Suedia po e kthen fertilizimin in vitro (IVF) në një nga temat kryesore të fushatës elektorale, ndërsa vendi përballet me nivelin më të ulët të lindshmërisë në historinë moderne. Kryeministri suedez Ulf Kristersson ka premtuar zgjerimin e financimit shtetëror për IVF, duke deklaruar se shumë çifte nuk po arrijnë të kenë fëmijët që dëshirojnë.
Qeveria suedeze ka dyfishuar tashmë numrin e tentativave falas për çiftet që kërkojnë fëmijën e parë – nga tre në gjashtë – ndërsa tani propozon që shteti të mbulojë edhe procedurat për çiftet që duan një fëmijë të dytë ose më shumë. Një tentativë IVF në Suedi kushton rreth 50 mijë korona suedeze, ose afërsisht 4 mijë euro.
Debati është ndezur pasi norma e lindshmërisë në Suedi ra në 1.42 fëmijë për grua gjatë vitit të kaluar, niveli më i ulët që nga viti 1749, kur nisën regjistrimet zyrtare. Autoritetet paralajmërojnë se nëse trendi vazhdon, çdo brez i ri mund të jetë rreth një e treta më i vogël se brezi i prindërve të tyre.
Ministrja suedeze e Shëndetësisë, Elisabet Lann, deklaroi se një në gjashtë çifte në Suedi përballet me infertilitet dhe se kjo ndikon jo vetëm në jetën familjare, por edhe në shëndetin mendor dhe cilësinë e jetës. Sipas saj, zgjerimi i IVF synon t’u japë më shumë njerëzve mundësinë për të krijuar familje.
Megjithatë, ekspertët mbeten skeptikë nëse vetëm IVF mund të përmbysë krizën demografike. Sociologët suedezë argumentojnë se rënia e lindjeve lidhet edhe me ndryshimet kulturore dhe stilin modern të jetesës, ku karriera, vetërealizimi dhe mënyra individuale e jetesës po konkurrojnë gjithnjë e më shumë me idenë tradicionale të krijimit të familjes.





