Më 23 qershor 2016, britanikët votuan për t’u larguar nga Bashkimi Europian. Ishte një referendum që premtonte rikthimin e kontrollit mbi kufijtë, ligjet dhe ekonominë e vendit. Dhjetë vjet më vonë, debati nuk është më nëse Brexit ndodhi, por nëse Britania mori atë që iu premtua.
Një dekadë pas votimit historik, vendi duket më i përçarë se kurrë mbi bilancin e largimit nga BE-ja. Ekonomia britanike ka vazhduar të rritet, por me ritme të ngadalta. Tregtia me Europën është tkurrur, kostot e biznesit janë rritur dhe shumë kompani ankohen për burokracinë e re që nuk ekzistonte para Brexit.
Qendra për Reformën Europiane vlerëson se eksportet britanike drejt BE-së kanë rënë me rreth 12%, ndërsa importet me afro 16%. Në anën tjetër, mbështetësit e Brexit argumentojnë se Britania ka rifituar sovranitetin e saj, kontrollin mbi emigracionin dhe aftësinë për të nënshkruar marrëveshje të pavarura tregtare.
Por një statistikë është e vështirë të injorohet: sipas sondazheve më të fundit, 57% e britanikëve besojnë se largimi nga Bashkimi Europian ishte një gabim, ndërsa vetëm 30% mendojnë se ishte vendimi i duhur.
Nëse Brexit premtoi stabilitet politik, rezultati ka qenë krejt i kundërt.
Që nga referendumi i vitit 2016, Britania ka parë një rotacion të pazakontë kryeministrash:
- David Cameron dha dorëheqjen menjëherë pas humbjes së referendumit.
- Theresa May u largua pasi dështoi të kalonte marrëveshjen e Brexit.
- Boris Johnson ra mes skandaleve politike.
- Liz Truss mbijetoi vetëm 49 ditë në detyrë.
- Rishi Sunak humbi zgjedhjet.
- Tashmë edhe Keir Starmer njoftoi largimin e tij, duke hapur garën për liderin e ri të Partisë Laburiste.
Brexit nuk ka rrëzuar vetëm marrëdhënien e Britanisë me Europën. Ai ka rrëzuar njëri pas tjetrit edhe banorët e Downing Street.






