Fertilizimi in vitro është rikthyer këto javë në qendër të debatit publik për shkak të emrave të njohur që janë përmendur në media dhe politikë se kanë shfrytëzuar shtatzëninë për të shmangur burgun, nga Ajola Xoxa, Hava Delibashi e deri te aludimet për Belinda Ballukun. Por zhurma rreth jetës së tyre private po mbulon një çështje shumë më të rëndë dhe shumë më të madhe se çdo rast individual.
Shqipëria ka sot një treg të zhvilluar të riprodhimit të asistuar, me klinika private që ofrojnë fertilizim in vitro, ruajtje embrionesh, dhurim qelizash riprodhuese dhe procedura të tjera që prekin jo vetëm shëndetin, por edhe identitetin biologjik, prindërimin, trashëgiminë dhe të drejtat e fëmijës.
I gjithë ky modernizëm biologjik, mbështetet mbi një kuadër ligjor arkaik, që vazhdon t’i referohet një ligji të vitit 2002, i shkruar për një realitet mjekësor shumë më të thjeshtë se ai i sotmi.
Natyrisht që, gjithkush që mund të pyesë do të marrë përgjigjen se “Shqipëria nuk është pa ligj” për këtë teknologji që rivalizon edhe vetë natyrën.
Ligji 8876, i 4 prillit 2002, “Për shëndetin riprodhues”, është akoma në fuqi, edhe pse tashmë pas 24 vjetësh për shumë çështje ai nuk mund të përgjigjet e as të mbajë peshën e një industrie që ka ndryshuar rrënjësisht për nga teknologjia, kërkesat dhe lëvizja ndërkombëtare e pacientëve.
IVF-ja nuk është as luks dhe as turp. Është një procedurë mjekësore që përdoret kur një grua, një burrë ose një çift përballet me infertilitet, kur trajtime më të thjeshta nuk japin rezultat ose kur ekziston rreziku i transmetimit të sëmundjeve të rënda gjenetike.
Vezët merren nga gruaja, fekondohen në laborator dhe një ose më shumë embrione transferohen më pas në mitër, ndërsa pjesa tjetër mund të ruhet e ngrirë për përdorim të mëvonshëm. Pikërisht për shkak se procedura përfshin material biologjik njerëzor, embrione dhe të dhëna jashtëzakonisht të ndjeshme, ajo nuk mund të lihet vetëm në marrëdhënien mes klinikës dhe pacientit.
Në vitin 2024, Ministria e Shëndetësisë hodhi në konsultim publik projektligjin “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, i cili synonte të vendoste rregulla të reja për organizimin, funksionimin dhe mbikëqyrjen e riprodhimit mjekësor të asistuar.
Projekti parashikonte regjistra në çdo klinikë dhe një Regjistër Kombëtar të Riprodhimit Mjekësor të Asistuar, si edhe ndalime të posaçme për trafikimin e qelizave riprodhuese dhe embrioneve, përdorimin e embrioneve për qëllime tregtare, përzgjedhjen e seksit pa arsye mjekësore dhe manipulimin gjenetik.
Konsultimi u mbyll në maj 2024, por projekti nuk rezulton të jetë kthyer në ligj, ndërsa klinikat private vazhdojnë të kryejnë procedura çdo ditë.
Kjo vonesë nuk është çështje teknike.
Ku është regjistri embrional?
Pa një regjistër kombëtar funksional, publiku shqiptar nuk di sa procedura kryhen në vit, sa vezë merren, sa prej tyre fekondohen, sa embrione transferohen, sa ruhen, sa asgjësohen dhe sa dhurohen.
Në Shqipëri nuk ka të dhëna publike të mjaftueshme për numrin e klinikave apo spitaleve që merren me këtë mjekësi delikate. Mungon evidenca e suksesit, si dhe ajo e dështimit, bashkë me komplikacionet që lidhen me ndërhyrjet e shumta që mbeten pa u shënuar diku.
Nuk ka një databazë që të shihet në çdo kohë se si bëhet trajtimi i materialit biologjik apo kontrolli i bankave ku ruhen embrionet dhe qelizat riprodhuese.
Fakti që një qendër publike si ajo pranë maternitetit “Koço Gliozheni” publikon procedura standarde dhe formularë pëlqimi tregon se standardizimi është i mundur, por transparenca e vetëm një institucioni nuk zëvendëson dot një sistem kombëtar të detyrueshëm për të gjithë.
Dyshim apo abuzim?
Në terrenin pa gjurmë, pa databazë, pa të dhëna të lexueshme lindin natyrshëm dyshimet për abuzim, jo sepse duhet vënë gishti medoemos për klinika që abuzojnë, por sepse mungon sistemi që ta bëjë atë të gjurmueshëm.
Sa janë gratë që nuk e ndajnë dot abuzimin me dështimin real të proceseve in vitro?
A e di një grua shqiptare që shpreson për një fëmijë, saktësisht sa vezë i janë marrë?
Sa janë fekonduar?
Çfarë ka ndodhur me secilin embrion dhe kush ka pasur akses në materialin e saj biologjik?
Çdo embrion duhet të ketë një gjurmë dokumentare të pandërprerë, nga krijimi deri te transferimi, ruajtja, dhurimi ose asgjësimi. Pa këtë zinxhir kontrolli, shteti i kërkon pacientes t’i besojë vetëm klinikës, ndërsa klinikës i kërkon të kontrollojë vetveten duke pyetur vetëm ndërgjegjen e saj.
Surrogacia
Edhe surrogacia mbetet në një zonë të paqartë. Ligji i vitit 2002 i kërkonte ministrit të nxirrte rregulla të posaçme, ndërsa studime të fundit mbi kuadrin ligjor shqiptar e përshkruajnë surrogacinë si të parregulluar. Kjo krijon probleme që shkojnë shumë më larg se procedura mjekësore, sepse përfshijnë identitetin ligjor të nënës, prindërimin, regjistrimin e fëmijës, pëlqimin, kompensimin dhe mundësinë e shfrytëzimit ekonomik të grave.
Shqipëria po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për pacientët e huaj për shkak të kostove më të ulëta dhe një tregu privat që reklamohet edhe jashtë vendit. Vetë klinikat shqiptare prezantohen në gjuhë të huaja dhe ofrojnë shërbime të plota të fertilitetit, çka tregon se riprodhimi i asistuar nuk është më një shërbim i mbyllur për tregun vendas.
Një zhvillim i tillë mund të sjellë të ardhura, ekspertizë dhe mundësi për çiftet që kërkojnë trajtim, por pa rregulla të qarta mund ta kthejë vendin në destinacion të leverdisshëm “abuzimi”, pikërisht sepse kontrolli është i papërfillshëm për peshën që duhet të ketë.
IVF ka nevojë të mbrohet nga tregtia pa kufij, nga reklamimi mashtrues, nga konfliktet e interesit dhe nga klinikat që mund të premtojnë më shumë sesa vetë mjekësia mund të garantojë.
Por më e rëndësishme se kjo, është mbrojtja e grave. E atyre që kalojnë stimulim hormonal, ndërhyrje, pritje dhe zhgënjime të panumërta shpirtërore, si dhe financiare, kur u duhet të paguajnë disa mijëra euro për çdo cikël, pa pasur siguri dhe informacion për suksesin real të klinikës, numrin e embrioneve të transferuara apo rrezikun e shtatzënive të shumëfishta.
Dy vjet pas konsultimit të projektligjit, qeveria ende nuk ka shpjeguar pse rregullimi i ri nuk është miratuar, çfarë pengesash ka hasur dhe kur do të krijohet Regjistri Kombëtar.
Kjo heshtje bëhet edhe më e rëndë kur vetë shteti ka hapur një qendër publike të riprodhimit të asistuar dhe e pranon kështu se IVF-ja është tashmë pjesë normale e sistemit shëndetësor shqiptar.
Shteti dhe klinika private
Shqipëria nuk ka nevojë të ndalojë teknologjinë riprodhuese, por ka nevojë ta nxjerrë atë nga mjegulla.
Çdo klinikë duhet të regjistrohet në një sistem unik, çdo qelizë dhe embrion duhet të jetë i gjurmueshëm, çdo paciente duhet të marrë informacion të plotë dhe çdo shkelje duhet të ketë përgjegjësi konkrete, madje të rënda. Përndryshe, një nga fushat më të ndjeshme të mjekësisë do të vazhdojë të prodhojë miliona për biznes, ndërsa shteti do të mbetet në errësirën që e ka zgjedhur vetë të qëndrojë, pa ditur se çfarë krijohet nëpër laboratorët e “shpirtit” dhe as ku përfundojnë produktet e tyre.
Ndoshta pikërisht sepse fertilizimi in vitro ka hyrë prej kohësh edhe në jetën e figurave publike dhe politike, do të pritej që Kuvendi të ishte i pari që ta rregullonte këtë fushë me ligj. Por ndodhi e kundërta. Projektligji u hodh në konsultim publik në vitin 2024 dhe më pas u zhduk në heshtje, kur për “habi” klinikat vazhduan të shtohen në numër.
Atje ato kryejnë çdo ditë dhjetra procedura të kushtueshme, ndërsa shteti nuk di asgjë. Nuk di sa embrione krijohen, as ku ruhen, as si kontrollohen.
Kujt i shërben kjo zbrazëti ligjore?
Sigurisht, nuk i shërben çifteve që luftojnë prej vitesh për të pasur një fëmijë. Ajo i shërben vetëm parasë.
Mungesa e kontrollit sjell para.
Mungesa e përgjegjësisë bën para.
Në laboratorin ku s’ka transparencë dhe as mbikëqyrje, më shpejt krijohet një llogari që kthehet në pasuri, se një embrion që nesër do të bëhej fëmijë.
Natyrisht që Shqipëria nuk është pa ligj, për teknologjinë që shpesh sfidon edhe vetë Zotin.
Por derisa ai të përafrohet me Evropën që nuk mashtron, nuk abuzon, nuk fiton mbi lëndimin, shpresën dhe ëndrrën e grave që dëshpërimisht duan një fëmijë, Shqipëria do të mbetet prapa derës së pahapur të saj.
© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






