Spanja dhe Argjentina janë përballur 14 herë mes tyre. Kanë nga gjashtë fitore secila, ndërsa dy takime kanë përfunduar në barazim…
Finalja e Kupës së Botës të dielën vendos përballë dy nga kombëtaret më të suksesshme në futbollin ndërkombëtar, Spanjën dhe Argjentinën, rivaliteti i të cilave ka qenë jashtëzakonisht i baraspeshuar ndër dekada.
Spanja synon titullin e saj të dytë të Kupës së Botës, ndërsa kampionia në fuqi, Argjentina, kërkon kurorën e katërt dhe triumfin e dytë radhazi.
Nëse ia del, Argjentina do të bëhej kombëtarja e parë që nga Brazili në vitin 1962 që mbron titullin e Kupës së Botës dhe vetëm skuadra e tretë që fiton dy tituj radhazi pas Italisë (1934, 1938) dhe Brazilit (1958, 1962).
Ja një vështrim mbi rrugëtimin e të dyja skuadrave drejt finales dhe bilancin e tyre në përballjet direkte.
Rrugëtimi i Spanjës drejt finales
Spanja e nisi fushatën në Grupin H me një barazim pa gola ndaj debutueses së turneut, Kepit të Gjelbër, përpara se të mposhtte Arabinë Saudite 4-0. Mikel Oyarzabal shënoi dy gola, super talenti Lamine Yamal realizoi golin e tij të parë në Kupën e Botës.
Spanja siguroi vendin e parë në grup me një fitore 1-0 ndaj Uruguait, falë golit të Alex Baena në pjesën e parë, duke e eliminuar skuadrën amerikanojugore.
Faza me eliminim direkt nisi me një fitore bindëse 3-0 ndaj Austrisë. Oyarzabal shënoi dy herë, ndërsa Pedro Porro realizoi golin e tij të parë me kombëtaren, teksa Spanja kontrolloi ndeshjen nga fillimi deri në fund.
Ndeshja për fazën e 1/16 të finales rezultoi shumë më e vështirë, me golin e Mikel Merinos në minutën e 90-të që vulosi fitoren 1-0 ndaj Portugalisë dhe i dha fund karrierës së Cristiano Ronaldos në Kupën e Botës.
Spanja u përball me një provë edhe më të vështirë në çerekfinale kundër Belgjikës. Fabian Ruiz i dha epërsinë Spanjës, përpara se Belgjika të shënonte golin e parë të pësuar nga “La Roja” në këtë turne. Edhe një herë vendimtar ishte Merino, në minutën e 88-të për të siguruar fitoren 2-1 dhe kualifikimin në gjysmëfinale për Spanjën.
Përballë Francës, Spanja zhvilloi një nga paraqitjet më të plota të turneut. Oyarzabal shënoi nga pika e bardhë në fillim të ndeshjes, ndërsa Pedro Porro finalizoi një aksion të rrjedhshëm të skuadrës në pjesën e dytë për të vulosur fitoren 2-0. Mbrojtja e disiplinuar dhe kontrolli i topit nuk i lanë Francës asnjë mundësi për t’u rikthyer në lojë.
Pas një fillimi jo bindës të turneut, Spanja arriti në finalen e Kupës së Botës pa pësuar asnjë humbje, duke kombinuar qëndrueshmërinë në mbrojtje me cilësinë në sulm si dhe qetësinë në momentet vendimtare, tashmë vetëm një fitore larg titullit të dytë botëror.
Rrugëtimi i Argjentinës drejt finales
Rruga e Argjentinës drejt finales së dytë radhazi të Kupës së Botës është karakterizuar nga shkëlqimi i Lionel Messit, si dy rikthimet dramatike dhe fitoret e vështira në fazën me eliminim direkt.
Kampionia në fuqi e nisi fushatën në Grupin J me një fitore bindëse 3-0 ndaj Algjerisë, ku Messi realizoi “hat-trick” për të barazuar rekordin e atëhershëm të Miroslav Klose me 16 gola në Kupën e Botës. Më pas ai shënoi të dy golat në fitoren 2-0 ndaj Austrisë, duke u rikuperuar pas një penalltie të humbur në fillim të ndeshjes dhe duke i siguruar Argjentinës fitoren e dytë radhazi.
Argjentina siguroi vendin e parë në grup me fitoren 3-1 ndaj Jordanisë. Giovani Lo Celso dhe Lautaro Martinez i dhanë kontroll skuadrës së rotacionuar të Lionel Scalonit, përpara se Messi të hynte nga stoli dhe të realizonte një goditje dënimi karakteristike, duke zgjeruar rekordin e tij të golave në Kupën e Botës.
Faza me eliminim direkt rezultoi shumë më sfiduese. Argjentina i shpëtoi eliminimit përballë debutueses së turneut, Kepit të Gjelbër, duke fituar 3-2 me vështirësi. Messi hapi serinë e golave, ndërsa Lisandro Martinez dhe një autogol i deputuesve i siguruan Argjentinës kualifikimin.
Më pas kampionia në fuqi realizoi një nga rikthimet më të jashtëzakonshme të turneut kundër Egjiptit në fazën e 1/16-s. Në dizavantazh 2-0 vetëm 11 minuta para fundit, Cristian Romero nisi rikthimin, teksa Messi barazoi rezultatin, ndërsa Enzo Fernandez shënoi me kokë golin e fitores në kohën shtesë për të kompletuar përmbysjen dramatike 3-2.
Një tjetër ndeshje e tensionuar pasoi në çerekfinale, ku Argjentina mposhti Zvicrën 3-1. Alexis Mac Allister i dha epërsinë “Albiceleste”-s, por pasi Zvicra e çoi ndeshjen në kohë shtesë, Julian Alvarez dhe Lautaro Martinez shënuan në fund të shtesës duke e dërguar Argjentinën në katërshen më të mirë të këtij turneu.
Në gjysmëfinale, Argjentina mposhti Anglinë 2-1 me një tjetër përmbysje dramatike që la shumë argjentinas pa frymë, duke siguruar kështu finalen e dytë radhazi të Kupës së Botës dhe duke mbetur në rrugën drejt mbrojtjes së titullit të fituar në Katar katër vite më parë.
Bilanci i përballjeve Argjentinë – Spanjë
Spanja dhe Argjentina janë përballur 14 herë në ndeshje zyrtare dhe miqësore, me nga gjashtë fitore secila, ndërsa dy ndeshje kanë përfunduar në barazim.
Pavarësisht historisë së gjatë në futboll, dy kombëtaret janë përballur vetëm një herë më parë në një Kupë Bote. Takimi tyre u zhvillua në Angli në vitin 1966, kur Argjentina fitoi 2-1 në fazën e grupeve.
Përballjet e tyre më të fundit kanë qenë të gjitha miqësore. Spanja regjistroi fitoren më të thellë mes dy skuadrave me rezultatin 6-1 në Madrid në vitin 2018, ndërsa Argjentina korri fitore të rëndësishme me rezultatin 4-1 në vitin 2010 dhe 2-1 në vitin 2006.
Bilanci i baraspeshuar bën që asnjëra kombëtare të mos hyjë në finale me avantazh historik, duke përgatitur skenën për përballjen e dytë të madhe mes tyre në një Kupë Bote dhe të parën në fazën me eliminim direkt.
Me Argjentinën që synon dy tituj radhazi të Kupës së Botës dhe Spanjën kampione Evrope që kërkon ta ngrejë trofeun për herë të dytë në histori, finalja e të dielës do jetë përballja më e rëndësishme deri më tani, për një rivalitet që ka mbetur i baraspeshuar për gjashtë dekada.





