Një gjykatë federale e apelit në SHBA ka refuzuar kërkesën e ish-presidentit Joe Biden për të bllokuar publikimin e regjistrimeve audio dhe transkripteve të intervistave që ai zhvilloi me shkrimtarin Mark Zwonitzer gjatë përgatitjes së librit të tij me kujtime, përpara se të zgjidhej president.
Me një vendim 2 me 1, Gjykata e Apelit e Qarkut të Kolumbias vendosi se Biden nuk ka arritur të provojë se materialet duhet të mbahen të fshehta. Vendimi pezullon publikimin vetëm deri më 3 gusht, për t’i dhënë ish-presidentit mundësinë të apelojë në një instancë më të lartë.
Çështja lidhet me hetimin e zhvilluar në vitin 2023 nga Prokurori i Posaçëm Robert Hur mbi mënyrën se si Biden kishte trajtuar dokumente të klasifikuara pas largimit nga posti i zëvendëspresidentit. Gjatë atij hetimi, Departamenti i Drejtësisë mori në posedim regjistrimet audio dhe përgatiti transkriptet e bisedave të Bidenit me bashkautorin e kujtimeve të tij.
Raporti i Hur, i publikuar në vitin 2024, përfundoi se nuk duhej të ngriheshin akuza penale ndaj Bidenit, megjithëse hetuesit gjetën dokumente të klasifikuara që lidhen me politikën e jashtme dhe informacione të ndjeshme. Në raport u argumentua se një juri mund ta shihte Bidenin si një “burrë të moshuar, me qëllime të mira, por me kujtesë të dobët”, gjë që do ta bënte shumë të vështirë sigurimin e një dënimi penal.
Më pas, Fondacioni Heritage dhe organizata Oversight Project kërkuan, përmes ligjit amerikan për lirinë e informacionit (FOIA), publikimin e regjistrimeve dhe transkripteve. Fillimisht Departamenti i Drejtësisë i administratës Biden refuzoi, duke u mbështetur në përjashtimet që parashikon ligji.
Por në shkurt të vitit 2026, Departamenti i Drejtësisë i administratës Trump ndryshoi qëndrim dhe njoftoi se synonte t’i publikonte materialet, me disa pjesë të redaktuara, si për kërkuesit ashtu edhe për Komisionin e Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve.
Biden reagoi duke paditur qeverinë dhe duke kërkuar një urdhër paraprak për të ndaluar publikimin, por kërkesa u rrëzua fillimisht nga gjykata federale dhe tani edhe nga Gjykata e Apelit.
Sipas shumicës së gjyqtarëve, materialet, edhe pse fillimisht ishin biseda private mes Bidenit dhe bashkëautorësit të librit, u bënë pjesë e dokumentacionit zyrtar pasi u sekuestruan gjatë hetimit federal dhe, për këtë arsye, mund t’i nënshtrohen kërkesave për publikim sipas ligjit për lirinë e informacionit.
Njëra prej gjyqtareve votoi kundër vendimit, duke argumentuar se Biden nuk kishte detyrimin të provonte plotësisht çështjen në këtë fazë procedurale dhe se gjykata duhej të merrte më shumë në konsideratë dëmin që mund t’i shkaktohej nga publikimi i materialeve.
Nëse nuk ndërhyn një gjykatë më e lartë, regjistrimet audio dhe transkriptet pritet të bëhen publike pas 3 gushtit, duke i dhënë fund një beteje ligjore që ka rikthyer në vëmendje hetimin mbi dokumentet e klasifikuara dhe debatet për gjendjen mendore të ish-presidentit Biden gjatë kohës që ishte në detyrë.
Burimi: The Federalist






