Vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë Evropën po ushqen disa nga zjarret më të mëdha të këtij sezoni, duke detyruar mijëra njerëz të braktisin shtëpitë dhe pushimet në Francë, Spanjë dhe Itali.
Situata më kritike paraqitet në Francën jugperëndimore, ku autoritetet urdhëruan evakuimin e plotë të gadishullit Cap Ferret, një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në bregun e Atlantikut. Për shkak të avancimit të flakëve, shumë pushues u larguan me anije drejt qytetit Arcachon, ndërsa të tjerët u evakuuan përmes rrugës së vetme që lidh zonën me kontinentin.
Zjarri ka shkrumbuar tashmë rreth 8.700 hektarë pyje dhe vazhdon të përhapet, i favorizuar nga temperaturat shumë të larta dhe erërat e forta.
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se Franca ka aktivizuar Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile dhe ka kërkuar ndihmë nga partnerët e Bashkimit Evropian. Në mbështetje të operacionit pritet të mbërrijnë avionë zjarrfikës nga Kroacia dhe Portugalia, si edhe helikopterë Black Hawk nga Çekia dhe Sllovakia.
Ndërkohë, një tjetër vatër e madhe zjarri pranë Biscarosse, vetëm 40 kilometra larg Cap Ferret, ka djegur rreth 2.500 hektarë. Mbi 23 mijë persona janë evakuuar nga kampingjet, banesat, një kamp veror për fëmijë dhe një qendër për të moshuarit.
Edhe Spanja vijon betejën me një nga zjarret më të mëdha të viteve të fundit, ndërsa në Itali ekipet e emergjencës po luftojnë disa vatra aktive.
Tre valët e të nxehtit që kanë goditur Evropën këtë verë kanë tharë vegjetacionin, kanë ulur rezervat ujore dhe kanë krijuar kushte ideale për përhapjen e flakëve. Sipas ekspertëve, sipërfaqja e djegur deri tani këtë vit është mbi mesataren vjetore të dy dekadave të fundit, ndërsa temperaturat ekstreme janë lidhur edhe me mijëra vdekje në kontinent.









