Manuel Adorni është përfshirë në një skandal korrupsioni, por ka mohuar çdo shkelje. Javier Milei e ka mbrojtur publikisht, duke deklaruar: “Manuel është i pafajshëm.”
Shefi i kabinetit të Presidentit argjentinas Javier Milei dhe një prej aleatëve të tij më të ngushtë, Manuel Adorni, njoftoi të shtunën dorëheqjen, pas një skandali korrupsioni që ka tronditur premtimin e qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe për të çrrënjosur abuzimet në administratën publike.
“Për herë të parë që nga 10 dhjetori 2023, po veproj në kundërshtim me dëshirën tuaj”, shkroi Adorni në letrën e dorëheqjes drejtuar Mileit, të cilën e publikoi në rrjetet sociale, duke iu referuar datës kur Milei mori detyrën si president.
“Faleminderit që më besuat gjithmonë dhe faleminderit që më qëndruat pranë gjatë këtij procesi të padrejtë, të dhimbshëm dhe rraskapitës për mua dhe familjen time.”
46-vjeçari është përfshirë në një skandal që lidhet me stilin e tij luksoz të jetesës, përfshirë pushime tepër të kushtueshme familjare dhe blerje pronash, vlera e të cilave tejkalon ndjeshëm të ardhurat e tij zyrtare.
Për javë të tëra, Adorni këmbënguli se nuk kishte kryer asnjë vepër penale. Megjithatë, përballë presionit në rritje, ai pranoi dy javë më parë se kishte fshehur 500 mijë dollarë kursime nga autoritetet tatimore.
Ai vijon të mohojë çdo shkelje, duke këmbëngulur se fondet në fjalë rridhnin nga kursime dhe investime të krijuara shumë vite përpara se të hynte në shërbimin publik.
Fushata antikorrupsion e Mileit vihet në pikëpyetje
Në vitin 2023, Adorni u shndërrua në fytyrën publike të fushatës antikorrupsion të Javier Mileit, në cilësinë e zëdhënësit presidencial. Tashmë, akuzat për korrupsion ndaj tij kanë goditur rëndë kredibilitetin e kësaj fushate të presidentit libertarian.
Hetuesit po shqyrtojnë dyshime për pasurim të paligjshëm, të lidhura me një mënyrë jetese dhe shpenzime të tepruara – pikërisht lloji i praktikave që Milei dhe vetë Adorni i kanë kritikuar vazhdimisht te opozita populiste e majtë në Argjentinë.
Megjithatë, Milei i ka ofruar Adornit mbështetje të palëkundur dhe e ka mbrojtur publikisht edhe pse skandali ka dëmtuar ndjeshëm imazhin e qeverisë së tij.
“Manuel është i pafajshëm”, deklaroi Milei për mediat lokale në Spanjë gjatë vizitës së tij javën e kaluar. “Unë u qëndroj pranë njerёzve të mi deri në fund.”
Burimi: DW






