Këngëtarja kolumbiane Shakira i dha tonin spektaklit të hapjes së Kupës së Botës 2026, në një mbrëmje që kombinoi muzikën, futbollin, emocionet dhe tensionet, ndërsa Meksika e nisi turneun me një fitore bindëse 2-0 ndaj Afrikës së Jugut në stadiumin legjendar Azteca të Mexico City.

Botërori më i madh në histori, me 48 skuadra pjesëmarrëse dhe i organizuar për herë të parë nga tre vende – Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika – nisi me një ceremoni madhështore ku Shakira dhe reperi nigerian Burna Boy interpretuan himnin zyrtar të turneut “Dai Dai” (“Le të ecim përpara”), të shoqëruar nga qindra valltarë, fishekzjarre dhe një trofe gjigant i Kupës së Botës në qendër të stadiumit.
Shakira, e veshur me ngjyrat verdhë e bardhë të Kolumbisë, rikthehej në skenën e Botërorit 16 vjet pas suksesit të famshëm “Waka Waka”, himnit të Kupës së Botës 2010 në Afrikën e Jugut. Performanca e saj elektrizoi tifozët dhe ndezi atmosferën përpara ndeshjes hapëse.

Ceremonia përfshiu gjithashtu interpretime nga sopranoja koreano-amerikane Ejae, tenori italian Andrea Bocelli, këngëtarja meksikane Lila Downs, grupi legjendar Maná, si dhe yjet latinë Belinda, J Balvin dhe Ryan Castro. Aktorja hollivudiane Salma Hayek, në rolin e ambasadores së Botërorit, shpalli zyrtarisht hapjen e turneut.
Megjithatë, ndërsa festa zhvillohej brenda stadiumit, jashtë tij shpërthyen përplasje mes policisë dhe protestuesve. Një grup nënash që kërkonin veprime për gjetjen e familjarëve të zhdukur, të cilët dyshohet se janë vrarë ose rekrutuar me forcë nga kartelët e drogës, tentuan të thyejnë perimetrin e sigurisë. Situata degjeneroi në përleshje, ku pati të plagosur dhe një efektive policie pësoi dëmtime në kokë.

Brenda stadiumit, atmosfera ishte krejt ndryshe. Meksika dominoi Afrikën e Jugut dhe fitoi 2-0 në një sfidë të tensionuar që prodhoi tre kartonë të kuq.
Julian Quiñones kaloi vendasit në avantazh që në pjesën e parë, duke ndezur festën në tribunat e mbushura me tifozë meksikanë. Në pjesën e dytë, Afrika e Jugut mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të mesfushorit Yaya Sithole. Situata u përkeqësua edhe më shumë kur zëvendësuesi Thembe Zwane u ndëshkua gjithashtu me karton të kuq në minutat e fundit.

Raúl Jiménez, i cili vetëm pak ditë më parë ishte larguar nga klubi anglez Fulham, vulosi fitoren me golin e dytë dhe të parin e tij ndonjëherë në një Kupë Bote. Edhe Meksika e mbylli takimin me dhjetë lojtarë, pasi mbrojtësi Cesar Montes u përjashtua në kohën shtesë.
Botërori 2026 do të zgjasë deri më 19 korrik, kur finalja do të luhet në stadiumin MetLife në New Jersey. FIFA pret që mbi pesë milionë tifozë të ndjekin ndeshjet në stadiume, ndërsa rreth gjashtë miliardë njerëz pritet t’i ndjekin ato në televizion dhe platformat dixhitale.

Burimi: The Sun






