INSTAT publikoi më 6 gusht botimin e dytë të posaçëm për “Statistikat e krimeve dhe drejtësisë penale”, një dokument që në pamje të parë mund të duket si një koleksion tabelash për vitet 2022-2024. Në fakt, po të lexohet përtej kolonave me numra, ai jep një fotografi shumë më interesante të kriminalitetit në Shqipëri dhe, njëkohësisht, të mënyrës se si policia, prokuroria, gjykatat dhe burgjet po e përballojnë atë.
Është një fotografi me vonesë. Jemi në gusht 2026 dhe të dhënat e fundit të plota janë të vitit 2024. Kjo do të thotë se prej tyre nuk mund të thuhet se sa krime po ndodhin sot dhe as të ndërtohet artificialisht një statistikë për vitet 2025 apo 2026. Por tri vite të njëpasnjëshme janë të mjaftueshme për të parë drejtimin e disa fenomeneve. Dhe drejtimi që del nga raporti nuk është thjesht “krimi u ul” ose “krimi u rrit”.
Vetë INSTAT paralajmëron për një dallim shumë të rëndësishëm: statistikat zyrtare nuk tregojnë numrin real të krimeve që ndodhin në shoqëri. Ato tregojnë krimet që janë identifikuar dhe regjistruar nga institucionet. Një rritje mund të vijë sepse një fenomen është shtuar, por edhe sepse qytetarët raportojnë më shumë ose policia kontrollon më shumë. Një rënie mund të nënkuptojë më pak kriminalitet, por mund të lidhet edhe me nivelin e raportimit apo mënyrën e evidentimit.
Ky sqarim është i domosdoshëm, sepse shifra e parë e raportit mund të krijojë përshtypjen e një Shqipërie dukshëm më të sigurt.
Në vitin 2024 policia evidentoi 32.653 vepra penale. Ishin 33.845 në vitin 2023 dhe 33.476 në vitin 2022. Pra, numri i përgjithshëm ra me 3,5 për qind brenda një viti dhe me 2,5 për qind kundrejt vitit 2022. Në raport me popullsinë, në vitin 2024 rezultojnë 137,4 vepra penale të evidentuara për çdo 10 mijë banorë.
Kjo është pjesa pozitive e fotografisë. Por vetëm pak faqe më tej shfaqet një numër që e bën panoramën shumë më të ndërlikuar: ndërsa veprat penale të evidentuara kanë rënë, njerëzit e regjistruar si të dëmtuar nga krimi janë shtuar fort.
Në vitin 2022 policia kishte evidentuar 13.650 persona të dëmtuar. Në 2023 numri arriti në 17.021 dhe në 2024 në 17.761. Pra, brenda vetëm dy vjetësh kemi 30,1 për qind më shumë persona të dëmtuar të regjistruar. Kjo është një nga shifrat që meriton më shumë vëmendje në të gjithë raportin. Shqipëria regjistroi më pak vepra penale në total në vitin 2024 sesa në 2022, por regjistroi dukshëm më shumë njerëz të prekur prej tyre.
Edhe numri i personave të dyshuar ecën në drejtim të kundërt me numrin e veprave. Në vitin 2022 policia kishte 38.198 persona të dyshuar; në vitin 2024 ishin 40.057, ose 4,9 për qind më shumë. Vetëm 6,3 për qind e të dyshuarve të vitit 2024 ishin gra, ndërsa 93,7 për qind burra.
Kështu, vetëm tri shifra tregojnë pse kriminaliteti nuk mund të matet me një kolonë të vetme: 32.653 vepra penale, 17.761 persona të dëmtuar dhe 40.057 persona të dyshuar. E para është në rënie, dy të tjerat janë më të larta se në 2022.
Krimi i rrugës po lëshon terren, por po rriten forma të tjera
Edhe më domethënëse është ajo që ka ndodhur brenda vetë strukturës së kriminalitetit.
Vjedhjet janë ulur ndjeshëm. Nga 2.661 raste në vitin 2022 dhe 2.712 në 2023, ato ranë në 2.133 në vitin 2024. Mashtrimet ranë nga 969 në 802. Krimet në fushën e drogës, megjithëse mbeten ndër kategoritë më të mëdha, zbritën nga 3.105 në vitin 2023 në 2.908 në 2024. Korrupsioni i evidentuar nga policia ra nga 568 raste në 2022 në 347 në 2023 dhe vetëm 279 në 2024. Edhe abuzimi me detyrën ra nga 605 në 440 raste.
Por në anën tjetër të tabelës ndodhen disa fenomene që lëvizin shpejt në drejtim të kundërt.
Krimet kibernetike janë një prej tyre. Në vitin 2022 policia evidentonte 152 raste. Një vit më vonë ishin 276. Në vitin 2024 arritën në 388. Në vetëm dy vjet bëhet fjalë për një rritje prej rreth 155 për qind.
Ky është një sinjal i qartë i transformimit të kriminalitetit. Një pjesë e tij po zhvendoset nga hapësira fizike drejt telefonit, kompjuterit, llogarive elektronike dhe komunikimit online. Krimi kibernetik ende nuk ka peshën numerike të vjedhjeve, drogës apo veprave rrugore, por ritmi i rritjes së tij është shumë më i fortë.
Një zhvillim tjetër shumë më shqetësues është dhuna në familje. Rastet e evidentuara sipas nenit 130/a ishin 1.887 në vitin 2022, 1.911 në vitin 2023 dhe 2.139 në vitin 2024. Pra, ndërsa kriminaliteti i regjistruar në tërësi ra, dhuna brenda familjes u rrit me mbi 13 për qind kundrejt vitit 2022.
Edhe përndjekja po rritet vazhdimisht: 158 raste në 2022, 196 në 2023 dhe 232 në 2024.
Trafikimi i qenieve njerëzore kaloi nga 32 vepra të evidentuara në 2022 në 59 në 2024. Ndërkohë, një seri tjetër statistikore e raportit, ajo për viktimat e trafikimit e marrë nga Ministria e Brendshme, tregon 112 viktima në 2022, 165 në 2023 dhe 178 në 2024. Mbi gjysma e viktimave të vitit 2024, 53,9 për qind, ishin të mitur, ndërsa 63,5 për qind e viktimave ishin femra.
Kjo është një statistikë që vështirë se mund të kalojë si një numër dytësor në raport. Në një vend me popullsi relativisht të vogël, 178 viktima trafikimi të evidentuara në një vit, 96 prej tyre të mitur, janë një tregues serioz për politikat e mbrojtjes së fëmijëve, kontrollin e shfrytëzimit dhe hetimin e rrjeteve që qëndrojnë pas tij.
Edhe profili i viktimave tregon se krimi nuk prek të gjithë në të njëjtën mënyrë. Gratë përbëjnë vetëm rreth 6 për qind të personave të dyshuar dhe 5 për qind të të pandehurve, por 29 për qind të të dëmtuarve. Ato dominojnë si viktima në dhunën në familje, përndjekje, abuzimet seksuale, përdhunim dhe shfrytëzim prostitucioni.
Në vitin 2024 u regjistruan gjithashtu 1.447 të mitur të dëmtuar nga vepra penale. Krahasuar me vitin 2022, numri i tyre ishte rritur me 36,8 për qind. Për përdhunimin, abuzimet seksuale, trafikimin e qenieve njerëzore dhe pornografinë, të miturit rezultojnë proporcionalisht më të ekspozuar sesa të rriturit.
Këto janë të dhëna që e zhvendosin diskutimin për sigurinë përtej numrit të patrullave në rrugë. Një pjesë e kriminalitetit që del në rritje zhvillohet brenda shtëpisë, ndaj grave dhe fëmijëve ose në internet.
Vrasjet, ndërkohë, mbeten relativisht të pakta numerikisht, por jo lineare. Në vitin 2022 u evidentuan 44 vrasje me dashje, në 2023 numri ra në 35 dhe në 2024 u rrit sërish në 41. Pra, 2024 ishte më keq se viti pararendës, por pak më mirë se 2022.
Në një horizont më të gjatë ka edhe një zhvillim pozitiv: personat e dëmtuar nga përdhunimi ranë nga 78 në vitin 2015 në 39 në vitin 2024. Por në të njëjtën periudhë personat e dëmtuar nga kategoria më e gjerë e dhunës seksuale u rritën nga 106 në 124. Edhe këtu fotografia është më komplekse se një rritje apo rënie e vetme.
Gjeografia e krimit ka gjithashtu rëndësi. Tirana mbante 34,1 për qind të të gjitha veprave penale të evidentuara në vitin 2024 dhe Durrësi 11,9 për qind. Por zhvillimi më i fortë vjetor ndodhi në Shkodër, ku numri i veprave të evidentuara u rrit me 28,4 për qind, dhe në Elbasan, me 7,1 për qind. Në shumicën e qarqeve të tjera kishte rënie.
Kjo do të thotë se edhe shprehja “kriminaliteti në Shqipëri” fsheh realitete të ndryshme lokale. Tirana ka numrin më të madh, gjë e pritshme për shkak të popullsisë dhe aktivitetit ekonomik, ndërsa qarqe të tjera mund të kenë dinamika shumë më të forta nga një vit në tjetrin.
Çfarë ndodh me krimin pasi hyn në sistemin e drejtësisë
Raporti bëhet edhe më interesant kur ndiqet rruga nga policia drejt prokurorisë, gjykatës dhe më pas burgut.
Në vitin 2024 policia evidentoi 32.653 vepra penale dhe 40.057 persona të dyshuar. Prokuroria regjistroi 24.921 procedime të reja penale. Ky numër ishte 3,4 për qind më i lartë se në vitin 2023, por 3,1 për qind më i ulët se në vitin 2022.
Këto numra nuk duhen zbritur mekanikisht nga njëri-tjetri. INSTAT e sqaron shprehimisht këtë: policia, prokuroria dhe gjykatat përdorin njësi dhe momente të ndryshme regjistrimi. Një person i dyshuar këtë vit mund të bëhet i pandehur vitin tjetër dhe një i pandehur mund të dënohet më vonë. Në polici, për më tepër, regjistrohen të gjitha veprat e një ngjarjeje, ndërsa prokuroria përdor për statistikat rregullin e veprës kryesore.
Por tendencat e secilës hallkë mund të lexohen.
Dhe njëra prej tyre bie menjëherë në sy: numri i të pandehurve ka rënë shumë më tepër sesa numri i veprave penale.
Në vitin 2022 kishte 16.246 të pandehur. Në 2023 ishin 13.963. Në vitin 2024 mbetën 13.167. Kjo është një rënie prej 19 për qind në vetëm dy vjet.
Në të njëjtën kohë, struktura e akuzave po ndryshon. Krahasuar me 2023, të pandehurit për dhunë në familje u rritën me 13,1 për qind, ata për drogë me 13,8 për qind, për përdhunim me 18,5 për qind, për plagosje të rëndë me dashje me 18,6 për qind dhe për përndjekje me 26 për qind.
Në anën tjetër, numri i të pandehurve për korrupsion ra me 33,1 për qind, për pastrim parash me 36 për qind, për trafikim të qenieve njerëzore me 57,1 për qind, për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me 59,2 për qind dhe për kalim të paligjshëm të kufirit me 64,7 për qind.
Veçanërisht statistikat për korrupsionin kërkojnë një lexim më të kujdesshëm. Policia evidentoi 568 raste në vitin 2022 dhe vetëm 279 në 2024. Prokuroria regjistroi 261 procedime për korrupsion në 2022 dhe 140 në 2024. Edhe numri i të pandehurve për këtë kategori ra. Këto shifra nuk provojnë vetvetiu se korrupsioni real në Shqipëri është përgjysmuar. Ato provojnë se korrupsioni që hyn dhe përpunohet statistikisht në këto hallka të sistemit është zvogëluar. Për një vepër që shpesh zbulohet përmes hetimit dhe jo thjesht përmes kallëzimit të viktimës, ky dallim është thelbësor.
I njëjti kujdes duhet treguar me pastrimin e parave. Policia evidentoi 421 vepra në vitin 2024, më shumë se 387 në vitin 2023. Prokuroria, ndërkohë, regjistroi 249 procedime, një rritje prej 59,6 për qind brenda një viti. Por numri i të pandehurve për pastrim parash ra me 36 për qind.
Pra, sistemi mund të hapë shumë më tepër hetime për një fenomen pa prodhuar menjëherë më shumë të pandehur. Kjo është pikërisht arsyeja pse statistikat e drejtësisë duhen parë si një zinxhir dhe jo si tabela të izoluara.
Në fund të zinxhirit janë gjykatat.
Në vitin 2022 gjykatat e shkallës së parë regjistruan 11.422 persona të dënuar. Në vitin 2023 ishin 8.856 dhe në 2024, 8.907. Brenda një viti situata pothuajse nuk ndryshoi, por kundrejt vitit 2022 kemi një rënie prej 22 për qind. Numri i personave të shpallur të pafajshëm ishte 363 në vitin 2024.
Edhe këtu profili është jashtëzakonisht mashkullor: rreth 94-95 për qind e personave të dënuar janë burra. Për burrat e dënuar në vitin 2024, kategoria më e madhe lidhej me shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor, e ndjekur nga droga, dhuna në familje dhe vjedhja. Te gratë, pas veprave të qarkullimit rrugor, pesha të dukshme kishin dhuna në familje, droga, vjedhja, mashtrimi dhe abuzimi me detyrën.
Edhe të miturit japin një sinjal që nuk duhet anashkaluar. Në vitin 2024 kishte 503 të pandehur të mitur, nga 476 në vitin 2022. Pra, ndërsa numri i të pandehurve të rritur ra me 19,7 për qind, ai i të miturve u rrit me 5,7 për qind.
Në fazën e dënimit situata është disi më e mirë: 177 të mitur u dënuan në 2024, nga 219 në vitin 2022. Megjithatë, struktura e kriminalitetit të të miturve është domethënëse. Në vitin 2024, 36,7 për qind e të miturve të dënuar ishin dënuar për vjedhje, 24,3 për qind për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe 10,7 për qind për krime në fushën e drogës.
Këto janë shifra që vlejnë po aq për sistemin arsimor dhe social sa për policinë dhe prokurorinë. Kur një pjesë e kriminalitetit të të miturve përqendrohet te vjedhja, droga dhe sjelljet e rrezikshme, reagimi vetëm pasi i mituri ka hyrë në sistemin penal është shumë vonë.
Një ndryshim tjetër i dukshëm ka ndodhur në mënyrën e dënimit. Në vitin 2022, 21 për qind e dënimeve të kategorive të paraqitura në raport ishin me gjobë. Në vitin 2024 vetëm 7,4 për qind. Ndërkohë, dënimet me burg deri në dy vjet u rritën nga 59,9 në 71,4 për qind.
Dënimet alternative gjithashtu ranë. Nga 5.526 në vitin 2022 zbritën në 3.933 në 2024. Forma dominuese mbetet pezullimi i ekzekutimit të burgimit dhe vënia në provë, që përbënte 77,4 për qind të dënimeve alternative të vitit 2024.
Dhe pastaj vjen një nga të dhënat më të forta të gjithë dokumentit: paraburgimi.
Në fund të vitit 2024 Shqipëria kishte 4.491 persona në burgje. Vetëm 1.713 prej tyre ishin të dënuar me burg me vendim përfundimtar. Plot 2.778 ishin në paraburgim. Me fjalë të tjera, rreth 62 për qind e popullsisë së burgjeve në fund të vitit përbëhej nga njerëz që nuk ishin në kategorinë e të dënuarve përfundimisht me burg.
Në vitin 2022 raporti ishte pothuajse i përmbysur: 2.681 të dënuar me burg dhe 2.263 të paraburgosur. Në 2024, të dënuarit me burg kishin rënë në 1.713, ndërsa të paraburgosurit ishin rritur në 2.778.
Për burrat, pjesa e paraburgimit ndaj popullsisë së burgosur u rrit nga 45,8 për qind në 2022 në 61,7 për qind në 2024. Për gratë, nga 41,3 në 68,8 për qind.
Kjo statistikë meriton analizë institucionale më vete. Jo sepse çdo paraburgim është i pajustifikuar – raporti nuk jep të dhëna që do të lejonin një përfundim të tillë – por sepse kur shumica e njerëzve që ndodhen në institucionet e privimit të lirisë janë të paraburgosur dhe jo të dënuar përfundimisht me burg, përdorimi dhe kohëzgjatja e masës “arrest në burg” bëhen çështje qendrore për funksionimin e drejtësisë penale.
Edhe profili social i popullsisë së burgjeve meriton vëmendje. Grupi më i madh është ai me arsim 9-vjeçar, ndërsa vetëm 6,4 për qind e të burgosurve në vitin 2024 kishin arsim të lartë. Grupmosha më e madhe është 21-29 vjeç, e ndjekur nga 30-39 vjeç.
Këtu statistika penale prek drejtpërdrejt politikën sociale. Burgjet tregojnë jo vetëm se çfarë krimesh janë ndëshkuar, por edhe se cilat kategori të popullsisë përfundojnë më shpesh në fundin më të rëndë të sistemit penal.
Në tërësi, raporti i INSTAT nuk përshkruan një Shqipëri ku kriminaliteti po shpërthen. Numri i përgjithshëm i veprave të evidentuara është relativisht i qëndrueshëm dhe në 2024 madje ka rënë. Vjedhjet kanë rënë, disa vepra kufitare janë reduktuar fort, burgjet nuk janë të mbipopulluara dhe numri i përgjithshëm i të burgosurve është më i ulët.
Por nuk përshkruan as një realitet ku mjafton të thuhet se “krimi është ulur”.
Brenda numrit total po ndryshon përbërja e kriminalitetit. Krimet kibernetike po rriten me shpejtësi. Dhuna në familje po rritet. Përndjekja po rritet. Viktimat e trafikimit janë shtuar dhe mbi gjysma e tyre në vitin 2024 ishin të mitur. Numri i personave të dëmtuar nga veprat penale është rritur me 30 për qind në dy vjet. Numri i të dyshuarve është rritur, ndërsa numri i të pandehurve dhe të dënuarve ka rënë. Dhe në fund të vitit 2024 shumica e njerëzve që ndodheshin në burgje ishin në paraburgim.
Kjo është ndoshta fotografia më e dobishme që mund të nxirret nga 76 faqet e raportit: kriminaliteti shqiptar nuk po lëviz në një drejtim të vetëm. Disa nga format tradicionale po tkurren, ndërsa forma të tjera, më të lidhura me teknologjinë, familjen, cenimin e personit dhe shfrytëzimin e viktimave vulnerabël po fitojnë peshë. Në të njëjtën kohë, vetë zinxhiri i drejtësisë tregon ndryshime të mëdha nga evidentimi i veprës deri te dënimi dhe privimi i lirisë.
Fakti që këto janë të dhënat e viteve 2022-2024 dhe publikohen në gusht 2026 vendos edhe një kufi praktik. Për të ndërtuar politika penale sot duhen sa më shpejt të dhënat e plota të 2025-ёs dhe, sapo të jetë e mundur, treguesit e 2026-ёs. Krimi kibernetik, trafikimi, droga apo dhuna në familje janë fenomene që mund të ndryshojnë shumë më shpejt sesa ritmi me të cilin publikohen statistikat e konsoliduara.
Studime të tilla duhen gjithnjë. Madje duhen më të shpeshta, më të hollësishme dhe të lidhura më mirë mes policisë, prokurorisë, gjykatave dhe burgjeve. Por vlera e tyre nuk qëndron vetëm te publikimi i një dokumenti statistikor. Këto të dhëna duhet t’i lexojnë dhe t’i përdorin institucionet që marrin vendime.
Duhet t’i lexojë Ministria e Drejtësisë kur harton politikat penale. Duhet t’i lexojë qeveria kur përcakton se ku shkojnë paratë për parandalimin, mbrojtjen sociale dhe sigurinë. Duhet t’i ketë përpara Kuvendi kur rishikon Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale. Duhet t’i analizojnë policia dhe prokuroria kur përcaktojnë prioritetet hetimore. Duhet t’i lexojë sistemi i burgjeve kur ndërton politikat e rehabilitimit dhe duhet t’i lexojnë institucionet që merren me fëmijët, gratë dhe viktimat e trafikimit.
Një Kod Penal nuk bëhet më i mirë duke shtuar dënime sa herë një ngjarje e rëndë merr vëmendje publike. Një strategji kundër krimit nuk bëhet më serioze duke renditur objektiva të përgjithshëm në një dokument disa-vjeçar. Nëse statistikat tregojnë se krimet kibernetike janë më shumë se dyfishuar, duhen kapacitete konkrete hetimore për krimin digjital. Nëse dhuna në familje rritet ndërkohë që kriminaliteti total bie, aty duhet një politikë e posaçme. Nëse mbi gjysma e viktimave të trafikimit janë të mitur, reagimi duhet të nisë shumë përpara se fëmija të mbërrijë te policia. Nëse shumica e popullsisë së burgjeve është në paraburgim, duhet parë se si dhe sa përdoret masa e arrestit me burg.
Statistikat nuk e zgjidhin kriminalitetin. Por tregojnë shumë qartë se ku duhet kërkuar zgjidhja. Dhe pikërisht për këtë duhen prodhuar: që politika penale të ndërtohet mbi atë që po ndodh në vend, jo mbi përshtypje, reagime të momentit dhe teori që mbeten në letër.

Burimi: INSTAT
© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






