sistem arkivimi dokumentesh me funksione të papërfunduara të inteligjencës artificiale dhe “vector search”, por me shumicën e funksioneve të lëna në status “PENDING”.
Ai e përshkruan gjithë projektin si një shembull të qeverive që “shesin inteligjencë artificiale si propagandë”, pa ndërtuar më parë bazat reale të sigurisë dixhitale.
“Përpara se të shpallësh 83 asistentë AI për Parlamentin, duhet të dish të vendosësh një API key në sistem”, shkruan Quirk në analizën e tij.
Investigimi rikthen në vëmendje edhe skandalet e mëparshme të rrjedhjes së të dhënave në Shqipëri, përfshirë publikimin e pagave të qytetarëve shqiptarë, sulmin “iranian” ndaj AKSHI-t dhe arrestimin e drejtuesve të këtij institucioni për çështje korrupsioni që lidhen me tenderat publikë.
“Irani sulmoi AKSHI-n. AKSHI ndërtoi një AI kundër korrupsionit. Drejtuesit e AKSHI-t u arrestuan për korrupsion. Ndërsa vetë AI rezultoi pa backend”, përfundon eksperti.
(Burimi: Përshtatur nga investigimi “The AI Minister’s Blind Spot: How Albania’s Anti-Corruption Bot Can’t See Its Own Parliament’s Open API”, publikuar nga Patrick Quirk më 13 maj 2026.)






