Qeveria britanike ka vendosur të ndalojë shitjen e pijeve energjike me përmbajtje të lartë kafeine për të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeç në Angli, në një përpjekje për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe për të ulur problemet që lidhen me obezitetin dhe mirëqenien mendore.
Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi në prill të vitit 2027 dhe do ta bëjnë të paligjshme shitjen e çdo pijeje që përmban më shumë se 150 miligramë kafeinë për litër tek personat nën 16 vjeç.
Ndalimi do të zbatohet në të gjitha pikat e shitjes, përfshirë supermarketet, dyqanet e lagjes, restorantet, kafenetë, platformat online, si edhe makinat automatike të shitjes, për të shmangur mundësinë që të miturit t’i blejnë përmes tyre.
Ndër markat që preken nga masa janë Red Bull, Monster, Relentless dhe Prime Energy, ndërsa çaji, kafeja dhe pijet freskuese me përmbajtje më të ulët kafeine, si Coca-Cola dhe Pepsi, nuk përfshihen në ndalim.

Sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore britanike, një në tre fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar konsumon të paktën një pije energjike çdo javë. Disa prej këtyre produkteve përmbajnë sasi kafeine të barabarta me dy filxhanë kafe ose katër kanaçe pije kola.
Ministrja britanike e Shëndetit Publik, Sharon Hodgson, deklaroi se pijet me përmbajtje të lartë kafeine “nuk kanë vend në duart e fëmijëve“.
“Ato mund të shkaktojnë ankth, të dëmtojnë gjumin dhe përqendrimin, si edhe të ndikojnë negativisht në rezultatet e tyre në shkollë. Ky ndalim është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve,” u shpreh ajo.
Vendimi vjen pas një konsultimi publik ku morën pjesë biznese, organizata të shëndetit publik dhe qytetarë, shumica e të cilëve mbështetën vendosjen e kufirit të moshës.
Megjithëse shumica e supermarketeve të mëdha në Britani kishin ndaluar vullnetarisht shitjen e këtyre pijeve për të miturit, autoritetet konstatuan se shumë dyqane të vogla vazhdonin t’ua shisnin fëmijëve.
Zbatimi i masës do të monitorohet nga inspektorët e standardeve tregtare, ndërsa ndalimi është pjesë e një pakete më të gjerë reformash të qeverisë britanike për përmirësimin e ushqyerjes së fëmijëve dhe kufizimin e reklamimit të ushqimeve të pashëndetshme.

Pas 10 minutash rriten presioni i gjakut dhe ritmi i zemrës.
Brenda 15–45 minutash ndiheni më vigjilent.
Pas rreth 50 minutash, sheqeri është përthithur plotësisht nga organizmi. Pas 1 ore mund të ndodhë një rënie e menjëhershme e nivelit të sheqerit në gjak, ndërsa pas 12 orësh mund të shfaqen simptoma të tërheqjes nga kafeina, si dhimbja e kokës.
Burimi: The Sun





