Volkswagen po shqyrton shkurtime të mëdha të vendeve të punës dhe nuk përjashton që prodhimi i makinave të ndalet në disa prej fabrikave të tij në Gjermani, ndërsa drejtuesi i gjigantit automobilistik paralajmëron se kompania ndodhet në një situatë “më shumë se kritike”.
Drejtori ekzekutiv i Volkswagen, Oliver Blume, deklaroi se jo vetëm kompania që ai drejton, por e gjithë industria gjermane e automobilave po përballet me “tronditjen më të madhe në historinë e saj”, nën presionin e ndryshimeve të tregut botëror dhe konkurrencës gjithnjë e më të fortë nga prodhuesit kinezë.
Në një intervistë të publikuar në intranetin e kompanisë dhe të shpërndarë nga AFP, Blume tha se gjatë ditëve të ardhshme do të takohet me punonjësit në selinë qendrore të Volkswagen në Wolfsburg, si dhe në fabrikat në Zwickau dhe Emden, për t’u shpjeguar atyre situatën dhe planet e kompanisë për uljen e kostove.
Një nga problemet kryesore është kapaciteti i tepërt i prodhimit. Sipas Blume, Volkswagen ka aktualisht në Evropë kapacitete për prodhimin e rreth 500 mijë automjeteve më shumë në vit sesa mund të përthithë tregu.
Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje serioze për të ardhmen e disa fabrikave. Blume tha se ende nuk është marrë një vendim për mbylljen e tyre, por pranoi se kompania aktualisht nuk sheh një mënyrë që fabrikat në Emden, Hannover, Zwickau dhe Neckarsulm të vazhdojnë të jenë fitimprurëse.
Megjithatë, mbyllja e fabrikave, sipas tij, mbetet alternativa e fundit.
“Mbyllja e fabrikave do të ishte gjithmonë zgjidhja e fundit dhe më e kushtueshme”, deklaroi Blume, duke shpjeguar se Volkswagen po kërkon përdorime të tjera industriale për impiantet ku prodhimi i automjeteve mund të mos jetë më ekonomikisht i qëndrueshëm.
Një nga mundësitë më konkrete lidhet me industrinë e mbrojtjes. Volkswagen është në bisedime të avancuara me kompani të këtij sektori për përdorimin e fabrikës së tij në Osnabrück, nëse prodhimi aktual atje nuk mund të vazhdojë në të njëjtën formë.
Blume kishte paraqitur që në korrik një plan kursimesh para bordit mbikëqyrës të Volkswagen, por atëherë nuk u mor një vendim përfundimtar. Mediat gjermane raportuan se qeveria e landit të Saksonisë së Poshtme, një prej aksionerëve kryesorë të Volkswagen Group dhe zotëruese e 20% të të drejtave të votës, nuk kishte pranuar ta miratonte planin.
Kompania ndërkohë ka urdhëruar tashmë shkurtimin e 50 mijë vendeve të punës. Sipas Blume, marrëveshje për largimin nga kompania janë arritur deri tani me rreth 37 mijë punonjës.
Drejtori ekzekutiv u bëri thirrje punonjësve që të mbështesin planin e ristrukturimit, duke argumentuar se Volkswagen mund ta përballojë krizën vetëm nëse masat zbatohen në të gjithë kompaninë.
“Do të kemi sukses vetëm nëse të gjithë në kompani e mbështesin këtë plan”, tha ai.
Por planet kanë shkaktuar reagim të fortë nga sindikatat. Kryetarja e sindikatës së fuqishme IG Metall, Christiane Benner, kritikoi ashpër drejtimin e Volkswagen dhe paralajmëroi se sindikata do t’i kundërshtojë mbylljet e fabrikave.
Sipas saj, punonjësit e Volkswagen kanë qenë tashmë të detyruar të pranojnë shkurtime të konsiderueshme dhe të dhimbshme, ndërsa perspektiva e mbylljeve të reja të fabrikave përbën “një tjetër shuplakë në fytyrë” për ta.
Kriza e Volkswagen pasqyron presionin gjithnjë e më të madh me të cilin po përballet industria automobilistike gjermane, ndërsa prodhuesit tradicionalë evropianë duhet të përshtaten me transformimin drejt automjeteve elektrike, ndryshimet në kërkesën globale dhe konkurrencën e fortë të prodhuesve kinezë.




