Kriza e thellë e banesave në Hollandë po sjell një realitet gjithnjë e më shqetësues: një numër në rritje njerëzish që kanë punë dhe të ardhura të rregullta, por nuk kanë një vend ku të jetojnë. Ata njihen tashmë si “të pastrehët ekonomikë”, një kategori e re e njerëzve që përfundojnë në rrugë jo për shkak të varfërisë apo varësive, por sepse nuk arrijnë të gjejnë një banesë.
Fenomeni është bërë aq i përhapur, sa në Roterdam është krijuar edhe një organizatë e posaçme, Stichting Binnenslapers, për të ndihmuar këtë kategori.
Themeluesi i saj, Marcel van de Ven, thotë se bëhet fjalë për një grup krejtësisht të ri.
“Për shkak të mungesës së madhe të banesave, gjithnjë e më shumë njerëz humbasin shtëpinë pas një divorci ose pasi u përfundon kontrata e qirasë dhe nuk arrijnë të gjejnë një strehim tjetër.”
Sipas tij, vetëm në Roterdam mund të ketë 8.000 deri në 9.000 persona që ndodhen në këtë situatë.
Van de Ven thekson se këta njerëz nuk përputhen me stereotipin tradicional të të pastrehëve.
“Kur njerëzit mendojnë për një të pastrehë, imagjinojnë dikë që jeton në rrugë, vuan nga varësia ose ka probleme të rënda mendore. Por këta janë njerëz si unë dhe ti. Punojnë, kanë të ardhura dhe deri dje bënin një jetë krejt normale. Pastaj, papritur, humbasin shtëpinë.”
Pikërisht sepse kanë punë dhe të ardhura, shumë prej tyre nuk përfitojnë ndihmë nga bashkitë. Autoritetet i konsiderojnë “të aftë të përballojnë vetë situatën”, duke i lënë jashtë programeve të strehimit.
Megjithatë, sipas Van de Ven, kjo qasje është e gabuar.
“Nëse mbetesh pa strehë edhe vetëm për dy javë, mendja pushon së funksionuari normalisht. Fillon të jetosh vetëm për të mbijetuar dhe jeta del shpejt jashtë kontrollit. Pikërisht atëherë shfaqen edhe problemet me alkoolin apo drogën.”
Historia e Jaap: Punonte çdo ditë, por flinte në makinë me djalin 5-vjeçar
Mes personave të ndihmuar nga fondacioni është edhe një burrë, i identifikuar me pseudonimin Jaap.
Pas divorcit, ai mbeti pa banesë së bashku me djalin e tij 5-vjeçar.
“Kam një punë, e çoj djalin çdo mëngjes në shkollë, por nuk dua që njerëzit në oborr të më shohin ndryshe nëse marrin vesh se jam i pastrehë.”
Fillimisht ai dhe djali i tij kaluan netët në shtëpitë e miqve. Më pas u strehuan përkohësisht tek nëna e tij, por kjo nuk zgjati, pasi ajo jetonte në një rezidencë për të moshuarit ku nuk lejoheshin banorë të tjerë.
Kur nuk kishin më asnjë mundësi tjetër, Jaap dhe djali i tij u detyruan të flinin në makinë, të parkuar larg qytetit.
“Isha i zemëruar dhe shumë i trishtuar. Ndihesha sikur kisha dështuar. Mendon se po bën gjithçka si duhet dhe papritur të ndodh kjo. Unë dua vetëm më të mirën për djalin tim.”
Edhe pse kërkoi ndihmë, bashkia e refuzoi me arsyetimin se ishte “i vetë-mjaftueshëm”, pasi kishte një vend pune.
“Madje mendova: ndoshta duhet të lë punën që të marr ndihmë. Nëse do të isha pa punë dhe do të merrja asistencë sociale, ndoshta shteti do të më ndihmonte.”
Më në fund ai gjeti mbështetje te Stichting Binnenslapers, e cila i siguroi një dhomë për tre muaj në një strukturë të përkohshme dhe një këshilltar për ta ndihmuar të gjente një banesë të përhershme.
Sot Jaap thotë se ka sërish shpresë.
“Jam shumë i lumtur që më në fund shoh një dritë në fund të tunelit.”
Ndërkohë, ai përpiqet ta mbrojë djalin nga realiteti i vështirë.
“I them se jemi në hotel dhe se është një lloj pushimi. Ai është ende shumë i vogël për ta kuptuar se çfarë po ndodh. Fatmirësisht.”
Burimi: NL Times






