Një postim i eurodeputetes gjermane Jutta Paulus ka nxjerrë në dritë një dokument që shkon shumë përtej një emaili të zakonshëm diplomatik. Bëhet fjalë për një komunikim zyrtar, të dërguar më 16 qershor 2026 nga deputetët socialistë Bora Muzhaqi dhe Taulant Balla drejt anëtarëve të Parlamentit Europian, vetëm pak para votimit të Raportit për Shqipërinë, ku u kërkohej në mënyrë të drejtpërdrejtë të mos mbështesnin amendamentet 4 dhe 17, ato që lidhen me projektin e shumëdebatuar të Zvërnecit.
Vetë Jutta Paulus vendosi ta publikojë emailin përpara opinionit publik europian dhe shqiptar, duke nxjerrё lakuriq mënyrën se si Partia Socialiste komunikon me partnerët ndërkombëtarë, duke u servirur atyre një realitet krejt tjetër nga ai që përjetohet çdo ditë në Shqipëri.
Mjafton të lexosh emailin për të kuptuar se nuk kemi të bëjmë thjesht me një sqarim teknik, por me një përpjekje të mirëorganizuar për të bindur eurodeputetët se kritikat ndaj projektit të Zvërnecit bazohen mbi “një fushatë dezinformimi”, ndërsa amendamentet duhej të rrëzoheshin sepse, sipas autorëve të letrës, nuk mbështeteshin mbi fakte të vërteta.
Por a e ka shkruar Bora Muzhaqi këtë email?
Sigurisht që nuk ka asgjë të keqe të përdorësh teknologjinë, përfshirë inteligjencën artificiale, për të përmirësuar një tekst në anglisht. Problemi është se vetë Bora Muzhaqi ka pranuar publikisht se fjalimet e saj ndërtohen me ndihmën e ChatGPT-së dhe se chatbot-in e kishte trajnuar me fjalimet dhe shkrimet e Edi Ramës, në mënyrë që rezultatet të ngjanin sa më shumë me stilin e kryeministrit. Ishte një rrëfim që në atë kohë u trajtua si meme e rradhёs pёr Borёn, por që sot merr një kuptim krejt tjetër.
Prandaj, nuk është aspak e vështirë të imagjinohet se edhe ky email në anglishte formale mund të jetë ndërtuar mbi të njëjtën logjikë, ku rëndësi nuk ka kush e shkruan tekstin, por që ai të tingëllojë bindës nё stilin kryeministror për lexuesin europian.
Realiteti vs. Dokumenti
Letra ndërton një narrativë që teknikisht përdor disa të vërteta, për të mbuluar një realitet krejt tjetër.
Dy deputetët shqiptarё u shpjegojnë eurodeputetëve se projekti nuk ka marrë ende leje ndërtimi, por vetëm leje zhvillimi, duke lënë të kuptohet sikur gjithçka është ende në fazën teorike dhe askush nuk mund të ndërhyjë në territor.
Formalizmi juridik është i saktë.
Por a u është shpjeguar atyre se, sipas praktikës administrative që ndiqet sot në Shqipëri, leja e zhvillimit nuk është më ai akt neutral që ishte dikur? A u është thënë se pikërisht mbi bazën e saj fillojnë procedurat konkrete, kryhen ndërhyrjet në terren, lidhen kontratat, zhvillohen punimet paraprake dhe projekti hyn praktikisht në fazën e zbatimit, ndërsa leja e ndërtimit vjen më pas si një hallkë formale procedurale?
Edhe pjesa tjetër e emailit ndjek të njëjtin model. Eurodeputetëve u thuhet se do të kryhet një vlerësim i thelluar i ndikimit në mjedis, se biodiversiteti do të analizohet me kujdes, se do të respektohet legjislacioni europian dhe ai shqiptar, se statusi i zonës së mbrojtur nuk ka ndryshuar dhe se çdo procedurë do të ndiqet sipas standardeve.
Vetëm se shqiptarët jetojnë prej vitesh në një realitet ku pikërisht këto procedura, që në dokumente duken shembullore, shumë shpesh reduktohen në formalitete administrative të kryera sa për të mbyllur dosjen nё arkivё. Lejet miratohen, raportet hartohen, konsultimet “zhvillohen”, vlerësimet mjedisore firmosen, ndërsa projekti vazhdon rrugën e tij pothuajse i pandalshëm pa marrё asgjё nё konsideratё.
Pikërisht këtë hendek mes letrës dhe praktikës nuk e gjejnë eurodeputetët në emailin e Bora Muzhaqit dhe Taulant Ballës.
Ata lexojnë një shtet model, ndёrsa shqiptarët jetojnë një shtet krejt tjetër.
Prandaj publikimi i këtij emaili ka rëndësi shumë më të madhe sesa vetë projekti i Zvërnecit. Ai zbulon vetё metodën e qeverisjes: jashtë vendit dërgohen dokumente të kuruara me kujdes, me anglishte të pastër dhe procedura të shkruara sipas manualit europian, ndërsa brenda vendit qytetarët përballen me një praktikë fiktive që nuk ngjan aspak me atë që u rrëfehet partnerëve ndërkombëtarë.
Ndaj, Bora, mos u bëj edhe ti më shumë se meme. Mos u bëj tabelë qitjeje me vezë. Sepse dje nisi një fazë e re e protestës. Vezët nuk u hodhёn rastësisht. Ato janë shenja se qytetarët nuk po besojnë më as propagandën, as letrat që u dërgohen të huajve për t’u shitur një Shqipëri që ekziston vetëm në email. Po vjen dita kur protestuesit, që janë njerëz të zakonshëm të lodhur nga mashtrimet tuaja, mund të mos ju lënë më të ecni aq qetë rrugëve të Tiranës, por t’ju lajnë me vezë, që të mbani mbi vete jo vetëm erën e tyre, por edhe aromën e hipokrizisë politike që keni përhapur prej vitesh.
Kur mashtrimi bëhet metodë qeverisjeje, edhe një vezë e hedhur nga një qytetar i revoltuar shndërrohet në një akt simbolik, me të cilin pushteti duhet të fillojë të mësohet… tashmё edhe nё Shqipёri!



© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






