Për 21 ditë me radhë është thënë se protesta do të shuhet. Është thënë se njerëzit do të lodhen. Është thënë se vera, plazhi, ndeshjet, koncertet dhe jeta e përditshme do ta shpërndajnë turmën.
Mbrëmë ndodhi e kundërta.
Qindra të rinj, familje, pensionistë dhe qytetarë të zakonshëm mbushën sërish bulevardin përballë Kryeministrisë. Nuk erdhën me autobusa partie. Nuk erdhën me lista emrash. Nuk erdhën për një vend pune apo për një premtim elektoral.
Erdhën sepse pas tre javësh protestë vazhdojnë të besojnë se prona publike, bregdeti dhe pasuritë e përbashkëta nuk mund të trajtohen si mall privat.
Ndryshe nga protestat klasike shqiptare, ku zemërimi shpërthen dhe shuhet shpejt, kjo protestë po merr një formë tjetër. Ajo po ngjan më shumë me një revoltë qytetare që refuzon të largohet.
Pamjet e mbrëmshme e tregonin qartë këtë ndryshim.
Sheshi nuk kishte fytyrën e zakonshme të tensionit politik. Kishte fytyrën e një populli që po refuzon të bindet. Flamujt kuqezi valëviteshin mbi turmë, të rinjtë mbushnin shkallët, bulevardin dhe hapësirat përreth, ndërsa shumë prej tyre zgjodhën të qëndronin në shesh.
Në një kohë kur qeveria vazhdon të minimizojë protestën dhe Kryeministri Edi Rama flet për algoritme, rrjete sociale dhe “treg emocionesh”, realiteti jashtë zyrave të pushtetit po duket krejt ndryshe.
Algoritmi mund të shpërndajë një video, por nuk mund të nxjerrë njerëzit nga shtëpia për 21 ditë me radhë. As nuk mund t’i mbajë në këmbë deri në mesnatë e t’i bëjë të kthehen përsëri të nesërmen. Këtë e bën vetëm bindja se duhet ndryshim.
Protesta po vazhdon…
Në mbrëmjen e 21-të, përballë Kryeministrisë nuk u pa një turmë e lodhur. U pa një turmë që po mëson të qëndrojë e të mos largohet, duke i dërguar Ramës një mesazh gjithnjë e më të qartë.
Kjo protestë vërtet nuk ka gjetur një lider. Por lumi i qytetarëve që ka vërshuar në shesh tregon se ata kanë humbur besimin te ai që drejton.
Kjo mbase është arsyeja pse pas 21 ditësh protesta nuk po ngjan më me një reagim të përkohshëm, por ngjan me revoltën festive të një populli që nuk të do më.







