Ka nisur të ndodhë kudo.
Hap një email pune dhe lexon të njëjtën gjuhë.
Hap një njoftim zyrtar dhe gjen të njëjtat fjali të lëmuara.
Lexon postimet e politikanëve, gazetarëve, personazheve publikë dhe duket sikur të gjithë po flasin me të njëjtën gojë.
Një uniformitet robotik.
Komente robotike.
Disertacione robotike.
Dashuri robotike.
Madje edhe debatet tashmë duken të sterilizuara. Të gjitha të sakta, të kuruara, të pastra… dhe çuditërisht pa shpirt.
ChatGPT dhe chatbotët e tjerë hynë fillimisht si mjete ndihmëse. Për të kursyer kohë. Për të sistemuar mendimet. Për të ndihmuar njerëzit të shkruajnë më mirë. Por dalëngadalë, kufiri mes “ndihmës” dhe “zëvendësimit” ka nisur të humbasë.
Sot nuk përdoret më vetëm për punë teknike. Ka hyrë në shkollë, në politikë, në akademi, në media, në rrjetet sociale, deri edhe në komunikimin e përditshëm mes njerëzve.
Një student dorëzon një detyrë që nuk e ka menduar vetë.
Një politikan mban një status që nuk e ka shkruar vetë.
Një gazetar publikon një analizë që nuk e ka ndërtuar vetë.
Një djalosh shkruan një mesazh dashurie që nuk e ka ndjerë plotësisht vetë.
Dhe dalëngadalë po humbet diçka shumë më e madhe sesa thjesht mënyra si shkruajmë: po humbet mënyra si mendojmë dhe ndёrveprojmё.
Chatboti nuk të lodh. Nuk të lë pa fjalë. Nuk të përball me boshllëkun që të detyron të reflektosh. Ai ta jep menjëherë përgjigjen, formulimin, mendimin, emocionin e gatshëm.
Në dukje na afron me njëri-tjetrin. Në të vërtetë, po na largon nga vetja.
Sot ka një diferencë shumë të dukshme mes të shkruarit dhe personit që kemi përballë. Mjafton të lexosh postimet perfekte të njerëzve publikë në rrjete sociale dhe më pas t’i dëgjosh kur flasin spontanisht.
Lexoni, për shembull, postimet e Zegjinesë në Facebook dhe më pas dëgjojeni kur ngrihet zgubthi e flet nga karrigia e Parlamentit. Është fiks një njeri që shfaqet ndryshe kur e lexon nga ekrani dhe krejt tjetër në jetën reale. Si një grua që ndryshon nga makijazhi i bërë për një event “prime time” me përditshmërinë e jetës në fshat.
Dhe kjo nuk ndodh vetëm në politikë.
Po ndodh në universitete, ku studentët me pedagogёt bashkё po humbasin aftësinë për të shkruar vetë. Po ndodh në media, ku artikujt po ngjajnë gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin. Po ndodh në komunikimin publik, ku çdo gjë tingëllon “e saktë”, por jo domosdoshmërisht njerëzore.
Në botë tashmë po flitet edhe për pasoja më të rënda: izolim emocional, varësi psikologjike, njerëz që krijojnë lidhje virtuale me inteligjencën artificiale dhe shkëputen nga realiteti. Kemi lexuar histori ekstreme, deri edhe për njerëz që kanë vrarë veten pas zhytjes në këtë realitet artificial.
Por ndoshta forma më e heshtur e dëmit nuk është ajo dramatike. Është vrasja e përditshme e komunikimit njerëzor. Vrasja e mendimit origjinal. Vrasja e akademizmit. Vrasja e mundimit për të gjetur vetë fjalën e duhur.
Inteligjenca artificiale nuk është armik. Është mjet. Si çdo mjet tjetër, mund të ndihmojë ose mund të dëmtojë, në varësi të kujt e përdor dhe si e përdor.
Problemi nis kur njeriu pushon së menduari vetë dhe ia dorëzon chatbotit jo vetëm tekstin… por edhe reflektimin, emocionin, identitetin dhe mënyrën si komunikon me botën.
ChatGPT duhet mësuar si të përdoret, kur të përdoret dhe nga kush të përdoret. Jo për t’u bërë të varur prej tij, por për ta përdorur me sens njerëzor, pa i besuar verbërisht.
Në momentin që gjithçka fillon të tingëllojë njësoj, rrezikojmë të humbasim pikërisht atë që na dallon si njerëz: mënyrën unike si mendojmë, si gabojmë, si ndjejmë dhe si shprehemi.
P.S. Edhe ky artikull është “virusuar” nga ChatGPT. Sepse mesazhin kundër varësisë nga chatbotët nuk arritёm ta përcillnim dot vizualisht pa ndihmën e tij… edhe nga ne, që përmes këtij shkrimi deshëm të shëronim sadopak këtë epidemi të heshtur.
© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






