Presidenti Bajram Begaj është shfaqur në Arabinë Saudite në kuadër të pelegrinazhit të Haxhit, i pritur me ceremoni zyrtare nga autoritetet saudite dhe i veshur me petkun karakteristik të ritualit islam.
Pamjet dhe mënyra si është prezantuar vizita janё shqetёsuese pёr rendin tonё kushtetues, jo për besimin personal të Presidentit, por për mënyrën si po përdoret funksioni i Kreut të Shtetit në një aktivitet fetar individual.
Haxhi nuk është aktivitet diplomatik apo shtetëror. Është një ritual fetar i Islamit, një nga pesë shtyllat themelore të besimit mysliman, që kryhet nga besimtarët praktikues në Mekë.
Bajram Begaj, si qytetar dhe individ, ka çdo të drejtë të praktikojë fenë që dëshiron. Kjo garantohet nga Kushtetuta dhe askush nuk mund ta vërë në diskutim.
Por në Arabinë Saudite, sipas fotove tё shpёrndarё nё media vendase dhe ndёrkombёtare, nuk shkoi thjesht “Bajram Begaj”.
Shkoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë, i pritur me protokoll shtetëror dhe i paraqitur publikisht me statusin institucional të Kreut të Shtetit.

Neni 86 i Kushtetutёs shqiptare përcakton se Presidenti “përfaqëson unitetin e popullit”.
Ndërsa neni 10 i Kushtetutës thotë qartë se në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare dhe se shteti është asnjanës në çështjet e besimit.
Kjo do të thotë se Presidenti duhet të qëndrojë mbi përkatësitë fetare kur paraqitet si Kryetar Shteti.
Në momentin që pjesëmarrja në një ritual fetar shoqërohet me protokoll presidencial, pritje zyrtare dhe ekspozim publik institucional, kufiri mes besimit personal dhe përfaqësimit shtetëror nuk ёshtё mё i dukshёm.
Nëse Bajram Begaj do të kishte shkuar privatisht, pa axhendë presidenciale dhe pa u paraqitur si Kreu i Shtetit shqiptar, vizita do të mbetej një zgjedhje personale besimi.
Por pamjet nga Arabia Saudite tregojnë diçka tjetër: Presidentin e Republikës në një ritual fetar, nën simbolikën e postit që do tё duhet tё përfaqësonte të gjithë shqiptarët, pa dallim feje apo bindjeje.
Nё asnjё mёnyrё debati nuk lidhet me Islamin, Haxhin apo besimin e Bajram Begajt.
Debati lidhet me kufirin që duhet të ndajë shtetin nga feja, sidomos kur në emër të shtetit del vetë Presidenti i Republikës.

© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






